A mund të përmbyllet dialogu me njohje? - Bota Sot
A mund të përmbyllet dialogu me njohje?

Politika

E premte, 17 gusht 2018

A mund të përmbyllet dialogu me njohje?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 9 qershor 2018 Në ora: 13:26
Thaçi, Mogherini dhe Vuciq

Njohja e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran nga ana e Serbisë. Kështu  vazhdimisht thuhet se duhet të jetë përmbyllja e dialogut në mes të dyja shteteve.

Por, sa mund të ndodhë një gjë e tillë, kur dihen veprimet e deritanishme të shtetit serb ndaj Kosovës,  flasin analistët.

Kusht për Serbinë, njohja e Kosovës

Politologu i njohur, Ramush Tahiri, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, thotë se dialogu nuk ka si të përfundojë ndryshe, përveç se me njohje edhe pse një gjë e tillë nuk është pranuar asnjëherë nga shteti serb.

Image
Ramush Tahiri

“Nëse përmbyllet dialogu Kosovë-Serbi, është e kuptueshme se s’ka si të përfundojë ndryshe përveç me njohje të ndërsjellë të Republikës së Serbisë dhe të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës asnjëherë nuk është deklaruar se nuk do të njohë shtetin e Serbisë dhe nuk ka vënë asnjë kusht për këtë ndërsa Republika e Serbisë është deklaruar zyrtarisht se asnjëherë nuk do ta njohë Republikën e Kosovës si shtet duke e konsideruar shpalljen e pavarësisë si një akt të njëanshëm”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, në Bruksel, Serbia po dialogon që të faktorizojë veten dhe të tregojë se Kosova nuk di të zgjidhë çështje të ndryshme.

“Në Bruksel tash e disa vjet po zhvillohen bisedimet teknike ndërmjet Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe janë arritur mbi tridhjetë marrëveshje disa prej të cilave edhe janë duke u zbatuar. Serbia po dialogon në Bruksel për të faktorizuar e zyrtarizuar veten dhe prezencën e saj në Kosovë dhe për të treguar se Kosova nuk mundet t’i zgjidhë e vetme me dhjetëra çështje të rëndësishme për qytetarët e saj dhe në rregullimin e brendshëm dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare si në shërbime si është rasti i kodit telefonik ashtu edhe në anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, vlerëson politologu Tahiri.

Ndërsa, Kosova sipas tij, në bisedime është pasi është kusht i BE-së dhe nuk ka mënyrë tjetër për t’i zgjidhur çështje të ndryshme.

“Kosova po shkon ne bisedime sepse kjo është edhe kërkesë edhe kusht i Bashkimit Evropian për te si dhe se nuk po ka alternativë tjetër t’i zgjidhë shumë çështje të brendshme të saj si dhe për të administruar pjesë të mëdha të territorit të saj përkatësisht të komunave pa e pasur pëlqimin e Serbisë e cila e ka ndikimin dominant te qytetarët e këtyre komunave”, ka deklaruar ai.

Interesat serbe

Politologu thotë se Serbia mund ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi t’i realizojë interesat e veta.

“Serbia mundet që do të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të vë marrëdhënie diplomatike për tek pasi të marrë satisfaksionin, pra të realizojë interesat dhe ndikimin e saj të garantuar me marrëveshje”, përfundon ai.

Përmbyllja e dialogut

Image
Fadil Lepaja

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Fadil Lepaja, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se dialogu mund të përmbyllet me njohje por edhe pa të.

“Dialogu mund të përmbyllet me njohje, por edhe pa të. Marrëveshja mund të përmbajë një dakordim që serbët në Kosovë të fitojnë njëfarë statusi autonom, përmes asociacionit të tyre, duke krijuar edhe lidhje të veçanta me Serbinë. Ndërkohë Kosova do të pranohej në organizmat ndërkombëtarë, përfshi ato kontinentalë dhe globale”, është shprehur ai.

Ai thotë se Serbia duhet të heqë pengesat për Kosovën drejt Bashkimit Evropian.

“Serbia do të heqë vetëm pengesat e saj në rrugën drejt Evropës, e këtë duhet të bëjë edhe Kosova, pra, të bëjë atë që duhet të bëjë, përfshi këtu gjithçka që nuk bie ndesh me karakterin e pavarur dhe demokratik të shtetit dhe shoqërisë”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Konsensusi politik për dialogun

Image
Faik Krasniqi

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, duke folur për “Bota sot”, lidhur me këtë temë, vlerëson se duhet të ketë konsensus politik në lidhje me dialogun, pasi deri tani dialogu ka sjellë vetëm dështim për Kosovën.

“Dialogu me Serbinë është çështje e interesit kombëtar që kërkon konsensus të plotë politik. Vetëm një konsensus i plotë partive politike shqiptare, garanton që Kosova të nxjerrë maksimumin nga ky dialog. Por, bisedimet e deritanishme me Serbinë kanë sjellë dështim pas dështimi për Kosovën, si pasojë e menaxhimit dhe negocimit të keq të këtij dialogu, kryesisht nga Presidenti Thaçi”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, do të ketë njohje nga ana e Serbisë dhe ulëse në OKB, por që do të ndodhë në këmbim të autonomisë për serbët e veriut.

“Njohje nga Serbia do të ketë, gjithashtu edhe ulëse në OKB, por njohja dhe ulësja do të ndodh në këmbim të një autonomie për serbët e Veriut. Ky do të jetë epilogu i këtij dialogu. Prandaj, nuk bën t'i gëzohemi fare kësaj njohje nga Serbia, kur do ta humbasim atë pjesë të Kosovës”, ka përfunduar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test