Pakësimi i veturave në qendër – Bileta e parkingut do të vlejë edhe për shfrytëzimin e “Trafikut Urban”

Prishtina

Pakësimi i veturave në qendër – Bileta e parkingut do të vlejë edhe për shfrytëzimin e “Trafikut Urban”

Më: 18 shtator 2023 Në ora: 08:23
Foto ilustrim

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka thënë se kanë në plan zvogëlimin e numrit të veturave nëpër rrugët e Kryeqytetit. E për ta bërë një gjë të tillë, niveli lokal a në plan ta implementojë projektin “Park and Ride”.

Projekti “Park and Ride” nënkupton parkimin e veturës nëpër vendet e caktuara dhe shfrytëzimin e trafikut urban me të njëjtën biletë të parkingut.

Musliu ka deklaruar se një person që hyn në Prishtinë dhe e parkon një veturë jashtë qendrës, do të mund ta shfrytëzojë trafikun urban me biletën e njëjtë të parkingut. Thotë se krahas shfrytëzimit të “Trafikut Urban”, qytetarët mund t’i marrin për shfrytëzim edhe trotinetet ose biçikletat.

“Gjithashtu shumë ka me i ndikuar mobiliteti dhe projektet e ‘Park and Ride’, ne tani brenda muajit shtator mendojmë me e implementuar projektin e parë te fusha e ‘Ramiz Sadikut’ ku do të bëhet një parking, ky qytetarët kanë me pas mundësi me e parku veturën edhe me pagesën e parkingut për veturë, me e shfrytëzua transportin publik, është një prej formave të cilën mendojmë më e stimulua apo me e rrit shprehin e transportit publik të qytetarëve edhe me i ndal veturat mos me hy në zonën urbane”, u shpreh Musliu për EO, teksa thotë se do t’i shtojnë këto parkingje edhe nëpër zonat tjera.

“‘Park and Ride’ mendojmë me i pas në zona periferike, mendohet diku me qenë 5-6 projekte me qëllim që me u parku vetura pastaj me pas mundësi me marrë autobusin, transportin publik apo të njëjtën kohë me marrë një biçikletë apo një trotinet elektrik, kjo na ndihmon shumë në aspektin e mobilitetit”, u shpreh tutje Musliu.

Shkaku i numrit të madh të veturave në rrugët e Prishtinës, Musliu ka bërë të ditur se kanë menduar mbylljen e disa rrugëve.

“Është e vërtetë që numri i veturave nuk përkon fare me infrastrukturën edhe me numrin e banorëve, ne jemi jashtë çdo norme mesatare, kemi diku 70-80 mijë vetura lokale brenda në Prishtinë, dhe rreth 120 mijë vetura brenda 24 orëve të cilat e përshkojnë kryeqytetin, po flasim diku për 200 mijë vetura, brenda 24 orëve në një infrastrukturë të cilën të gjithë e dimë çfarë e kemi edhe si është trashëguar. Me matje të cilat janë bërë edhe me ndryshime të cilat janë bërë, del që dy segmente janë të ngarkuara, ai i ‘Bill Klintonit’ dhe rruga ‘Tirana’”, u shpreh Musliu, duke thënë se rruga “Luan Haradinaj” është bërë me katër korsi, në mënyrë të zbrazet segmenti që po e ngarkon më së shumti trafikun në Prishtinë.

“Keni mundur me e pa që prej rrugës ‘Luan Haradinaj’ të Ministria e Drejtësisë po bëhen 4 korsi, rruga që vazhdon është bë njëkahëshe, me qëllim që me pas zbrazje prej segmentit që po ngarkohet mos me pas hyrje pastaj zonën brenda në Qendër, në rrugën “Tirana” realisht në fillim është bë dy kahore pjesa që ndërlidhet me rrethin po në të njëjtën kohë tash po mendohet me u bo një qasje në rrethin po në të njëjtën kohe e dini që aty jemi duke punuar në rrugën tjetër e cila po bëhet në ‘Arbëri’, gjithashtu mendohet me u hap laura (rampa) te ‘Ramiz Sadiku’ me pas një qasje tjetër për me u lidh me rrugën ‘Tirana’. Janë afër 5-6  intervenime në këto segmente që për momentin janë më problematike”, ka thënë Musliu.

Punë goxha të madhe thotë Musliu po bëhet edhe në aspektin e mirëmbajtjes së Kryeqytetit. Për këtë, synojnë blerjen e kamionëve për ndërmarrjen “Pastrimi” në vlerë prej 1 milion euro.

“Tani jemi në fazën kur po i vlerësojmë ofertat për blerjen e kamionëve për ndërmarrjen ‘Pastrimi’, mos të harrojmë që është hera e parë që Drejtoria e Shërbimeve Publike në kuadër të Komunës së Prishtinës, që po e bënë një investim direkt në ndërmarrjen ‘Pastrimi’. Po flasin pra për blerjen e kamionëve, në një vlerë prej 1 milion e gjysmë, të cilën po mendojmë më e ndihmuar ndërmarrjen ‘Pastrimi’, për shkak që të gjithë e dimë situatën e vështirë financiare në të cilën ata gjinden, ashtu e kemi trashëgua buzë falimentimi”, thotë Musliu.

Krahas blerjes së kamionëve, investime për çështjet mjedisore do të bëhet edhe në blerjen e kontejnerëve të rinj.

“… në të njëjtën kohë jemi në proces të blerjes për më tepër se 1 mijë kontejnerëve, me të cilët kemi me e bo riorganizimin e lokacioneve të kontejnerëve, kemi me e shtuar numrin e tyre. Në kryeqytet ka shumë objekte të cilat janë në mungesë të lokacionit, ka lokacione të cilat kanë numër të vogël të kontejnerëve, shembull është platforma për 8 apo 6 kontejnerë, ekzistojnë 2-3, kanë me u plotësuar këto të gjitha, por ka lokacione që ka kontejnerë të dëmtuar e që do të bëhet zëvendësimi i tyre, me këta 1 mijë kontejnerë, mendojmë me i plotësuar të gjitha lokacionet ekzistuese, me e bo shtimin e lokacioneve të reja”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat