Veprimtari nga Amerika zbulon skenarin e Serbisë – tregon rrezikun brenda Kosovës!

Politika

Veprimtari nga Amerika zbulon skenarin e Serbisë – tregon rrezikun brenda Kosovës!

Nga: M.Haziri Më: 27 mars 2024 Në ora: 12:31
Pamje nga ushtria serbe afër kufirit me Kosovën

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ditë më parë ka bërë publike disa pamje ku shihen njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut

Kurti tha se lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se ’Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar’” – tha Kurti.

Kurti tha se janë duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa theksoi se edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur veprimtari nga Amerika, Ramazan Bekteshi.

Ai u shpreh se Serbia ka kohë që po pështillet rreth kufirit të Kosovës për të trimëruar grupet kriminale në veri të Kosovës.

Sipas tij, këtë ‘trimëri’ e shprehi edhe më 2 shtator mirëpo që forcat policore të Kosovës arritën të sjellin dështimin e tyre.

Image
Ramazan Bekteshi

Ka kohë që Serbia sillet e pështillet rreth kufirit të Kosovës dhe kjo nuk është vetëm për konsum të brendshëm të Serbisë, por për të trimëruar grupet kriminale në veri të Kosovës, si “Brigada e Veriut,” “Mbrojtja Civile,” “Lista Serbe,” “Rojat e Urës,” ”Grupi Mjekroshët,” “Lëvizja Zavetnici,” “Lëvizja për mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë,” “Pokret 1389,” e shumë të tjera në formim apo transformim konform situatës së krijuar.

Serbia vazhdimisht teston Kosovën por edhe bashkësinë ndërkombëtare. Shembulli më tipik ishte dhuna ndaj ushtarëve të NATO-s, dhe kur panë reagimin jo adekuat të KFOR-it për kontroll të turmave, huliganët e sjellë edhe nga Serbia vepruan në mënyrë barbare duke plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR-it. Reagimi ndërkombëtar ishte jo konsistent me situatën në teren, dhe ndodhi një e papritur tjetër, bashkësia ndërkombëtare sanksionoi Kosovën derisa aktet kriminale i kryente Serbia. Kështu, Serbia u trimërua dhe më 24 shtator ndodhi edhe agresioni paraushtarak i ideuar, përgatitur dhe ekzekutuar nga shteti serb, respektivisht kryetari serb, Vuçiq që fatmirësisht kolapsoi fal përkushtimit të FS policore të Kosovës”, u shpreh ai.

Bekteshi më tej thekson që ndaj kërcënimeve të Serbisë u treguan vigjilent kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani, por njëjtë nuk mund të themi për opozitën e vendit.

Derisa, këtyre kërcënimeve serioze dhe lëvizjeve ushtarake, Kryeministri dhe Presidentja vazhdimisht u janë përgjigjur dhe kanë qenë në ballë të detyrës duke e alarmuar bashkësinë ndërkombëtare, për këto lëvizje të vazhdueshme të ushtrisë dhe xhandarmerisë serbe. Këto kërcënime bashkësia ndërkombëtare i ka marrë seriozisht andaj dhe numri i ushtarëve të KFOR-it është shtuar.

Por, ironikisht opozita e Kosovës jo vetëm që i nënvleftësonte këto vërejtje, por edhe u jepte dimension të kundërte, se gjoja Kurti krijon krizë të paqenë lufte, që tu iki problemeve të brendshme. E vërteta është tjetër fare, sepse vigjilenca e Kurtit në veri e shtoi kontrollin, posaçërisht kur Lista serbe e lëshoi parlamentin dhe policët serb i dorëzuan uniformat, dhe kur policët shqiptar e morën misionin e tyre mbi supe me përkushtim, ndodhi ndryshimi i madh në veri si asnjëherë më parë”, shpjegon ai.

