Ndotja e Badocit me mangan, flasin nga IKSHPK-ja: Ndikon në sistemin psikik të fëmijëve

Prishtina

Ndotja e Badocit me mangan, flasin nga IKSHPK-ja: Ndikon në sistemin psikik të fëmijëve

Më: 27 tetor 2023 Në ora: 10:30
Burbuqe Nushi-Latifi

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) tashmë 10 ditë ka apeluar qytetarët të mos pinë ujë nga liqeni i Badocit, si dhe për mospërdorim të tij në amvisëri për shkak të vlerave të rritura të manganit. Kjo pasi konsiderohet se mund të shkaktojë probleme shëndetësore, sidomos te fëmijët e vegjël, duke ndikuar negativisht në rritjen e tyre.

Këto dhe për ndikimet tjera të rritjes së vlerave të manganit, në një intervistë për KosovaPress tregon koordinatorja për monitorimin e ujit, Burbuqe Nushi-Latifi.

Nushi thotë se rritja e vlerës së manganit është fenomen, i cili ndodh në sezonin e vjeshtës dhe pranverës dhe se nuk është hera e parë që ndodh një përzieje e ujit me mangan.

Nushi: Vlera e manganit paraqitet në vjeshtë e pranverë, nuk është hera e parë që ndodh

“Vlera e manganit, paraqitja e manganit është një fenomen natyror, i cili lajmërohet në sezonin e pranverës dhe në sezonin e vjeshtës. Nuk është hera e parë që kemi pasur këto lloj telashe, por asnjëherë këtë kohëzgjatje dhe këto sasi të manganit. Këtë vit është pak më shumë. Kjo është paraqitur para një jave, 10 ditë në momentin që kemi marrë informacionet prej laboratorit që janë vlerat e ngritura, normal jemi aktivizuar komplet ekipi i IKSHPK-së, është informuar kompania dhe prej atij momenti jemi në bashkëpunim me kompaninë çdo ditë... Vlerat e larta nuk tolerohen më shumë se 10 ditë brenda një viti, po rasti jonë nuk e ka atë vlerë të lartë edhe pse ka qëndru 10 ditë tashmë”, thotë Nushi.

Sipas koordinatores së ujit Nushi, vlerat e manganit nuk janë shumë të larta, por nuk preferohet për pije. Ajo tha se mangani ndikon më së shumit te fëmijët e moshave të hershme, por nuk preferohet për pije as te të rriturit pasi simptomat që shkaktohen nga mangani mund të provokojnë edhe sistemin psikik.

Nushi: Mangani ndikon në sistemin psikik, më së shumti te fëmijët në moshat e hershme

“Mangani është metal esencial, i cili ndodhet çdo kund në natyrë, futet në organizëm me shumë rrugë, futet edhe me ushqim, edhe me ujë edhe prej ajrit mundet... Në një anë të manganit vlerat e gjetura përkundër faktit që janë pak më të larta se udhëzimi administrativ i cili i kërkon, vlerat nuk janë aq sa që të paraqesin rrezik të lartë ose të domosdoshme për organizëm në kushte kur ka vlera të shtuara mbi 1 gram, se standardi është 0.05... Mangani me vlera shumë të larta, të shtuara përkundër faktit se është metal esencial mundet të paraqet probleme në sistemin nervor qendror mirëpo akcent të posaçëm e ka të fëmijët prej 0 deri 5 vjet e kryesisht te foshnjat prej 0 deri 6 muaj të cilat ushqehen me qumësht pluhur, pse është me rëndësi kjo se tek qumështi pluhur ka doza të larta të manganit dhe shtimi i ujit me mangan të lartë mund të provokojë që ky fëmijë të rritet më vonë, meqenëse krejt e kanë këtë kimi tek akumulatorët, mund të provokojnë çrregullime në zhvillimin e tyre psikik, nuk kanë koncentrim e kështu me radhë”, thotë ajo.

Derisa rekomandimi për mos pirje të ujit qëndron ende, deri në njoftimin e radhës nga IKSHPK-ja, Nushi thekson se mangani mund të largohet me ndërrimin e temperaturave ditëve të ardhshme.

Nushi: Presim të largohet mangani me ndërrimin e temperaturave ditëve të ardhshme

“Rekomandimet tona ende qëndrojnë për vet faktin se si autoritet shëndetësor që jemi të thirrur për zbatimin e udhëzimit administrativ ne duhet gjithsesi t’i referohemi udhëzimit administrativ, që ky ujë është i ndjeshëm për fëmijët e vegjël. Mirëpo kur japim rekomandime, atëherë nuk munden me cek 20-vjeçarët nuk munden me pi, ata 30-vjeç, por është rekomandim i gjeneralizuar. Sot p.sh. në vlerat tona kemi ulje te dukshme të manganit shumë në krahasim me ditët e para mirëpo ende është mbi vlerën e redaktuar... Po shpresojmë me ndërrimin e temperaturave bie mangani, po shpresojmë brenda javës, deri në fund të javës duhet të qetësohet situata”, përfundon ajo.

Kujtojmë se më 19 tetor, sasia e madhe e detektuar e elementit kimik, mangan, bëri që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) të kërkojë nga qytetarët që furnizohen me ujë nga fabrika e ujit e këtij liqeni, të mos e përdorin atë për pije dhe gatim.

Qytetarët i janë përgjigjur këtij rekomandimi dhe tashmë po furnizohen me ujë të ofruar nga KRU-ja me autobot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat