​Bizneset e vogla në kryeqytet kërkojnë t’u lejohet përdorimi i frigoriferëve në kiosqe

Prishtina

​Bizneset e vogla në kryeqytet kërkojnë t’u lejohet përdorimi i frigoriferëve në kiosqe

Më: 1 maj 2023 Në ora: 10:46
Foto ilustrim

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve disa përfaqësues të bizneseve të vogla në kryeqytet sot kanë protestuar para objektit të komunës së Prishtinës për lejimin e shfrytëzimit të hapësirave publike.

Përfaqësuesit e këtyre bizneseve kanë mbajtur në duar disa pankarta me mbishkrime: “Neglizhenca juaj detyrim për migrim ndaj neve”, “Stop diskriminimit ndaj bizneseve të vogla”, “A ka drejtësi në këtë vend”.

Përfaqësuesi i shoqatës së bizneseve të vogla në Prishtinë, Sadudin Hasani tha se tash e 1 vit e gjysmë kanë bërë kërkesë që komuna t’u lejoj vendosjen e frigoriferëve, por një gjë e tillë siç u shpreh ai nuk ka ndodhur.

Hasani tha se largimi i frigoriferëve tek kiosqet i ka dëmtuar shumë këto biznese.

Hasani: Komuna nuk po na jep frigoriferët në kiosqe

“Qëllimi i protestës është për kushte më të mira në punë… Ne më herët kemi pas frigoriferët dhe na i ka largua komuna ku na ka udhëzua me bërë kërkesë për leje, kemi bërë kërkesë për leje, por nuk na ka pajisur dhe as nuk na ka lejuar me i vendosur neve si kioska, ndërsa bizneset tjera… Na ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë duke e ditur se biznesi kryesor gjatë verës janë pijet nuk kemi pas diçka të kundërligjshme… Ne luftë me komunën nuk mund të bëjmë, e jona është me bërë protestë paqësore me qellim që më i thirrur këta mendjen dhe me bë një analizë dhe me pa që janë gabim”, tha ai.

Hasnai po ashtu u shpreh se ndonëse kishin një dakordim me drejtorin e Inspektoratit për vendosje të frigoriferëve, ata përsëri janë gjobitur.

Ai teksa paralajmëroi protesta të tjera, shprehu kërkesën karshi komunës së Prishtinës për dhënien e lejeve për kiosqet dhe lejimin e 2 deri 4 frigoriferëve.

Hasani: Komuna të na i vazhdojë lejet dhe të kemi 2-4 frigoriferë

“Kërkesat tona janë që komuna të na i vazhdojë lejet e kiosqeve dhe që komuna të na pajisë nëse merr kohë kjo çeshtja e lejeve të kiosqeve së paku të na lejon t’i kemi nga 2 apo 4 frigoriferë. Ne i kemi bërë kërkesat në komunën e Prishtinës nëse një biznesi të madh apo të mesëm i lejohet me i shfrytëzua 200 metra katror si nuk po gjendet mundësia që neve biznesve të vogla me na u lejua 10 metra katror, kjo është ajo që ne kërkojmë drejtësi në këtë vend”, tha ai.

Nënkryetari i kësaj shoqate, Enver Gashi tha se me largimin e frigoriferëve për 60% është zvogëluar qarkullimi i biznesit të tyre.

Ai tha se kjo situatë ka ndikuar edhe në gjendjen shëndetësore të shumë kolegëve të tyre.

Gashi: Për 60% janë zvogëluar të hyrat

“Kam dal më së shumti për t’i mbrojtur rininë mos të dalin jashtë, dhe nëse nuk na mundësojnë me punua edhe me i mbajtë fëmijët brenda le të vijnë sot le t’i marrin dhe t’i largojnë nuk është problem….60%. 3 prej shokëve tanë i kemi në spital që 40 vjet kanë punuar me këtë profesion. Prej traumave e ngarkesave të mëdha krejt kanë kredi e obligime asnjë nuk mund t’i siguroj paratë”, tha ai.

Sot edhe në Kosovë po shënohet 1 Maji, Dita Ndërkombëatre e Punëtorëve. Po në këtë ditë krahas kësaj protestë është paraparë edhe një protestë tjetër e Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës të cilët po kërkojnë rritje pagash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat