Janë më të rrezikuarit thuajse në punën e tyre, por përkundër sfidave dhe kushteve që ata kanë, janë të gatshëm për çdo intervenim.
Përkundër se numri i intervenimeve është i madh, numri i zjarrfikësve mbetët i vogël.
Se me çfarë kushte ata ballafaqohen, ka folur Zëvendës komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi.
‘’Në Prishtinë është 75 numri i pjesëtarëve të zjarrfikësve, ndërsa sipas rregullores ne duhet t’i kemi duke u bazuar në numrin e banorëve 146 zjarrfikës, por pothuajse gjysma mungon’’, thonë Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë.
Zjarrfikësit shprehen të pakënaqur me pagat që kanë duke thënë se nuk e konsiderojnë të merituar koeficienti që është vendosur për ta.
‘’Ne e kemi shfaqur pakënaqësinë tonë kur kanë dalë koeficientet, por nuk mendojmë që është koeficient i merituar, në bazë të detyrave dhe përgjegjësive që i ka ky shërbim. Nuk është trajtuar siç duhet por meqë është përcaktuar shpresojmë që të përmirësohet kur e dimë çfarë rrezikshmërie kemi. Megjithatë ka diçka të mirë që duhet theksuar që në Ligjin e Pagave për herë të parë është futë struktura organizative të shërbimit të zjarrfikësve ku e përcakton edhe të gjitha pozitat në shërbimin e zjarrfikësve’’, përfundon Gashi.
Gashi i zjarrfikësve: Për 3 muaj i kemi 447 intervenime, rreth 700 euro janë shpenzimet e një intervenimi
Zëvendës-komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Malë Gashi në një prononcim për Front Online thotë se për gjatë vitit 2023 kanë pasur plotë 2367 intervenime ndërsa gjatë tre muajve të parë të këtij viti kanë pasur 447 intervenime, ku më së shumti intervenime kanë pasur në Prishtinë.
‘’Gjatë vitit 2023 i kemi pasur 2367 intervenime. Ndërsa gjatë tre muajve të parë të këtij viti i kemi 447 intervenime. Më së shumti intervenime ka pasur në Prishtinë por ka pasur shumë intervenime edhe në Fushë Kosovë, Obiliq dhe Graçanicë’’, thotë ai.
Gashi ka treguar po ashtu se cilat kanë qenë intervenimet me të rrezikshme gjatë vitit të kaluar dhe përgjatë këtyre muajve të këtij viti.
‘’Intervenimet më të rrezikshme kanë qenë në Shtëpinë e Pleqve , ndërtesa shumëkatëshe, banesa në katin e nëntë në Bregun e Diellit , banesa në katin e 7 në 4 të mëngjesit në rrugën C, dhe së fundmi në Stacionin e rrymës si dhe sigurisht objektin e pajisjeve mjekësore’’, njofton ai.
Ai thotë se vetëm një intervenim për të shkuar zjarrfikësit në vendin e ngjarjes kushton rreth 700 euro pa kalkuluar shpenzimet tjera
‘’Se sa është e kushtueshme nuk kemi bërë përllogaritje, nuk e dimë por duke krahasuar me shtete tjera perëndimore (me të dëgjuar) diku vetëm me shkuar zjarrfikësit në vendin e ngjarjes, mos me prek asgjë janë pagesa diku 700 euro e këto tjera për detaje nuk e di. Por me llogaritë amortizimin e automjeteve, shpenzimin, uljen e gatishmërisë për reagim, aty diku sillet’’, thekson ai.