Prishtina, pa asnjë simbol shtetëror një ditë para përvjetorit të Pavarësisë

Prishtina

Prishtina, pa asnjë simbol shtetëror një ditë para përvjetorit të Pavarësisë

Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 13:51
Pamje nga Prishtina

Një ditë para përvjetorit të 15 të Pavarësisë së Kosovës, asnjë shenjë dalluese e kësaj feste nuk shihet në rrugët e Prishtinës. Asnjë simbol shtetëror i Kosovës nuk është vendosur në sheshet e as rrugët kryesore të kryeqytetit. 

Nëse endesh në rrugët e Prishtinës të enjten e 16 shkurtit, nuk mund ta dallosh se një ditë më vonë është Dita e Pavarësisë. Dita e fundit para 17 shkurtit e ka gjetur Prishtinën të qetë, të papërgatitur për festë.

Para këtij përvjetori, në sheshet dhe rrugët e kryeqytetit nuk ka asnjë shenjë dalluese për festën e së nesërmes.

Të vetmit tek të cilët mund të vëresh përgatitje për Ditën e Pavarësisë, janë fëmijët e shkollave fillore të cilët “marshonin” në mënyrë të organizuar – dhe me flamuj shtetëror në duar – përmes shesheve të Prishtinës.

Mungesa e simboleve shtetërore mund ta ketë zbehur organizimin për Ditën e Pavarësisë në kryeqytetit, por Policia e Kosovës ka filluar përgatitjet për nesër.

Në pjesë të ndryshme të kryeqytetit janë parë njësi policore duke realizuar aktivitetet e parapara për Ditën e Pavarësisë. Ata po punonin për bllokimin e disa rrugëve varësisht nga nevoja për parakalimin e eskortave të mysafirëve që janë paraparë të vijnë në shënim të 15 vjetorit të Pavarësisë.

Vetëm disa ditë më parë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku shpallën 30 ditë festë për nderë të përvjetorit të 15-të të Pavarësisë.

“Këto 30 ditë aktivitete do të ketë homazhe, nderime, parakalim të forcave të sigurisë, do të ketë pritje të zyrtarëve dhe këto pritje janë të shpërndara përgjatë 30 ditëve”, tha ministri Çeku në fillim të kësaj jave.

Media ka kërkuar sot sqarime nga Komuna e Prishtinës për mungesën e organizimit të vërejtur në kryeqytet një ditë para përvjetorit të Pavarësisë, por deri në publikimin e artikullit mediumi nuk ka pranuar përgjigje.

Për 17 shkurt, institucionet qendrore kanë paraparë një sërë aktivitetesh që fillojnë në orën 10:00 me seancën solemne në Kuvendin e Republikës së Kosovës si dhe me seanca solemne nëpër kuvendet komunale.

Në orën 12:00, zhvillohet parada e FSK-së, në kazermën “Adem Jashari në Prishtinë, si dhe parakalimi i i Policisë dhe FSK-së, në sheshet e Prishtinës.

Gjatë gjithë ditës do të ketë aktivitete të tjera dhe ato përfundojnë më pritjen shtetërore të presidentes, Vjosa Osmani në orën 17:00. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat