Ekspertët e ekonomisë flasin për premtimet dhe buxhetin 5 miliardësh nga Hoti, tregojnë si mund të arrihet kjo

Politika

Ekspertët e ekonomisë flasin për premtimet dhe buxhetin 5 miliardësh nga Hoti, tregojnë si mund të arrihet kjo

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 30 maj 2017 Në ora: 14:25
Kandidati për kryeministër i LDK-AKR-Alternativa, njëherësh ministri i Financave, Avdullah Hoti gjatë një vizite të bërë zejtarëve në Prishtinë

Papunësia e të rinjëve, si në raportet vendore ashtu edhe në ato ndërkombëtare është konsideruar si problem i theksuar në Kosovë.

Sipas të dhënave të ministrisë së Arsimit brenda vitit në Kosovë dalin nga universitetet publike dhe private të paktën 25 mijë të rinj të diplomuar. Shumë nga ata në mungesë të perspektives në Kosovë, synim kanë vendet e Evropës perëndimore.

Mirëpo,  kandidati për Kryeministër nga LDK- AKR- Alternativa, Avdullah Hoti është shprehur se plani i tij qeverisës parasheh që çdo i ri që përfundon fakultetin do të ketë mundësi që një vit pune t’i bëhet me pagesë. Hoti, poashtu ka premtuar edhe rritjen e buxhetit deri në 5 milirdë euro.

Ai ka shtuar se për dy vite ne kemi mbledh 400 milionë euro më shumë taksa, sepse me politikat tona kemi gjeneruar dy miliardë më shumë qarkullim tek bizneset dhe kemi hapur së paku 40 mijë vende të reja të punës.

“Tash po përgatitemi për një buxhet 3 miliardë euro dhe ju garantojë deri në fund të mandatit katërvjeçar buxheti do të mbërrijë në 5 miliardë euro dhe në këtë mënyrë do të kemi mundësi të financojmë të gjitha projektet e mundshme për rininë, fushën e arsimit, shëndetësi dhe fushat e tjera”, ka thënë Hoti.

Hoti ka potencuar se LDK-ja nuk e ka problem gjetjen e fondeve, sepse nëpërmes luftimit të krimit, korrupsioni dhe luftimit të evazionit fiskal ata kanë arritur shifrën dy miliardë euro në buxhet.

“Plani i jonë qeverisës ka top prioritet rininë dhe punësimin e saj. Për të gjithë të rinjtë që kryejnë fakultetin ne garantojmë një vit pune me pagesë. Më pas do të krijojmë fonde për t’i ndihmuar ata që të kyçen në tregun e punës ose do t’i ndihmojmë me fonde për krijimin e bizneseve të reja. “Në fund të mandatit të ri, buxheti do të arrijë në tre miliardë dhe kjo do të mundësojë financim të projekteve për punësimin e të rinjve ”, ka thënë Hoti.

Një premtim i tillë i Hotit sipas partive politike është vetëm si pasojë e fushatës elektorale, kurse ekspertët e ekonomisë kanë pohuar se punësimi i të rinjve do të mund të ndodh dhe është i domosdoshëm për Kosovën.

Image
Ibrahim Rexhepi

Premtim që mund të realizohet

Zyrtari i Aleancës Kosova e Re, si dhe njohësi i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, një premtim i tillë është shumë i kuptueshëm dhe duhet të insistohet që të realizohet.

“Së pari premtimi është shumë i kuptueshëm dhe fillon nga aspekti i energjikës së punësimit dhe është i domosdoshëm për ata që mbarojnë fakultetin. Po e shoh që në konkurset e kandidatëve kërkohet përvoja pune dhe ata kanë vështirë të emërohen apo të gjejnë vend pune sikur praktikant, prandaj një vit atyre iu duhet. Nuk e di sa do të ketë mundësi të gjejë vend implementimi i këtij ligji, por duhet të insistohet që t’i përmbahet kësaj ”, ka pohuar Rexhepi.

Edhe eksperti i ekonomisë, Ilir Fetahu ka mirëpritur një premtim të tillë, duke shtuar se ky premtim do të realizohet dhe është i domosdoshëm për Kosovën.

Image
Ilir Fetahu

Sipas Fetahut, kjo do të ndodh dhe nuk është ngarkesë për buxhetin e Kosovës, por në të mirë të Kosovës.

“Fushata për dallim nga herët e kaluara të cilët kanë premtuar dhe nuk i kanë mbajtur premtimet, tani do të jetë ndryshe.  Premtimet do të realizohen e sidomos fjalët e z. Avdullah Hoti, që sipas meje premtimet e tij, fjalët e tij nuk janë të drejtuar vetëm për fushatë, por do të ndodhin padyshim nëse ai do të bëhet Kryeministër. Absulotisht po,  ka mundësi të ndodh, dhe është diçka  e domosodoshme të ndodh edhe për shkak të natalitetit në Kosovë që veç është duke u rrezikuar në Kosovë, por gratë të cilat 12 muaj më vonë që paguhen 12 muaj do të paguhen përgjysmë për pagën që e marrin. Kjo nuk është ngarkesë për buxhetin e Kosovës por është diçka e domosdoshme, e mirë për Kosovën sepse lidhet drejtpërdrejt me shtimin e popullsisë”, ka pohuar Fetahu.

Image
Lekë Musa

Premtimet nuk kanë të ndalur

Mirëpo, eksperti i sigurisë Lekë Musa, punësimin një vjeçar të të rinjëve që mbarojnë fakultetin e sheh vetëm si një premtim, e që sipas tij premtimet nuk kanë të ndalur tani.

Sipas Lekës, qëllimi duhet të jetë stimulimi i studentëve ku ka kërkesë, e jo të subvencionojnë vetëm të diplomuarit të cilët do të jenë pa punë pas një viti.

“Po këto premtime tani nuk kanë të ndalur. Nëse kalkuloni e shihni se një kosto buxhetore e tillë e arrinë në 20 milionë në vit, shtrohet pyetja se ku e ka atë mundësi buxheti i Kosovës si dhe çfarë do të jenë efektet ekonomike të një standardi të tillë. Qëllimi është që të stimulojmë studentët në drejtime ku ka kërkesë e jo të subvencionojmë vetëm të diplomuarit të cilët do të jenë pa punë pas një viti”, ka thënë Musa për “Bota sot”.

Ndërsa, zyrtarët nga partitë politike Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni PDK- AAK- NISMA, premtimin e kandidatit për Kryeministër nga LDK- AKR- Alternativa, Avdullah Hoti, e shohin vetëm si premtim pa realizim,  pasi që nëse do të realizohej sipas tij do të duhej të bëhej në kohën kur  LDK-ja a ka qenë në qeverisje.

Image
Faton Topalli

Vetëvendosje: Premtim në kohë fushate

Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli është shprehur se nëse LDK-ja do të ishte në opozitë mund ta kishte besuar një premtim të tillë, mirëpo pasi LDK dhe PDK kanë  qenë në pushtet për tri vite dhe nuk i kanë realizuar premtimet e tyre, atëherë premtimi i Hotit është vetëm përrallë.

Topalli ka shtuar se LDK-ja ka premtuar edhe 120 mijë vende të lira pune, por nuk është realizuar një gjë e tillë.

 “Nëse do të ishin në opozitë deri më tani, do të kisha besuar që ndoshta do të mund të realizonte. Por, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka premtuar 120 mijë vende e reja të lira pune në kohën kur dhe ky Hoti ka qenë njeri kryesor për ekonomi dhe financa dhe nuk ka realizuar asnjë prej premtimeve të tij” ka potencuar Topalli.

Sipas Topallit, nëse shihen statistikat e ATK-së do të shihet se në vitin 2016- 2017 ka pasur më pak të punësuar.