Veprimtari në bisedë e sipër thekson që Serbia nuk guxon të ndeshët me NATO-n mirëpo dëshirën për ta kontrolluar veriun do ta ketë gjithmonë.

Gjithashtu ai shton që serbët po fshihen pas shtetit rus.

Pra, nuk ka rrezik të konfrontimit serb me NATO-n sepse Serbia është e vetëdijshme se me një ndeshje ballë-për-ballë me KFOR-in Serbia do të ishte humbëse e madhe dhe ata e kanë mësuar këtë leksion më herët. Por me këtë regjim, Serbia kurrë s’do ta braktisë qëllimin e vet për të kontrolluar veriun qoftë përmes pa dëgjueshmërisë publike, injorimit të ligjeve kosovare, organizim sporadik të sulmeve ndaj policisë së Kosovës, djegie të pasurisë së serbëve që bashkëpunojnë me Prishtinën, si dhe përgatitje të mundshme për sulme ndaj pronës kishtare dhe deri te ajo më ekstremja, përsëritja e një Gorazhdeci të ri, me qëllim që shqiptarët të duken keq para bashkësisë ndërkombëtare derisa shtetin ta quajnë jofunksional. Pra, organizatat serbe që veprojnë në Kosovë fshihen pas shtetit rus e serb shpesh nën petkun fetar, humanitar e qytetar, si dhe të lirive e të drejtave njerëzore.

Pasi Serbia nuk do të eksperimentojë që të matet me NATO-n, ajo kurrë s’do të pushoj së vepruari nga brenda Kosovës me elementet që vazhdimisht i rekruton dhe i përgatit, ashtu si rasti i Banjskës, dhe po ashtu turbullirat e 24 marsit 2004, ku forcat e inteligjencës serbe ishin infiltruar në çdo cep të Kosovës për të ekzekutuar një rebelim dhe vandalizëm që i shkoi për shtati Serbisë. Që mos të ndodhin ngjarje të tilla të frikshme për demokracinë tonë të re, do të duhej që Intel-i kosovar me profesionalizmin e tyre t’i dekonspirojnë komplotet e mundshme që vijnë nga Serbia”, foli veprimtari.

Në fund, ai thekson që sulmi i mundshëm i radhës që mund t’i vij Kosovës mund të jetë nga brenda, nga organizatat e përmendura fort të rrezikshme, që Kurti me plotë të drejtë disa i ka shpallë terroriste.

“Grupet e Intel-it serb kurrë s’e kanë braktisë Kosovën, ata veprojnë në fshehësi të thellë me qëllim për të rekrutuar njerëz nga inteligjenca jonë, që të punojnë si agjentë të dyfishtë, si në media e në shumë fusha në të gjithë hapësirën mbarë shqiptare, pra, edhe në Shqipëri. Me profesionalizimin e AKI-së, rreziqet që vinë nga brenda do të eliminoheshin. Rreziqet që projektohen jashtë vendit do të tentohet të organizohen nga brenda me elementet e tyre që janë në lëvizje të përhershme me taktika konform situatës. Me vazhdimin e profesionalizimit të ushtrisë dhe policisë do të duhej t’i jepet Intel-it tonë përparësi në profesionalizim që të mos mbetet pas rivalëve serb.

Sulmi i mundshëm i radhës që mund t’i vij Kosovës mund të jetë nga brenda, nga organizatat e përmendura fort të rrezikshme, që Kurti me plot të drejtë disa i ka shpall terroriste, andaj faktori shqiptar, pozitë dhe opozitë duhet të jenë të vëmendshëm, bashkëpunues dhe të mos lejojnë befasi të reja që porositen nga Serbia. Garanci e vetme që mos të ndodhin të papritura është bashkëpunimi ngushtë i agjencive tona (INTEL) dhe kërkimi i pandalshëm për profesionalizëm të vazhdueshëm me ndihmën e aleatëve tanë”, përfundoi veprimtari nga Amerika, Ramazan Bekteshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat