“Shqipëria dhe Serbia po punojnë bashkë si kurrë më parë”- A ishte ky një mesazh i tërthortë i Hill-it për Kosovën?

Politika

“Shqipëria dhe Serbia po punojnë bashkë si kurrë më parë”- A ishte ky një mesazh i tërthortë i Hill-it për Kosovën?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 maj 2023 Në ora: 15:43
Aleksandar Vuçiq dhe Edi Rama

Po ndodh një ndryshim historik, sepse Shqipëria dhe Serbia po punojnë së bashku si kurrë më parë, ka deklaruar ambasadori amerikan në Beograd, Chirstopher Hill, dy ditë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve lokale në Shqipëri.

Hill deklaroi se ka qenë së fundmi në Shqipëri dhe se ka dëgjuar nga një zyrtar i lartë se një nga gjërat më të mëdha që i ka ndodhur Shqipërisë ishte hapja e kufijve përmes nismës së Ballkanit të Hapur.

Sipas tij, çështja e afrimit të tregjeve ekonomike të rajonit është në shumë mënyra sfida kryesore e këtij shekulli, sepse në fund të shekullit të kaluar pati një distancim të shteteve të mëdha në Ballkan dhe se çështja kryesore për fillimin e këtij shekulli është përcaktimi i mënyrave se si shtetet e larguara u takuan përsëri brenda një tregu të vetëm ekonomik.

“Ne nuk duam që mosbesimi të jetë një faktor që do ta pengojë lehtësimin e tregtisë”, tha Hill në Konferencën Rajonale për Lehtësimin e Marrëdhënieve Tregtare të Vendeve të Ballkanit, organizuar nga USAID, Banka Botërore dhe Qeveria e Zvicrës.

Shqipëria në krye me kryeministrin Edi Rama është njohur për miqësinë me Serbinë në krye me presidentin Aleksandër Vuçiq, të cilët nëpër takime të ndryshme, ata shiheshin shumë të afërt me njëri- tjetrin, afërsi kjo që kundërshtohej shpesh si nga analistët politikë në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.

Burjani: Shqipëria e rezervuar për shkak se është anëtare e NATO-s

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se bashkëpunimin rajonal Rama e bën për t’i plotësuar kontraditat për të hyrë në BE.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, Rama ka zgjedhur një politikë interesante që ta përkrahë Kosovën, politikë kjo që i ndihmon Serbisë për të bërë lojëra.

Bashkëpunimi rajonal është fakt se është përmirësuar, por sikurse po riparohet historia Shqipëri- Serbi dhe këtë Edi Rama e bën për të plotësuar kontraditat për të hyrë në BE që është kapitulli i veçantë që flet për fqinjësi të mirë. Edi po punon për vete më shumë sesa për Serbinë, e Serbisë po i konvenon ndonjëherë mashtrimi i tij dhe përkrahja e Open Ballkan. Rama ka zgjedhur një politikë interesante që ta përkrahë Kosovën, por edhe ka mirëkuptim për Serbinë. Në një anë luan ndonjëherë rolin e as njëanësit në rajon, për shembull, nuk deklarohet shumë për dialogun Kosovë- Serbi, por edhe kur kërcënon Serbia për sulm ndaj Kosovës, Rama qëndron neutral dhe kjo gjë i konvenon Serbisë. Shqipëria është në NATO, edhe ta themi shkurt edhe Serbisë do t’i ndalet turri nëse diçka në Kosovë ndodh dhe e lë dhe nuk e përkrahë vetëm për interesin e anëtarësisë në NATO, pra si shtet i NATO-së nuk implikohet, rri anash dhe nuk e kërcënon Serbinë, gjë që kjo i ndihmon asaj të bëj lojëra tjera”, deklaron Burjani.

Fitoren e kryeministrit Edi Rama dhe partisë së tij në zgjedhjet lokale, ku fituan 56 bashki nga gjithsej 66, e ka uruar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Në urimin e tij, ai ka thënë se shpreson që se besimi i qytetarëve të shpërblehet me punë.

“Me këtë rast, uroj Kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, për fitoren në shumicën e bashkive në Republikën e Shqipërisë. Shpresoj që besimi i qytetarëve i dhënë në këto zgjedhje për kandidatët e tyre, t’u shpërblehet me punë, përmirësim të jetesës dhe realizim të premtimeve.”, shkroi i pari i PDK-së në Facebook.

Elezaj: Deklarata e z. Hill nënkupton se forcimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, mund ta fus Kosovën nën hijen e status-quos në raport me SHBA-të..!

Por, kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk e ka bërë një urim të tillë.

Në anën tjetër, analisti politik Rexhep Elezaj, duke komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, shprehet se ajo është porosi e qartë për qeverinë e Kosovës, apo presion politikë.

Image
Rexhep Elezaj

Sipas tij, deklarata e Hillit nuk është aspak e vërtetë.

“Deklarata e ambasadorit amerikan K. Hill në Beograd, përveç konotacionit diplomatik, ajo në vete përmban porosi të qartë për qeverinë e Kosovës, ose, thënë pak më ndryshe, është presion politik mbi Prishtinën zyrtare që ajo të bëjë koncesion lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe (AKS). Pra, që të jetë më fleksibile në dialog me Serbinë, përndryshe, gjithnjë sipas tij, forcimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, mund ta fus Kosovën nën hijen e status-quos në raport me SHBA-të..! Kështu e lexoj unë deklaratën e z. K. Hill, siç paska thënë, “se po ndodh një ndryshim historik dhe Shqipëria me Serbinë po punojnë bashkë si kurrë më parë”, gjë që kjo nuk është aspak e vërtetë, meqë, përpos në fushën e turizmit dhe tregtisë së jashtme këto dy vende nuk kanë ndonjë projekt të përbashkët investimi apo ekonomik, që të mund të thuhet, se po punojnë bashkë si kurrë më para”, pohon Elezaj.

Sipas tij, sado që mund të ketë ndonjë simpati ndaj popullit serb, populli shqiptar i Shqipërisë nuk mund t’i tradhtojë vëllezërit e tij në Kosovë, siç po vepron tradhtari dhe vasali i A. Vuçiqit, neo-komunisti Edvin K. Rama.

“Përjashto këtu nismën e A. Vuçiqit dhe të E. Ramës për formimin e “Ballkanit të hapur”, i cili edhe ashtu ka dështuar, për shkak se të njëjtit nuk i janë bashkuar edhe tri vendet tjera të Ballkanit perëndimor, prandaj marrëdhëniet Serbi-Shqipëri nuk mund të vlerësohen si më të mirat në histori, ngase ndryshimi historik në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi nuk mund të ndodhë kurrë, derisa regjimi racist i Beogradit të mos iu kërkojë falje shqiptarëve për krimet dhe gjenocidin e kryer ndaj 2 milion shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë, 1998/99. Këtë fakt e dinë mirë Tirana zyrtare, andaj sado që t’i duket z. Hill se këto dy shtete po punojnë bashkë si asnjëherë më parë, realiteti në teren është krejt ndryshe, por të cilin ai nuk e dinë, ngase populli shqiptar i Shqipërisë, sado që mund të ketë ndonjë simpati ndaj popullit serb, ai nuk mund t’i tradhton vëllezërit e tij në Kosovë, siç po vepron tradhtari dhe vasali i A. Vuçiqit, neo-komunisti Edvin K. Rama..!?”, thekson Elezaj.

Ai kërkon të mos merren seriozisht qëndrimet dhe deklarimet pro- serbe të ambasadorit Hill, gjersa shton se Kurti ka bërë mirë që nuk e ka uruar Ramën.

“Kështu që, nuk duhet marrë si shumë seriozisht qëndrimet dhe deklarimet pro-serbe të ambasadorit K. Hill, i cili që nga Konferenca e Rambujesë (1999) njihet me qëndrimet e tij pro-serbe dhe anti-kosovare, të cilat edhe i ka shfaqur hapur qëkur ka ardhur në postin e ambasadorit të SHBA-ve në Serbi ! Ndërsa, kur është fjala për zgjedhjet e fundit lokale në Shqipëri, të mbajtura të dielën e kaluar, me 14 maj, unë mendoj se ato nuk do të kenë kurrfarë ndikimi në Serbi, në kuptimin politik dhe as atë propagandistik, ani pse shumicën e bashkive i ka fituar (me vjedhje elektronike) partia në pushtet, pra PS, duke e forcuar kështu diktaturën, monizmin dhe despotizmin personal të Edi Ramës, i cili mjerisht ka dhjetë vite që e mbanë postin e kryeministrit të Shqipërisë londineze. Edi Rama, madje edhe para këtyre zgjedhjeve ka bashkëpunuar me siamezin e tij, A. Vuçiqin, në dëm të interesave të Kosovës, dhe kjo nuk përbën ndonjë risi për Kosovën dhe shqiptarët e saj. Për fat të keq, qëkur E. Rama është bërë kryeministër i Shqipërisë në vitin 2013, marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë e kanë marrë teposhtën, herë-herë në shkallë të “status-quos”, e herë tjetër të përcjella me kriza politike, sharje dhe fyerje ndaj politikanëve të Kosovës, madje deri në ofendime personale, siç ishte rasti në Berlin mes z. R. Haradinaj dhe E. Ramës, duke shkaktuar gjithnjë përçarje si dhe ngecje të bashkëpunimit midis dy shteteve tona, kryekëput për shkak të sjelljeve arrogante dhe deklaratave fyese të tij ndaj Kosovës dhe udhëheqësve të saj shtetëror..!? Andaj, lirisht mund të thuhet se mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive shqiptaro-shqiptare, të mbajtura disa herë në vitet e kaluara, nuk kanë dhënë pothuajse asnjë rezultat të mirë për Kosovën, meqë ato në fakt kanë qenë vetëm dekor politik i Edi Ramës, për gjoja dashamirësinë e tij ndaj Kosovës. Kështu që kryeministri i Kosovës, A. Kurti, ka bërë mirë që nuk ia ka uruar E. R. “fitoren” e zgjedhjeve lokale, ndaj uroj që mos ta ndryshon qëndrimin e tij të drejtë ndaj Tiranës zyrtare, sidomos kur bëhet fjalë për narko-kryeministrin e Shqipërisë, Edvin Kristaq Ramën..!?”, përfundon Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat