Sveçla: Vlerësimet e mëparshme të pronave nuk janë bërë me çmimin e tregut

Prishtina

Sveçla: Vlerësimet e mëparshme të pronave nuk janë bërë me çmimin e tregut

Më: 25 janar 2023 Në ora: 00:37
Foto nga debati

Ngritja e çmimeve të tatimit në pronë ka qenë temë diskutimi në emisionin e sotëm “RTK Prime”, me përfaqësues të partive politike që janë pjesë e Asamblesë së Komunës së Prishtinës. Më herët gjatë ditës së sotme, Komuna e Prishtinës ka dalë me një sqarim sa i përket rritjes së çmimit të tatimit në pronë, duke thënë se çmimi nuk është rritur nga komuna por nga Ministria e Financave dhe Transfereve.

“Me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve rreth këtij procesi, ju informojmë se: Bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme “Autoriteti kompetent për zbatimin e procedurës së vlerësimit është Ministria e Financave e cila përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave. Vlerësimi i pronave të paluajtshme kryhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë Ligj dhe në aktin nënligjor që nxjerr Ministria e Financave për kategoritë e vlerave, metodat dhe modelet e vlerësimit”, thuhet në reagimin e Komunës.

Asamblistja e LDK-së, Jeta Rafuna, gjatë diskutimit në “RTK Prime” ka thënë se tatimi në pronë është ngritur nga Ministria e Financave.

“Ne në seancën e nëntorit e kemi pasur për diskutim dhe votim normat tatimore. Ne, si LDK e kemi kundërshtuar sepse kemi parë se normat tatimore kanë qenë të njëjta sikur vitin e kaluar, por vlerësimi i pronave është rritur gati 100 përqind. Ne kemi kërkuar që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës dhe të bëhet edhe një herë rivlerësim nga Ministria e Financave, por kjo nuk është marrë parasysh”, ka thënë Rafuna.

Ajo ka këmbëngulur se Komuna e Prishtinës nuk ka dorë në rritjen e vlerës së tatimit por Ministria e Financave dhe Transfereve.

Ndërkohë, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla ka thënë se në këtë rast nuk ka ndonjë fajtor.

“Shkaku është Ligji për Tatimin në Prona nr.06 L/005, i cili është votuar në vitin 2018. Ky ligj ka hyrë në fuqi në kohën kur LVV nuk ka qenë në pushtet. Si pjesë e këtij ligji është një udhëzim administrativ mbi metodologjinë e vlerësimit për qëllimet e tatimit në pronë dhe neni 10 i këtij udhëzimi thotë: Departmanti i Tatimit në Pronë kryen një vlerësim të përgjithshëm një herë në çdo tre vjet për prona. Në vitin 2022, ashtu siç e parasheh ligji është bërë vlerësimi i pronave në çdo komunë. Vlerësimi i pronave i vitit 2022 është bërë me çmimet e tregut. Çfarë ka ndodhur në këtë rast është vërtetuar dhe konstatuar se vlerësimet e mëparshme kanë qenë joreal me çmimet e tregut. Në këtë mënyrë Ministria e Financave, përkatësisht Departmanti i Tatimit në Pronë, duke u bazuar në ligj, ka bërë vlerësimin e pronave të cilat e kanë rritur bazën tatimore”, ka theksuar Sveçla.

Ai më pas ka marrë shembull se deri para vlerësimit të fundit metri katror në lagjen Dardania ka qenë i vlerësuar 300-400 euro, derisa në vlerësimin e fundit sipas tij është bërë çmimi real i tregut që është diku 1000 euro.

“Pra nuk ka ndodhur rritja 100 përqind, por është varësisht prej tregut dhe pronës. As nuk ka faj komuna, as nuk ka faj ministria, është një proces që rrjedh prej ligjit”, ka shtuar ai.

Vlerësimet e tyre mbi këtë çështje po i japin edhe asamblistët Leutrim Retkoceri nga PDK dhe Endrit Zabërgja nga Nisma.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat