Mareci, ndër fshatrat më të mëdha të Prishtinës, po braktiset

Prishtina

Mareci, ndër fshatrat më të mëdha të Prishtinës, po braktiset

Më: 21 gusht 2022 Në ora: 21:49
Foto ilustrim

Nga 300 shtëpi sa kishte dikur, tani aty janë të banueshme vetëm 17 prej tyre. Banorët ankohen për mungesë të transportit publik, derisa mburren me bukuritë e fshatit.

Banorët e fshatit që merren me bujqësi, blegtori e të tjera, ndërkohë që flasin me nostalgji për vitet e mëparshme, thonë se jeta në fshat ka ndryshuar shumë.

 “E vërteta është që Mareci nuk ka transport publik, nga fshati janë shpërngul një numër i madh i banorëve, po ka ende banorë që jetojnë këtu, ka fëmijë që udhëtojnë, punëtorë që shkojnë në punë, por kushtet janë shumë të vështira për të udhëtuar prej fshatit në qytet”, tha Zymer Haxholli, banor i fshatit.

Derisa njëri banor e ka braktisur shtëpinë kaherë në fshat, tjetri ka investuar përskaj në një shtëpi. Manush Gërbeshi i cili prej vitesh jeton në Gjermani, përshkruan me dashuri mallin për vendlindjen nga pika më e lartë e fshatit, nga e cila shihen bukuritë e Marecit dhe rrethinës.

 “E kam një dashuri shumë të veçantë për Marecin, mirëpo në krahasim me atë kohë kur kam emigru unë edhe në bazë të banorëve, është me të vërtetë një tragjedi e shoh unë, e kanë lëshu pothuajse mbi 90%. Këtë pjesë pleqtë tonë e quajshin 'Stamulli'. Është traditë 500- vjeçare dmth që ka met ky ven, gjoja se e sheh Stambollin. Ashtu e kanë përshkru pleqtë tonë. Është pika më e nalt, dikun 1212 metra, mos gabofsha, lartësi mbidetare, po edhe doken deri bjeshkët e Maqedonisë edhe Shqipërisë dhe është e veçanta se e ka një pamje 360 shkallë”, tha Manush Gërbeshi, mërgimtar.

Braktisja masive e fshatit vërehet edhe në shkollën fillore “Fan Noli”. Ish-nxënësi i saj, Nasuf Gërbeshi thotë se dikur shkolla kishte qindra nxënës.

 “Unë kur kam qenë në këtë shkollën fillore këtu 'Fan Noli' në Marec, përpara luftës ka pasë diku, përafërsisht, mbi 200 nxënës, tash për momentin janë vetëm 19. Numri i nxënësve që bie kaq dukshëm ka ndiku për arsye se kanë emigru njerëz nga fshati, sidomos në kohën e luftës dhe shumica prej tyre nuk janë kthy mo në fshat, pastaj kemi emigrimin e njerëzve nëpër shtetet e ndryshme të Evropës, botës etj”, shtoi Nasuf Gërbeshi.

Fshati Marec ka një sipërfaqe prej 112 mijë metra katrorë, që e bën ndër fshatrat më të mëdhenj të Prishtinës. Qysh prej përfundimit të luftës së fundit të vitit 1999, banorët e këtushëm ia vendosën emrin e ri- Merion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat