Vizat, prapavijë e kompromiseve të dhimbshme të dialogut me Serbinë

Politika

Vizat, prapavijë e kompromiseve të dhimbshme të dialogut me Serbinë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 19 korrik 2018 Në ora: 21:21
Krerët e shtetit në takim me Mogherinin

Komisioneri Dimitris Avramopoulos po planifikonte ta sillte personalisht në Prishtinë lajmin e mirë për vizat. Kryeparlamentari Kadri Veseli e kishte lajmëruar publikisht një adresim në Parlamentin e Kosovës pa ia përmendur emrin mysafirit nga Brukseli.

Por, delegacioni i Kosovës që udhëtoi në Bruksel e rezervuan për vete ekskluzivitetin për vizat duke udhëtuar në kryeqytetin evropian dhe duke realizuar takimin atje me komisarin Avramopoulos.

Këtë e komenton për “Bota sot” publicisti Gazmend Islami, i cili thotë se vetë fakti i shkuarjes së krerëve të shtetit në Bruksel, e cila bie ndesh me ligjet në fuqi të kushtetutës së Kosovës, tregon që krerët e shtetit po iu hedhin hi syve të qytetarëve të Kosovës.

Image
Gazmend Islami

“Vetë fakti i shkuarjes së krerëve të shtetit në Bruksel, e cila bie ndesh me ligjet në fuqi të kushtetutës së Kosovës, tregon që shteti i Kosovës gjysmakë, është vetëm një patericë e pushtetit të Serbisë, pra Kosova më shumë funksionin si një shtet që është i varur tërësisht nga Serbia. Shkuarja për të marrë lajmin për çështjen e liberalizimit të vizave, ku zyrtarët evropian kishin shprehur dëshirën për të ardhur në Kosovë që ta japin këtë lajm, tregon faktin se krerët e shtetit po iu hedhin hi syve të qytetarëve të Kosovës”, thotë ai.

Islami shton tutje se ata po tentojnë që të fshehin të gjithë prapavijën dhe të metat e dialogut me Serbinë që nga viti 2013 dhe nëse vazhdon ky trend,  çështja e liberalizimit të vizave do të jetë më shumë një çështje e vetëkënaqësisë së pushtetarëve të Kosovës.

“Ata po tentojnë që të fshehin të gjithë prapavijën dhe të metat e dialogut me Serbinë që nga viti 2013, të cilat në të ardhmen do të shihen se do të jenë tepër të dhimbshme dhe Kosova asnjëherë nuk do të jetë një shtet funksional. Në qoftë se vazhdojmë me këtë trend, çështja e liberalizimit të vizave do të jetë më shumë një çështje e vetëkënaqësisë së pushtetarëve të Kosovës, se sa një arritje e tyre, sepse humbja e territorit të Kosovës me 8200 hektarë tokë, tregon se Kosova po humb shumë për këtë liberalizim”, theksoi Islami për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat