Rikthehet flamuri i Kosovës përkrah atij kombëtar “Te Rrethi”

Prishtina

Rikthehet flamuri i Kosovës përkrah atij kombëtar “Te Rrethi”

Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 13:29
Flamuri i Kosovës

Departamenti i Protokollit të Shtetit i cili funksionon në kuadër të MPJ-së, ka marrë vendim që të vendoset edhe një shtizë pranë flamurit kombëtar.

Jetlir Zyberaj nga kabineti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë për Koha.net se është marrë vendimi që nesër të vendoset edhe flamuri i Republikës së Kosovës, pranë atij kombëtar “Te Rrethi”.

Përderisa fajësia e ndërrimit të flamurit “Te Rrethi” u hodh sa në Komunën e Prishtinës e sa në Qeveri, tani u mor vendim për të.

Fillimisht, disa të rinj nisën një iniciativë duke kërkuar kështu që flamuri i Kosovës të vendoset “Te Rrethi” në vend të atij të Shqipërisë.

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili së fundmi u kritikua nga asamblisti i LDK-së, Sokol Havolli, se është punë e tij ta bëjë këtë, tha se çështja e flamurit i takon Qeverisë, dhe kjo sipas tij, bëhet me autorizim të kryeministrit.

Havolli i ka thënë Ahmetit se nëse deri sot në orën 15:00, nuk e vendosë flamurin e Kosovës “Te Rrethi”, ai do të kërkoj nënshkrimet e anëtarëve të KK të Prishtinës për seancë të jashtëzakonshme, kështu për ta miratuar rregulloren që e obligon ekzekutivin ta mirëmbajë flamurin e Kosovës në lokacione të caktuara

Pas kësaj, mbrëmë Ahmeti në një prononcim për Koha.net tha se çështja e flamurit është debat koti pasi sipas tij, kjo është e qartësuar me ligj, e për sa i përket Havollit, tha se ai së pari duhet t’i mësojë ligjet dhe funksionin e asamblistit e më pas të merret me çështje tjera.

Por, nuk mungoi as reagimi i Havollit.

Pak më vonë asamblisti i LDK-së Sokol Havolli, tha se e këshillon Ahmetin të mbrojë asetet e Komunës përfshirë edhe shtizën e flamurit, duke shtuar se Ahmetin e sheh si përfaqësues zyrtar i ankesave dhe arsyetimeve për mospunë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat