“Ramushi sot e pranoi kapitullimin”

Politika

“Ramushi sot e pranoi kapitullimin”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 shkurt 2018 Në ora: 21:55
Ramush Haradinaj

Në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur dje, u zotua se nuk do t’iu dërgonte deputetëve marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, pa “Raportin e Bulliqit”, por nuk kaluan shumë orë Haradinaj ndryshoi qëndrim.

Përkundër, që dje kishte një qëndrim të prerë dhe të palëkundër, Haradinaj sot është “dorëzuar” duke pranuar kërkesën e LDK-së që të mërkurën në kuvend të jetë marrëveshja e demarkacionit e nënshkruar në vitin 2015.

Në konferencën e jashtëzakonshme të mbajtur sonte, Kryeministri ka njoftuar për marrëveshjen e arritur për votimin e demarkacionit, ku është pranuar kërkesa e LDK-së që raporti Bulliqi të mbetet vetëm si orientim për deputetët.

Haradinaj këtë kërkesë të LDK-së e konsideron si  të panevojshme, por siç thotë ai e kanë pranuar për t’i hapur rrugë votimit të marrëveshjes.

‘Është e panevojshme, por është kërkesë e LDK-së, kam rënë dakord, por ka qenë e panevojshme’’, ka thënë Haradinaj.

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi në 2015, Haradinaj në atë kohë në opozitë së bashku me partitë tjera, e kanë kundërshtuar “ashpër”, duke organizuar edhe protesta, duke hedhur gazlotsjellës në Kuvend, duke nënshkruar edhe peticione e deklarata kundërshtuese nga më të ndryshme dhe të gjitha këto sipas analistëve kanë qenë vetëm për të arritur deri tek pushteti.

Analisti Faton Mehmeti, ka thënë për “Bota sot” se Haradinaj sot e ka pranuar kapitullimin dhe kësisoj demarkacionin e ka përdorur vetëm për të ardhur në pushtet.

Mehmetit ka pohuar se, marrëveshja e demarkacionit e nxjerr “blof” kryeministrit dhe sipas tij, ai është politikan i dështuar.

Image
Faton Mehmeti

“Besoj se Ramushi është nën presionin e kohës, që i është dhënë nga SHBA për ta ratifikuar demarkacionin brenda shkurtit. Andaj është  i detyruar të pranojë çdo propozim të opozitës, prandaj edhe sot u dorëzua përballë kërkesësë së LDK-së. Megjithatë Ramushi njihet për mos disiplinim gjatë qeverisjes, duke dhënë deklarata nën efekt të momentit e për të cilat edhe ka kërkuar ndjesë e për disa jo. Ky është karakteri  i Ramushit, një ushtarak i zoti, por një politikan i dështuar. 3 vjet humbje kohe dhe prapë pranohet propozim i Murat Mehës, i cili ndonëse i falë tokë Malit të Zi, por që asgjë nuk ndryshoi. Ramushi, e ka përdorur demarkacion për të ardhur në pushtet. Ramushi, premtoj, nuk e bëri dështoi dhe sot e pranoi kapitullimin. Nuk ka pse krekoset kryeministri për marrëveshjen e sotme, e cila në fakt e nxjerr blof atë përballë çështjes së demarkacionit”, ka theksuar Mehmeti.

Marrëveshja e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi është nënshkruar më 26 gusht 2015 dhe është njëri ndër kushtet e BE-së për liberalizimin e vizave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat