​“Prishtina Mall” hap dyert të enjten për vizitorë, sigurohet edhe transporti

Prishtina

​“Prishtina Mall” hap dyert të enjten për vizitorë, sigurohet edhe transporti

Më: 8 mars 2023 Në ora: 15:57
​“Prishtina Mall”

Kur kanë mbetur edhe pak orë deri në hapjen e qendrës më të madhe tregtare në rajon “Prishtina Mall”, drejtuesit e kësaj qendre kanë rrëfyer për punën që kanë bërë me vite deri tek përfundimi i projektit. Me lehtësira, komoditete dhe shërbime lehtë të qasshme, “Prishtina Mall” nga nesër do të sigurojë që të gjithë vizitorët të shijojnë këtë hapësirë unike.

Drejtori menaxhues i "Prishtina Mall", Alvaro Costa tha se kanë punuar shumë për të ardhur deri te hapja e kësaj qendre tregtare. Derisa tha se kjo qendër ka kinematë më moderne në Evropën Juglindore, ai tha po ashtu se në qendrën tregtare “Prishtina Mall” janë rreth tre mijë punonjës.

"Ne gjatë kohës së kaluar kemi punuar shumë dhe fuqishëm që ta realizojmë “Prishtina Mall”. ‘Prishtina Mall’ është qendër tregtare me më shumë se 230 dyqane me një hapësirë të balancuar komerciale që sillet nga moda tek teknologjia e me një ofertë mjaftë të pasur gastronomike. Ka kinematë më moderne në Evropën Juglindore... Ne do të sjellim disa brende të reja. Ajo që e dallon ‘Prishtina Mall’ nuk është ndonjë brend i caktuar por është që të mbledhim t’i gjitha brendet... Po ashtu këtu mund të kemi edhe një mikrotreg, me 3 mijë punonjës, të cilët e shfrytëzojnë mundësinë që të blejnë dhe të përjetojnë ato që ne po i ofrojmë tregut në përgjithësi, tha Costa.

Kryetari i bordit të aksionarëve në “Prishtina Mall”, Fatmir Zymberi ka treguar disa nga sfidat që kanë hasur gjatë ndërtimit të kësaj qendre. Mirëpo, tha se kjo i ka dhënë një përvojë që çdo gjë është e mundur nëse punohet.

"Ndërtimi i kësaj qendre ka filluar me 5 mars në vitin 2020 dhe të realizohet ky projekt për 3 vite ka qenë një sfidë shumë e madh, diçka e pamundur, por ideja është që njeriu krijon gjëra të pamundshme dhe i bënë të mundshme me bashkëpunëtorë profesionalë, me njerëz që e kanë kaluar këtë rrugëtim para neve. Sfida më e madhe ka qenë ekzekutimi, pasi kur e kemi pa vizatimin e ‘Prishtina Mall’, nuk kemi qenë të vetëdijshëm sa ka qenë e madhe sepse atë e sheh vetëm kur të konkretizohet dhe kur është bërë e pllaka parë, atëherë e kemi parë me sy sa është e madhe. Ne kur e filluam ishim pesë persona dhe kur e përfunduam ishim 15 dhe është hera parë në historinë tonë që fillon me një projekt i madh me pak njerëz dhe rrugës shtohet numri i bashkëpunëtorëve. ‘Prishtina Mall’ më ka jep një përvojë që çdo gjë është e mundshme nëse ne dëshirojmë", tha Zymberi.

Sa i përket të punësuarve në këtë qendër, Zymberi tha se nuk ka qenë problematikë.

Ndërsa ka theksuar se e kanë organizuar edhe çështjen e transportit për punëtorët dhe vizitorët.

“E kemi të organizuar këtë punë. Kemi kompani që ka transporte falas nga Prishtina, ka çdo 15 minuta linja. Njëkohësisht janë edhe kompanitë e transportit që janë të komunës, të cilët veçse kanë filluar lëvizjet e tyre. Po ashtu kanë filluar organizimet edhe prej qyteteve tjera të Kosovës, veçse jemi në proces të marrëveshjeve të kompanive të ndryshme që do i sjellin vizitorët nga qytetet tjera në Kosovë dhe anasjelltas. Është edhe për punëtorët që ta kenë transportin nga qyteti në ‘Prishtina Mall’”, tha Zymberi.

“Prishtina Mall” do të ofrojë aktivitete për fëmijë, adoleshentë dhe të rritur për të ndërtuar një marrëdhënie të fortë emocionale me vizitorët dhe komunitetet përreth.

Ndërkaq, në ora 18:00 do të mbahet edhe ceremonia inauguruese e qendrës së re tregtare dhe rekreative “Prishtina Mall”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat