Qytetarët duhet t’i vendosin vija të kuqe Thaçit dyfytyrësh

Politika

Qytetarët duhet t’i vendosin vija të kuqe Thaçit dyfytyrësh

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 14 korrik 2018 Në ora: 08:03
Hashim Thaçi

Pas Ferizajit, ia mësyu Kaçanikut, në turin e tij nëpër komuna të  Kosovës. Siç e ka zakon jep premtime dhe “dhuron” gënjeshtra, aq shumë gënjen sa që i harron ato, shpesh duke gënjyer nga dy herë, e shpesh duke ra në kontraditë me vetveten. Besoj se kuptohet se është fjala për presidentin e vendit, Hashim Thaçi. Po rikujtoj se para pak kohësh deklaroi se me Serbinë nuk ka vija të kuqe, ndërsa këtë  të enjte tha të kundërtën se “me Serbinë kemi vija të kuqe”. Kjo nuk është as hera e parë, dhe as e fundit besoj se Thaçi gënjen, kjo s’më habit fare, do të më habiste sikur mos të gënjente. Ky është karakteri dhe profili i tij prej mashtuesi dhe gënjeshtari. Përveç këtyre “ virtyteve”, Thaçi është edhe injorant, krejtësisht i paditur. Jam shumë i sigurtë se presidenti aktual i vendit nuk e di se çfarë pasqyron termi “ vijat e kuqe”, as kur përdoren dhe pse përdoren. Andaj i përmend kot, pa ia ditur kuptimin, e kjo vërtet është katandisje për pasqyrën që jep para botës, një shtet që synon të inkuadrohet në vlerat, familjen evropiane.

Faktikisht, presidenti aktual, nuk ka pasur asnjëherë plan dhe ide se si dhe deri ku duhet të bisedohet me Serbinë. Falë naivitetit të Hashimit, Beogradi ka arritur maksimumin e mundshëm. Dyfytyrësia e Thaçit daton qysh moti, menjëherë pas lufte akuzonte presidentin Rugova për “ përqafim me Millosheviçin”, derisa pas vdekje shkon e përulet  tek varri i tij, duke e vlerësuar për “ rolin e tij historik për pavarësinë e Kosovës”. Janë të panumërta rastet e dyfytyrësisë së tij, e të cilat nuk do të ndalen, derisa vazhdon të mbetet në pushtet. Duhet kujtuar gjithashtu se gjatë qeverisjes së tij në dy mandate, Kosova ka njohur degradimin më të madh në historinë të saj, me instalimin e një sistemi të korruptuar dhe kriminal. Ekonomia, shëndetësia, arsimi, shtyllat kryesore të shteti, pësuan degradim, pasojat e të cilave do të ndihen edhe pas 50 viteve. Edhe për liberalizim të vizave, Hashimi qysh në 2010 premtonte se “ brenda 13 muajve do të udhëtoni pa viza” diçka që nuk po ndodh as në 2018. Një shoqëri me vlera sado të pa këta duhet të ndihet e turpëruar që ka president të saj  një njeri të tillë.

Vija të kuqe duhet t’ia vendos populli i Kosovës këtij njeriu, që fatkeqësisht për ne, vazhdon të jetë president. Qytetarët e vendit duhet të zgjojnë nga vetja mos poshtërimin që ky njeri po ua bën me imazhin e tij prej gënjeshtari, dyfytyrësisë edhe mungesës së karakterit  prej lideri besnik. Për më tepër një njeri që akuzohet  për krime lufte, nuk përfaqëson aspiratat e një populli që synon të futet në BE, aty ku vlerat që kërkohen, nuk i posedon presidenti aktual i Kosovës. Në cilindo shtet të BE, me bëmat e tij, Thaçi do të ishte në burg, e jo president. Prandaj, shkuarja e tij në bisedimet përmbyllëse në Bruksel, shton drojën se Kosova do të pësojë dështim. E keqja jonë është brenda nesh, duhet ta luftojmë me tërë forcë, përndryshe rrezikojmë seriozisht të katandisemi edhe më keq. Qytetarët duhet t’i vendosin Thaçit vijat e kuqe, zullumi nuk durohet më shumë. Ky njeri s’ka të drejtë të thirret në emër të qytetarëve, pasi nuk është zgjedhur nga populli, gjithsesi qytetarët kanë forcë dhe duhet  që mos të lejojnë që një njeri pa dinjitet t’i  turprojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat