Me ardhjen e stinës së pranverës është rritur numri i pacientëve që kërkojnë trajtim mjekësor për shkak të alergjisë nga poleni. Vështirësi në frymëmarrje, kollitje, temperaturë, teshtitje dhe skuqje e syve janë disa nga simptomat që e karakterizojnë këtë alergji. Derisa më të prekurit janë fëmijët, për shkak të rrugëve më të ngushta të frymëmarrjes.
Specialisti pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Rushit Ismajli thotë se është shtuar numri i pacientëve me simptoma të alergjisë së shkaktuar nga poleni. Ai thotë se në këtë rast pacientët duhet të shmangin ekspozimin në vendet ku ka më shumë lule.
Ismajli: Ka shënuar rritje numri i pacientëve me alergji ndaj polenit
"Duket që është shtuar numri i pacientëve, vërehet puna e çdo kolegut edhe tek puna ime personale, është pak më dendur se herëve të kaluara. Ka shumë pacientë që ankohen për kollitje, teshtitje që shoqërohet edhe me shkuarje të hundës, temperaturë që me gjasë ka të bëjë edhe me alergjitë sezonale, në këtë rast alergjia në polen...Për fat të keq, disa njerëz, pranvera ndoshta është stina më e bukur, kanë fazën e keqe që të kenë një alergji në atë që prodhojnë lulet e që quhet polen. Ata pastaj reagojnë në mënyrë pak më të ndryshme sesa të tjerët. Simptomat e polenit janë më shumë të bezdisshme sesa që janë të rrezikshme, përveç të rastet kur disa janë edhe më alergjik sesa të tjerët dhe shkaktohet edhe vështirësi në frymëmarrje," tha Ismajli.
Ismajli potencon se në rastet kur alergjia reagon më ashpër te pacientët, duke shkaktuar vështirësi më të mëdha në frymëmarrje, skuqje të syve dhe rrjedhje të hundëve, u rekomandohet përdorimi i inhalimit.
Ai thotë se fëmijët vuajnë pak më shumë në stinën e pranverës me paraqitjen e alergjisë ndaj polenit, për shkak se rrugët e frymëmarrjes janë më të ngushta. Përveç fëmijëve, ai përmend edhe moshën mesatare.
Ismajli: Fëmijët më të prekurit nga alergjia e polenit
"Rastet shumë të rënda janë më të rralla, megjithëse hasim edhe aty ku ka vështirësi të mëdha në frymëmarrje, skuqje të syve dhe probleme me hundët. Në ato situata ne japim edhe inhalime dhe tejkalohet kjo situatë...Ndoshta fëmijët vuajnë pak më shumë, për shkak se rrugët e frymëmarrjes janë më të ngushta dhe reagojnë pak më vrullshëm sesa ata që janë të rritur. Mirëpo, këtu kisha thënë edhe mosha mesatare, për shkak të një alergjenit shumë të fuqishëm që është pirja e duhanit", potencon Ismajli.
Ismajli potencon se trajtimi i pacientëve me probleme në frymëmarrje për shkak të alergjisë, bëhet me pompa e assesi me infuzione apo me antibiotikë. Ndërkaq, simptomat e zakonshme potencon se trajtohen me sprej dhe medikamente të tjera.
Ismajli: Personat alergjikë ndaj polenit ta shmangin daljen në natyrë
"Nëse flasim për (alergjitë) në frymëmarrje ajo çka përpiqem ta dalloj te pacienti është astma bronkiale, që refuzohet nga pacientët dhe ndonjëherë trishtohen kur u them se pacienti ose fëmija është me astmë. Tjetra është riniti alergjik, një formë tjetër e alergjisë. Kur është fjala për astmë trajtimi bëhet me pompa dhe assesi me infuzione apo antibiotik. Kurse te të tjerat trajtohen në mënyrë simptomatike, përdorimi i sprejit për hundë dhe fyt...Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur është të largohen nga alergjenët...Nëse flasim për polen, kuptohet që personat alergjikë është mirë të shmangin daljen në natyrë sidomos kur ka sasi të madhe të polenit", shprehet Ismajli .
Ndër të tjera, specialisti i Mjekësisë Familjare në QKMF-në e Prishtinës vlerëson se alergjia nga poleni është më shumë e bezdisshme sesa e rrezikshme. Poleni është një nga shkaktarët më të zakonshëm të alergjive sezonale. Bimët lëshojnë kokrra të vogla poleni, që barten përmes erës për të fekonduar bimë të tjera të së njëjtës specie në çdo pranverë, verë dhe vjeshtë, madje edhe në dimër.
Sistemi imunitar i personave që kanë alergji ndaj polenit identifikon atë si një substancë të rrezikshme dhe fillon ta luftojë e që si pasojë e kësaj shfaqen sëmundjet alergjike.