“Po të shihen statistikat e ATK-së të vitit 2017, janar, shkurt, mars dhe t’i krahasoni ato me të vitit 2016 janar shkurt mars, do të shihet se janë paguar më pak mjete për pensione para një viti, kjo është një dëshmi që ka më pak  vende më pak të punësuar  gjatë kësaj periudhe se sa më herët, pavarësisht se këta thonë me numra po thonë që ka zhvillim ekonomik, në fushën e punësimt ka ngecje. Në fakt ka mundësi të ketë rritje që është punësuar një numër i njerëzve , por shumica e popullësisë janë popullësi e varfër. Këto që z.Hoti i ka premtuar janë vetëm përalla dhe qytetarët e Kosovës më nuk i besojnë për arsyet se Lidhja Demokratike e Kosovës së bashku me Partinë Demokratike të Kosovës kanë qenë për tri vite në pushtet dhe asnjëra palë nuk ka realizuar as premtimet e tjera të cilat i kanë pasur”, ka pohuar Topalli.

Sipas Topallit, janë punësuar njerëz, por ata janë militantët partiakë dhe njerëz të afërt të tyre.

Image
Avni Arifi

AAK: Premtim i parealizueshëm

Edhe Avni Arifi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është duke pohuar njëjtë sikurse Topalli.

Sipas Arifit, Hoti ka udhëhequr për tri vite, por nuk ka pasur asnjëherë iniciativa të tilla.

“Jo nuk mund të realizohet premtimi i Hotit për punësimin e të rinjve të cilët përfundojnë fakultetin, kjo gjë nuk ka lidhje me realitetin. Ky ka qe tri vite që ka udhëhequr me vendin, por kurrë iniciativa të tilla nuk ka pasur. Më 11 qershor të gjitha këto premtime do t’i harroj sikurse në 2014”, ka thënë Arifi për “Bota sot”.

Gjersa krimi, korrupsioni dhe nepotizmi ende mbesin dukuritë të cilët janë të pranishme në Kosovë, dhe pengojnë punësimin e njerëzve, njohësit e ekonomisë shprehen se Hoti duhet t’i luftojë këto dukuri nëse dëshiron që premtimi i tij të realizohet.

Ibrahim Rexhepi, eksperti i ekonomisë është shprehur se Hoti do të duhet të jetë më i ashpër në luftën kundër korrupsionit, krimit dhe pastaj shumë më lehtë do ta realizon premtimin e tij.

“Shpresoj që duhet të ndryshuar edhe qasja në aspektin e luftimit të krimit, korrupsionit, nepotizmit, mos respektimit të ligjit edhe të punësimit në mes formave lidhje familjare- korrupsion, sepse përndryshe nëse vazhdon afazi i  vjetër edhe ky qëllim është bukur i rëndë të implementohet. Për këtë arsye e them se Kryeministri i ardhshëm duhet të jetë në i ashpër në luftën kundër korrupsionit, krimit dhe pastaj shumë ma lehtë do të mund ta realizojë premtimin e tij”, ka thënë Rexhepi për “Bota sot”.

Një gjë të tillë, e ka pohuar edhe eksperti i ekonomisë Ilir Fetahu. Sipas Fetahut luftimi i krimit dhe korrupsionit duhet të jetë prioritet, sepse kështu mbushen arkat e buxhetit.

“Unë mendoj që krimi e korrupsioni në qeverinë e ardhshme do të jetë prioritet që do të luftohet dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit nënkupton mbushja e arkave të buxhetit. Fatkeqësisht sot shumë kompani që janë të lidhura më pushtetin i ikin formave të ndryshme të tatimeve, mendoj se kjo me qeverisjen e ardhshme do të ndëshkohet dhe arka e buxhetit do të mbushet”, ka përfunduar Fetahu.

Sipas rezultateve të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në vitin 2016 ishte 26.2 për qind, që krahasuar me vitin 2015 kishte shënuar rënie për rreth 6 për qind. Ndërsa, çdo vit, në tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare, hyjnë deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat