Viktimat e SHISH-it dhe të SHIK-ut prehen në një parcelë

Politika

Viktimat e SHISH-it dhe të SHIK-ut prehen në një parcelë

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 15 maj 2018 Në ora: 19:20
Varrezat e Sharrës

Tirana jonë hyjnore ka dy palë varreza: Varrezat klasike të Sharrës, afro 8 kilometra larg qendrës, tej Kombinatit "Stalin" dhe Varrezat e Tufinës, relativisht, të reja, të bartura nga "Varri i Bamit", tanimë, hapësirë e mbuluar me ndërtesa shumëkatshe. Bulevardi i përmasave botërore, "Dëshmorët e Kombit", me tri sheshet, të emërtuara me emrat e personaliteteve më të shquara gjithëkombëtare: "Skënderbeu", "Zogu i Parë" dhe "Nënë Tereza", i bërë nga Italia pushtuese, në vitet `40-a, i ndanë banorët e Tiranës, për prehjen e tyre të përjetshme, në këto dy vend-varreza, lindje dhe perëndim.

Varrezat e Sharrës. Hyrja në varreza, normalisht, të ngjallë ndjesi të trishtme. Shuarja, amshimi është i pa alternativë. Këtu barazohen mbreti dhe bariu. Dy metra vend, pavarësisht stolive sipër kësaj mini-hapësire. Përgjatë rrugës hyrëse, në të dy anët e saj, janë punishtet për pllaka varresh, baraka lulesh dhe kurorash, me të cilat shqiptarët e Shqipërisë të Vjetër i nderojnë fort të vdekurit.

Në një parcelë, (kështu emërtohen ngastrat simetrike të grup-varrezave), pranë njëri-tjetrit, pushojnë trupat e viktimave të SHISH-it dhe të SHIK-ut, përkatësisht, të Sigurimeve kriminale të Shqipërisë dhe të Kosovës: tribuni i demokracisë shqiptare - Azem Hajdari, shoqëruesi i tij Besnik Çerja, ministri i mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi, shefi i logjistikës të luftës, luftëtari Ilir Konushevci. Një masë simbolike njerëzish të heshtur, si vetë varret: Familja e gjerë e Ilirit, nusja Luljeta, vajza Nertila. Të tjerët, kryesisht, miq, shokë dhe bashkëluftëtarë të Ilirit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat