Mungesa e njohjeve të reja, arsyet dhe pasojat/ Ku “çaloi” Kosova?

Politika

Mungesa e njohjeve të reja, arsyet dhe pasojat/ Ku “çaloi” Kosova?

Më: 25 gusht 2023 Në ora: 07:58
Foto ilustrim

Mungesa e bashkëpunimit me ndërkombëtarët, mos puna e institucioneve dhe dialogu Kosovë-Serbi, janë ndër arsyet kryesore të mos njohjeve të reja për Kosovën, thonë njohësit e rrethanave politike.

Sipas tyre, për njohje të reja duhet më shumë punë, lobim e bashkëpunim.

Ndërsa, theks të veçantë i japin edhe mosnjohjes së pesë shteteve të Bashkimit Evropian.

Ukaj: Fajtor mos-puna dhe mungesa e koordinimit

Analisti politik, Fidan Ukaj, vlerëson se si pasojë e mos punës së institucioneve dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, Kosova ka mungesë të njohjeve të reja.

Image
Fidan Ukaj

Sipas tij, këto janë arsyet kyçe të cilat e penalizojnë vendin, jo vetëm për njohje, por edhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Mungesa e njohjeve për Kosovën, sigurisht se vjen si pasojë e mos punës së institucioneve tona dhe mungesës së bashkëpunimit e koordinimit me parterët ndërkombëtarë, e sidomos me SHBA-të. Kjo gjë po e penalizon Kosovën dhe për pasojë nuk kemi pas njohje të reja apo edhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare”, deklaron ai.

Elezaj: përgjegjëse për ngecje të gjitha qeveritë

Ndërkaq analisti tjetër, Rexhep Elezaj, potencon se Kosova ka dështuar plotësisht në këtë drejtim. Sipas tij, pas 15 viteve të pavarësisë numri i shteteve që e kanë njohur shtetin e Kosovës, do duhej të ishte sot përtej 150 sosh.

Image
Rexhep Elezaj

“Pa dyshim, se mungesa e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovë, do duhej të ishte preokupim kryesor në fushën e marrëdhënieve të jashtme të Kosovës, së pari me 5 vendet e Evropës të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet dhe pastaj me vendet e botës, e cila, Kosova pra, ka dështuar plotësisht në këtë drejtim, dhe se kjo mungesë dhe ky stagnim disavjeçar i mosnjohjeve të reja është duke e dëmtuar tej mase përmbylljen ndërkombëtare të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran në arenën ndërkombëtare. Pse po vazhdon të ndodhë ky stagnim dhe kush janë shkaktarët e mungesës së njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës nga shtete tjera të botës, këtë çështje duhet analizuar mirë me qëllim që të thuhet e vërteta, se cilat kanë dhe janë shkaqet që ish qeveritë e mëparshme përfshirë dhe qeverinë aktuale, kanë dështuar gjatë viteve të kaluara në rritjen e numrit të njohjeve të reja për Kosovën, meqë si shteti më i ri në Ballkan dhe Evropë, i formuar me përkrahjen e fuqive më të mëdha në botë, SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca, Italia, Turqia, Kanada, si dhe i njohur nga të njëjtat dhe shumë shtete tjera (115) etj., normalisht se pas 15 viteve të pavarësisë numri i shteteve që e kanë njohur shtetin e Kosovës, do duhej të ishte sot përtej 150 sosh, numër ky i mjaftuar për t’u bërë anëtare e OKB-së”, deklaron ai.

Duke folur për shkaktarët e mosnjohjeve të reja në Kosovë, ai thekson se fajtorët dhe përgjegjësit kryesorë janë: ish kryeministri Isa Mustafa dhe Abdyllah Hoti, por dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, më pastaj, ish ministrat e jashtëm Behxhet Pacolli, Meliza Haradinaj-Stublla si dhe ministrja aktuale, Donika Gërvalla, si dhe ministrat e jashtëm në qeverinë “Thaçi-1/2.

“Pra, pse ky dështim kaq i madh i ka ndodhur Kosovës, sipas mendimit dhe bindjes time të thellë, fajtorët dhe përgjegjësit kryesorë janë; ish kryeministri Isa Mustafa dhe Abdyllah Hoti, por dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, më pastaj, ish ministrat e jashtëm Behxhet Pacolli, Meliza Haradinaj-Stublla si dhe ministrja aktuale, D. Gërvalla, pa e përjashtuar këtu fare përgjegjësinë e ish ministrave të jashtëm në qeverinë “Thaçi-1/2”, të cilët gjithë së bashku mbajnë përgjegjësi morale, politike dhe kombëtare për dështimin e plotë në planin dhe rritjen e numrit të njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës në periudhën 15 vjeçare. Pse është kështu ? Sepse, që të gjithë ish kryeministrat dhe ish ministrat e jashtëm të Kosovës në periudhën e kaluar 13 vjeçare, asnjëri nuk ka qenë diplomatë i karrierës, asnjëri nuk ka qenë ndonjëherë ambasadorë dhe as nuk kanë punuar kurrë në fushën e politikës së jashtme dhe diplomaci. Po ashtu, asnjëherë nuk ka marrë pjesë në Komisione të ndryshme ndërkombëtare, qoftë në cilësinë e ekspertëve, por as si përfaqësues shtetëror, dhe kështu me radhë, që nënkupton faktin, se të gjithë kanë qenë praktikantë në politikën e jashtme, pra krejtësisht të papërvojë në diplomaci si dhe mos njohës fare të rrjedhave politike dhe strategjive ushtarake të fuqive të mëdha në botë. Me një fjalë, kanë qenë njerëz të papërvojë në politikën e jashtme, që për pasojë, të njëjtit nuk e kanë ditur as germën e parë të alfabetit diplomatik në Evropë dhe botë, se si bëhet lobimi efektiv, me cilin fjalor duhet biseduar me shefat dhe kryeministrat e vendeve evropiane, për t’i bindur, së pari 5 shtetet anëtare të BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës, pastaj njëjtë me shtetet tjera në botë. Për shembull, në kohën e asnjërit nga ish kryeministrat dhe ministrat e jashtëm, Kosova nuk e ka pasur të formuar ndonjë Institut të posaçëm shtetëror ose Komision parlamentar, i cili punë dhe detyrë të vetme do e kishte pasur çështjen e lobimit, përgatitjen dhe shpërndarjen e materialeve gjegjëse mbi domosdoshmërinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës çdo shteti veç e veç, që kanë sado pak simpati dhe ndonjë interes në Kosovë. Pastaj vizitat zyrtare të anëtarëve të komisionit në fjalë në shtetet e caktuara në Azi, Afrikë, Amerikën latine, etj., për të kërkuar troç dhe bindshëm nga to që ta njohin Kosovën shtet të pavarur, etj., gjë të cilën nuk e ka bërë asnjë ministër apo grup lobuesish, asnjë ambasadorë i shtetit në MPJ-me, por as ndonjë kryetar partie, duke ia lënë çështjen e lobimit dhe kërkesën për njohje, ambasadorëve dhe konsujve të Kosovës në disa vende nëpër botë, të cilët njëjtë sikur ish ministrat, ishin të pa asnjë përvojë në shërbimin diplomatik, dhe të cilët në shtetet ku ishin dërguar nuk kishin kurrfarë ndikimi tek ministrat e jashtëm e vendeve nikoqire që t’i bindin ata që të flasin në emër të Kosovës, duke mos bërë kështu asnjë hap konkret në senzibilizimin e çështjes së njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës në Evropë dhe botë”, vlerëson ai.

Ai tutje shprehet i bindur se, çështja e rritjes së numrit të njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës, duhet të jetë mbi çdo detyrë tjetër, jo vetëm e MPJD-së.

“Prandaj, e them me bindje të plotë, se pa formimin e grupeve të specializuara për lobim dhe angazhim intensiv për t’i bindur shumë shtete në botë që ta njohin pavarësinë e Kosovës, gjendja e ngecjeve në këtë plan nuk do të ndryshojë fare, ngase çështja e rritjes së numrit të njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës, duhet të jetë mbi çdo detyrë tjetër, jo vetëm e MPJD-së, por mbi të gjitha e qeverive në tërësi, kuptohet secili në resorin e tij gjegjës si dhe me kompetencë ligjore, pa përjashtim”, deklaron ai.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, gati një dekadë pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

Gati gjysma e mbi 100 shteteve që e kanë njohur Kosovën, e kanë marrë këtë vendim në vitin e shpalljes së pavarësisë, më 2008.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovën nuk e njeh ende Serbia, e cila me Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë si pjesë të veten, e as Bosnje dhe Hercegovina.

Nga vendet e Bashkimit Evropian nuk e ka njohjen e Greqisë, Rumanisë, Spanjës, Sllovakisë dhe Qipros.

Njohja e fundit që ka marrë Kosova ka qenë nga shteti i Izraelit, në shkurt të vitit 2021.

Kjo njohje ka qenë pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e nënshkruar në Uashington, më 4 shtator, 2020, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Kosova, qysh në vitin 2011, është e angazhuar në një dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet në Kosovë thonë se procesi duhet të përfundojë me njohje reciproke, ndërsa Serbia, tash për tash, kundërshton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat