Çështja e punimeve në “Rrugën A” ka marrë epilog final.
Gjykata Supreme i ka hapur përfundimisht rrugë punimeve në “Rrugën A” në Prishtinë pas një kontesti që zgjati rreth një vit mes Komunës së Prishtinës dhe një kompanie private ndërtimore.
Më 18 mars, një kolegj i Gjykatës Supreme i kryesuar nga Ragip Namani e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e kompanisë “Pro & CO Group” kundër aktvendimit të shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale.
“Kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor është e pabazuar”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Supreme.
“Aktvendimi i dhomës së shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, është vendim i drejtë dhe ligjor”.
Punimet në “Rrugën A” u pezulluan disa muaj më parë pas një ankese të një operatori ekonomik me pretendimet për shkelje procedurale në lidhjen e kontratës për ndërtimin e rrugës mes Komunës së Prishtinës dhe kompanisë “Sallahu” Sh.P.K..
Çështja shkoi tri herë në shkallën e dytë të Gjykatës Komerciale.
Në shtator, Komercialja vendosi për herë të parë për pezullimin e punimeve në rrugën A. Në fund të nëntorit, Dhomat e Shkallës së Dytë të Komerciales ktheu lëndën për këtë rrugë në rivendosje e rishqyrtim në dhomën e shkallës së parë.
Në tetor, Komercialja pati shtyrë ekzekutimin e vendimit për ndërtimin e kësaj rruge, pas kërkesës së një kompanie ndaj Organit Shqyrtues të Prokurimit. LDK-ja në pushtet akuzonte Vetëvendosjen në pushtetin qendror për ndikim.
Pushteti në Prishtinë e ka cilësuar këtë rrugë si projektin më të madh deri tash. Kjo rrugë planifikon t’i lidhë lagjet “Kalabria” dhe “Mati” me Prishtinën e re.