Paralajmërohet protestë për hapjen e rrugës “George Bush” më 14 janar

Prishtina

Paralajmërohet protestë për hapjen e rrugës “George Bush” më 14 janar

Më: 7 janar 2024 Në ora: 18:00
Foto ilustrim

Një grup qytetarësh në rrjetet sociale ka paralajmëruar protestë për datën 14 janar, për shkak të mbylljes së rrugës “George Bush” në Prishtinë.

Në një njoftim nga faqja Vrojtuesit e lagjes në Facebook, u bëhet thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës të organizuar me kërkesën për hapjen e kësaj rruge të rëndësishme.

“Pas mbylljes së rrugës, kemi përballur një problem të vazhdueshëm me trafikun dhe kolonat e gjata që kanë shkaktuar ndërprerje në qarkullim. Protesta jonë është e organizuar në mënyrë paqësore dhe e ligjshme për të shprehur nevojën tonë për të hapur këtë rrugë të rëndësishme për qytetarët e lagjes”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, për mbajtjen e kësaj proteste është lajmëruar edhe Policia e Kosovës.

“Data e protestës është 14 janar 2024, ku pritet të mblidhemi në pikën e mbylljes së rrugës “George Bush” në shenjë solidariteti dhe thirrje për veprime. Protesta do të fillojë në orën 12:00 dhe do të mbahet në mënyrë paqësore. Me këtë njoftojmë autoritetet komunale dhe Policinë e Kosovës për protestën tonë paqësore”, theksohet në njoftim.

Me këtë rast kërkohet nga të gjithë pjesëmarrësit të ruajnë qetësinë dhe të respektojnë ligjin gjatë protestës.

Ndryshe, rruga “George Bush” ka mbi një vit që është mbyllur për qarkullim të automjeteve dhe është kthyer në shesh me vendim të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat