Fati që po e pret Qeverinë e dirigjuar nga Beogradi

Politika

Fati që po e pret Qeverinë e dirigjuar nga Beogradi

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 11 shtator 2017 Në ora: 13:36
Qeveria PANA-Lista Serbe

“Nuk mund të kemi një qeveri stabile e me jetëgjatësi, kur brenda koalicionit qeverisës janë mbi njëzet parti politike, e  mbi të gjitha  në një sistem parlamentar kur vota e Listës serbe është determinues për Qeverinë Haradinaj, por edhe në proceset e rëndësishme dhe sfidat që e presin Republikën e Kosovës”, ka thënë Ahmeti.

Ramush Haradinaj, gjatë ditës së shtune u zgjedh kryeministër i ri i Republikës së Kosovës. Me 61 vota për, një abstenim dhe pa praninë e opozitës, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës. Por, seanca e së shtunës nisi me shumë vonesa, pasi që deputetët e Listës Serbe, nuk ndodheshin në Kuvend. Ata, gjatë ditës së shtune kishin qëndruar në Beograd, për konsultime me autoritetet shtetërore serbe rreth pjesëmarrjes apo jo në Qeverinë e re të Kosovës. Dhe përfundimisht, pas më shumë se 3 orë pritjesh, deputetët e kësaj Liste, kishin marrë mbështetjen e Beogradit dhe në orët e mbrëmjes, iu bashkuan pjesës tjetër të Kuvendit duke votuar dhe duke u bërë pjesë e Qeverisë së re të Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Qeveria është zgjedhur për mandatin e ardhshëm katër vjeçar, ndërsa i gjithë procesi i zgjedhjes është kritikuar ashpër nga opozita, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por, vetëm Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të jenë të vetmet ministri të cilat do të udhëhiqen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti e cila është e kryeministrit të ri të Kosovës, Ramush Hardinajt.

Sipas analistëve,  kjo Qeveri e cila është formuar të shtunën nuk do të ketë jetëgjatësi, pasi që do të  jetë një ndër qeverinë më të dobëta dhe do të ketë mandat të shkurtër.

Çudi në Kosovë, kryeministri nga një parti e vogël

Analisti politik, Blerim Burjani ka thënë se për “Bota sot” se nuk ndodh askund që kryeministri i vendit të  vijë nga një parti e vogël.

“Po kryeministri i AAK e ka pas çmimin e vet, pastaj përqindja e vogël e fituar në zgjedhje pra parti me vetëm 19% kjo nuk bënë vaki apo nuk ndodhe askund në praktikat ndërkombëtare që kryeministri me ardh nga një e parti e vogël”, ka thënë ai.

Image
Blerim Burjani

Por kjo ndodh për shkak të rrethanave politike, dhe sipas tij  AKR do të jetë përfituesi më i madh në PANA.

“Duke i`u falënderuar rrethanave të caktuara politike edhe kjo ndodhë që një shtet tonin të varfër, që s`ka as kush të merret me të se nuk kanë kapacitete profesionale fare me marr me shtetin, AKR e ka shantazhuar  PAN dhe ka marr ministri që fare as në ëndërr nuk kanë  mundur të i shohin, por falë  zhvillimeve AKR duket të jetë përfituesi i vetëm më i madhi në PANA dhe pa hajrë siç thonë në gjuhën popullore. Nuk do të i`a sheh hajrin qytetari me u shpreh në gjuhën popullore, por ky është realiteti i hidhur  në shtetin tonë të varfër dhe njëherë pa perspektive fare”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.

Qeveri me katër kryeministra

Kurse, analisti Faton Mehmeti thekson se Haradinaj do te jetë kryeministër i vetëm tre deputetëve të partisë së tij dhe se ne këtë Qeverisje do të jenë katër kryeministër ku secili do të kontrolloj partinë e tij.

“Haradinaj do të jetë kryeministër i një qeveri konglomeratesh,  pa parime dhe bindje por vetëm interesa dhe pazare. Faktikisht Ramushi do të jetë kryeministër vetëm për 3 deputet të partisë se tij, për të tjerët do të jetë vetëm spektator dhe do bëjë sehir. Faktikisht janë katër kryeministra aty,  secili do i kontrolloj të partisë së tij. Ramushi do të ketë vetëm emrin zyrtarisht si kryeministër, ndërsa e vërteta është se nuk është kryeministër i plotfuqishëm”, ka deklaruar ai.

Image
Faton Mehmeti

Më tutje, ai ka thënë se kjo qeveri do të shkaktoj valë të re të ikjeve të qytetarëve nga vendi dhe do të ngec asociacioni i komunave serbe.

“Nuk sens të mendosh se kjo qeveri do të përfundoj mandatin e saj katërvjeçar,  kjo qeveri do të jetë më e sfiduara, dhe më e panatyrshme që ka pasur ndonjëherë Kosova. Kjo qeverisje vetëm sa do e rrënoj edhe më shumë shpresën e qytetareve se këtu s`ka shpresë, dhe do shkaktoj edhe më shumë valë të të ikurve. Kjo qeveri do të ngec tek asociacioni, dhe besoj se kjo do të jetë arsyeja që pas 1 viti kjo qeveri të bien”, ka thënë ai për “Bota sot”.

“Maksimumi i jetë gjatësisë së saj do të jetë 1 vjet, më shumë fare. Ramushi do të dal më i laguri nga e gjithë kjo histori, edhe pse kryeministër por veç formalisht, ndërsa politikisht do i kushtoj shumë. Ka shumë shanse që karriera e tij politike të përfundoj me rënien e qeverisë”, është shprehur Mehmeti.

Qeveria më e dobët që nga paslufta

Ndërsa analisti politik, Hidajet Ahmeti është shprehur se Qeveria e Haradinajt do të jetë më e dobëta që nga pas lufta, ku sipas tij kjo qeveri do të jetë instrument i PDK-së dhe do të jetë në duart e Listës Serbe.

“Gjykoj se në historinë politike të mbas luftës,  Qeveria Haradinaj do të jetë ndër qeveritë me të dobëta, e mbi të gjitha një qeveri e cila do të dirigjohet nga Beogradi zyrtar. Në anën tjetër, Qeveria Haradinaj  e posaçërisht kryeministri Haradinaj do të jetë instrument i partisë-shtet PDK-së, pasi që më fuqinë politike që ka AAK-ja do të jetë e pamundur  që t’i ketë duart e lira në pretendimin e saj për një qeverisje të mirë e në dobi të trupit publik .Kurse në anën tjetër, agjendat e brendshme të ndërtimit dhe konsolidimit të substancës së Republikës  do të jenë në duar të Listës serbe e në këtë rast dorës së zgjatur të Beogradit zyrtar”, ka thënë Ahmeti për “Bota sot”.

Image
Hidajet Ahmeti

Po ashtu, ai ka thënë se  vota e Listës Serbe është determinues për Qeverinë Haradinaj dhe se nuk mund te ketë një qeveri me jetëgjatësi.

“Nuk mund të kemi një qeveri stabile e me jetëgjatësi, kur brenda koalicionit qeverisës janë mbi njëzet parti politike, e  mbi të gjitha  në një sistem parlamentar kur vota e Listës serbe është determinues për Qeverinë Haradinaj, por edhe në proceset e rëndësishme dhe sfidat që e presin Republikën e Kosovës”, ka shtuar ai.

Po ashtu, ai ka thënë se  sipas situatës politike në vend Haradinajt do të ketë të pamundur që të përfundoj mandatin qeverisës me një dhjetëra parti.

“Në këto rrethana te reja politike, Qeveria Haradinaj  do ta ketë të pamundur ta përfundoj mandatin qeverisës,  e që gjykoj se viti 2018 do të jetë vit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare. Rrethanat e reja politike të krijuara na japin një mesazh shumë të qartë, një qeveri me dhjetëra parti, një qeveri e dobët dhe jetëshkurtër, një qeveri e varur nga dora e zgjatur  e Begradit zyrtar, e mbi të gjitha një kryeministër i dirigjuar  nga brenda prej  partisë –shtet PDK-së, dhe  i dirigjuar nga jashtë prej Beogradit zyrtar”, është shprehur ai.

Në fund, Ahmeti ka thënë se me të gjitha këto atribute, Qeverinë  Haradinaj do ta pretë fati i rrëzimit, edhe ashtu kur dihet se do të kemi një opozitë shumë të fuqishme brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kujtojmë se ndër prioritetet e Qeverisë së re nënvizohen reformat nisur nga arsimi, shëndetësia, zhvillimi ekonomik, ulja e papunësisë dhe politikat ekonomike për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe joshjen e investimeve te huaja.

Kurse, nga çështjet politike, sfida mbeten problemet që kërkojnë zgjidhje, si dialogu me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pastaj proceset integruese dhe liberalizimi i vizave që duhet të kalojë përmes ratifikimit të demarkacionit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe sfida e përhershme e ndërtimit të shtetit ligjor dhe krijimit të kushteve për funksionimin e pavarur të Gjyqësorit.

Po ashtu, kjo Qeveri pritet të ballafaqohet edhe me fazën, që sipas shumë analistëve politikë, do të jetë më e vështira, atë të akuzave të para nga Gjykata Speciale ndaj-ish pjesëtarëve të UÇK-së për krime lufte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat