A po tenton të rikthehet ‘PRONTO’ në pushtet!? Analistët zbulojnë tentativat e ‘plogështa’ të Lushtakut e Grabovcit!

Politika

A po tenton të rikthehet ‘PRONTO’ në pushtet!? Analistët zbulojnë tentativat e ‘plogështa’ të Lushtakut e Grabovcit!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 janar 2023 Në ora: 08:21
Kadri Veseli - Hashim Thaçi - Adem Grabovci

Ditë më parë, nënkryetari i komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci dhe kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj u bënë bashkë në një odë të Kleçkës.

Pamje nga kjo ndejë, publikoi Sami Lushtaku në faqen e tij në rrjetin social Facebbok.

Ai shkroi se Kleçka është ndër vendet kryesore të bashkimit për liri.

“Toka e Kosovës është e larë me gjak përgjatë historisë. Në vendin tonë janë disa vende që në kohërat më të vështira kanë ditur që të bëjnë bashkë njerëz që shkruar epoka. Kleçka është ndër vendet kryesore të bashkimit për liri. Edhe sot, prej këtu, të bashkuar themi që liria ka emër, UÇK”, shkroi Lushtaku.

Ajo çfarë binte në sy, ishin sofrat e mbushura me raki, mish e gjëra të tjera.

Po ashtu, Limaj e Lushtaku u bën sërish bashkë dhe kaluan kohë më njëri-tjetrin.

Image
Sami Lushtaku dhe Fatmir Limaj

Kjo bëri të hidhen dyshime se ‘Klani Pronto”, në krye me Grabovcin e Lushtakun po tentojnë të rikthehen në PDK, me Limajn të cilin duket se dëshirojnë ta marrin me vete.

Sa ka mundësi që ‘PRONTO’ të kthehet në pushtet, folën analistët politikë për gazetën “Bota sot”.

Qarri: Qytetarët kurrë nuk do të lejojnë më rikthimin e PDK-së së inkriminuar dhe klanit PRONTO

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot” komentoi bashkimin e kastit të vjetër politik të PDK-së, me Sami Lushtakun, Adem Grabovcin e Fatmir Limajn e Nismës, ku ky i fundit po përflitet për një rikthim të mundshëm në Partinë Demokratike të Kosovës.

Fillimisht, analisti tha se partitë opozitare, po shpresojnë që të ketë zgjedhje të reja, gjë që nuk e përjashtoi, për faktin se kryeministri Kurti nuk do ta pranojë Asociacionin dhe kësisoj mund të ketë zgjedhje të reja.

“Për habi lideri i njërit prej grupacionit më minor politik si NISMA, Fatmir Limaj, që në zgjedhjet e fundit, ka rënë edhe nën pragun edhe ashtu minimal zgjedhor, në dy vjetorin e themelimit, është shprehur se partitë opozitare janë bashkuar dhe kanë themeluar një opozitë të "fortë", prandaj ëndërron se edhe zgjedhjet e ardhshme janë shumë afër.

Në fakt, zgjedhjet e ardhshme, realisht mund të jenë shumë afër dhe të ndodhin në çdo moment, jo për shkak të bashkimit të opozitës, sepse përkundër numrit të "madh" të subjekteve politike që e "përbëjnë", mbetet thellësisht më e vogël se pozita në pushtet, por zhvillimet me dialogun, veçanërisht mospranimi i kryeministrit Kurti për formimin e "Zajednicës" së nënshkruar nga partitë renegate opozitare PDK-LDK, të cilat asokohe ishin në pushtet, mund të bëjnë, që Qeveria për ta shpëtuar vendin nga bosnjëzimi, të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja”, deklaroi ai.

Image
Gani Qarri

Pavarësisht kësaj, Qarri ironizoi me Lushtakun, Grabovcin e Limajn, duke thënë se mund të rrinë edhe shumë kohë duke u argëtuar me mish e raki, por që populli nuk do t’i votojë më asnjëherë, pasi nuk ju beson më atyre.

“Mirëpo, ajo që paraprakisht dihet, qysh tani, është fakti se partitë e inkriminuara dhe politikbërësit e shantazhuar nga Serbia, që gjatë gjithë kohës, kanë qëndruar në pushtet, vetëm duke bërë pazare me tokat autoktone të shqiptarëve, sikur ato të ishin trashëgimi private e etërve të tyre dhe duke u falur mijëra hektarë vendeve hegjemoniste fqinje 2500 hektarë FYROM-it dhe 8300 hektarë tjerë shtetit xhuxh të Malit të Zi, duke njohur të kaluarën e tyre të dyshimtë dhe kriminale, as që kanë shpresë të rikthehen sërish në pushtet.

Prandaj politikanët e inkriminuar, si Sami Lushtaku, Adem Grabovci, Fatmir Limaj etj, mund të rrinë edhe shumë kohë duke u argëtuar me mish e raki dhe lojë "kapuçash" nëpër ndeja e bankete private, e këndojnë himne komike njëri tjetrit, por ata të cilët vodhën, plaçkitën e përvetësuan çdo gjë, duke u bërë brenda nate, milionerë të kundërligjshëm dhe në këmbim të kapjes së përkohshme të pushtetit, gjegjësisht karriges së kryeministrit kukull, si Haradinaj i katapultuar me manipulime në krye të qeverisë së PAN-it, i falën Kullën, Çakorrin e pjesë tjera të vlershme të Kosovës, pa i pasur kurrë hak as borxh, një shtetit fqinjë si Mali i Zi, nuk besojë se do ti marrin më votat e qytetarëve të Kosovës”, nënvizoi analisti.

Më tej, ai tha se votat që mori LVV-ja, mbi 50 për qind ishin edhe shprehje e protestës së votuesve, kundër keqqeverisjes së Thaçit, Veselit, Haradinajt, Isa Mustafës, Limajt dhe çlirimit të Kosovës prej tyre.

“Për aq më tepër, mbi 50 % të votave që i mori partia në pushtet, nuk ishin vetëm vota për ndryshime politike e ndërrim pushtetesh, por më tepër ishin shprehje e protestës së votuesve, kundër keqqeverisjes së Thaçit, Veselit, Haradinajt, Isa Mustafës, Limajt dhe çlirimit të Kosovës prej tyre, duke e ditur mirë që pikërisht këta janë pionët e shantazhuar nga Serbia, të cilët rrënuan të ardhmen e Kosovës, duke shitur tokat e saj dhe nënshkruar edhe marrëveshje të dëmshme si "Zajednica", si dhe duke miratuar atë me shumicën e deputetëve edhe në Kuvend, për bosnjëzimin, si hap paraprak i ndarjes dhe shuarjes së shtetësisë së Kosovës”, theksoi Qarri.

Në fund, analisti shtoi se kurrë nuk do të lejohet rikthimi i PDK-së së inkriminuar dhe klanit PRONTO, që me aferat e tyre kriminale e dëmtuan Kosovën për një dekadë me radhë.

“Kështu që votuesi dhe populli i Kosovës, si faktori primar që vendos se kush do të jetë në pushtet dhe qeverisë me vendin, i cili ka votuar për çlirimin e Kosovës nga Thaçi, Limaj, Haradinaj, Isa Mustafa etj, duke u dhënë goditjen përfundimtare të gjithë aventuristëve dhe autorëve të aferave kriminale e korruptive, të njohur për kurdisjen e tenderëve shumë milionësh, nepotizmin në punësime, qeverisjen e keqe, shitjen e tokave tona autoktone, marrëveshjet e dëmshme në kurriz të Kosovës dhe mënyrën arbitrare të sundimit, kurrë nuk do të lejojnë më rikthimin e PDK-së së inkriminuar dhe klanit PRONTO, që me aferat e tyre kriminale, i dhanë shijen më të keqe të mundshme, aventurës së sundimit banditesk mbi një dekadësh të Kosovës”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Mulliqi: Gardës së vjetër të PDK-së do t’u shkojnë huq përpjekjet për rikthim në pushtet

Kurse, analisti politik, Skënder Mulliqi kohën sa qeveriste “Klani Pronto” në Kosovë, e cilësoi si periudhën më të keqe në të cilën ka kaluar vendi ynë.

Krahas kësaj, ai përmendi disa nga dështimet, skandalet dhe humbjet më të madhe që i përjetoi dhe pësoi shoqëria jonë.

“Periudha kur klani PRONTO, siç po quhet në opinion qeverisi me Kosovën, ishte periudha më e keqe. Nuk u punua mirë në planin e brendshëm dhe as në planin e jashtëm politik. Lulëzoi krimi, korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi… U keqpërdor shumë pozita shoqërore dhe politike, në vend të zhvillimit dhe prosperitetit të Kosovës. Nga keqpërdorimet e vogla dhe të mëdha, u varfëruan skajshmërisht qytetarët. Pamë largime masive nga Kosova. Në fakt pamë eksodin e dytë më të madh të ikjes për në kufij në Hungari, ku patëm edhe viktima në njerëz. U mbush aparati shtetëror me militantë partiakë, me kualifikime dhe pa kualifikime. U stërmbush administrata shtetërore me njerëz të përzgjedhur nga ilakatë dhe familjarët. Mu nga këto keqpërdorime edhe ndodhi afera, e cila u quajt në opinion “Klani Pronto”. Edhe në planin e jashtëm nuk ishin hiq më të dobishëm. U dërguan diplomatë nëpër ambasada pa kritere që kërkon profesioni i diplomatit, ku patëm disa afera, të cilat e zvetënuan reputacionin e Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi analisti.

Image
Skender Mulliqi

Po ashtu, Mulliqi vlerësoi se PDK-ja me figura të vjetra dhe të recikluara nuk do të arrijë të vijë asnjëherë në pushtet.

Kjo, pasi qytetarët janë ngopur me figura të konsumuara, të cilat nuk kanë karrierë të lavdishme politike.

“Nga gabimet e mëdha që u bën me qeverisjen me vendin, edhe morën ndëshkimin e merituar me votën e lirë, dy vite më parë, kur PDK-ja e LDK-ja e humbën pushtetin, duke rënë në opozitë. Tash kur të mirat materiale ju hoqën nga duart të shprehem ashtu, nuk po e pranojnë faktin se duhet bërë opozitarizëm konstruktiv, në vend të destruktiviteteve. Këta për ditë hartojnë plane se si me rrëzu qeverinë Kurti 2, siç arritën ta rrëzojnë qeverinë Kurti 1. Paralajmërimi se Fatmir Limaj po takohet me ish liderët e PDK-së, janë takime të cilët zor se do të dhezin me ardh më në pushtet. Me figura të konsumuara dhe të ricikluara politike, janë ngopur qytetarët e Kosovës. Limaj, i cili me Nisma-ën, në zgjedhjet e fundit nacionale nuk e kaloi as pragun zgjedhor, nuk i ka mbetur gjë, veç se të kthehet në shtëpinë e vjetër të PDK-së. Kohët e fundit atë po e shohim në shumë debate televizive, ku po paraqitet me akuza ndaj pushtetit të Kurtit, më shumë pse vet nuk është aty”, theksoi ai.

Tutje, analisti potencoi se gardës së vjetër të PDK-së, do u shkojnë ‘huq’ këto përpjekje për të ardhur në pushtet.

Pasi, tani në krye të kësaj partie është një gjeneratë më e re politike, që e di se në rast se do të rikthehet në garë për pushtet duhet të bëjë reforma dhe jo të kthehet prapa në kohë.

“Unë mendoj se megjithatë do t’u shkojnë huq përpjekjet e gardës të vjetër, të kthehen, edhe për faktin se në krye të PDK-së megjithatë kemi një gjeneratë më të re politike, e cila duhet nëse dëshiron të mbetet në skenën politike, të bëjë reforma të mëdha, me njerëz parimor, e jo ti merr në konsiderim figurat e ricikluara politike. Me qëndrime të tilla çfarë po ndeshet opinioni i gjerë publik, PDK-ja si partia më e madhe opozitare, nuk ka mundësi edhe shumë kohë, të kthehet në pushtet. Kjo opozitë me qëndrimin e saj, vetëm sa po e forcon pushtetin. Kosovës i duhet progresi, zhvillimi shoqëror dhe politik, forcimi institucional, e jo prodhimi i vazhdueshëm i krizave siç pamë për shumë vite”, shpjegoi Mulliqi.

Në fund, ai shtoi se vendi ka nevojë për forca të reja politike, të cilat janë kreative dhe e ndihmojnë Kosovën në proceset, në të cilat kanë ngecur tash e sa kohë.

“Vendit i nevojiten forca të reja dhe kreative politike, që proceset e stagnuara t’i dërgojnë përpara. Po ashtu, vendit i duhen njerëzit e ri, me moral të lartë politik dhe ndërgjegje të pastër për shtet ndërtim dhe mirëqenie. Vendit u duhen njerëzit që e heqin Kosovën nga izolimi, duke e inkuadruar atë, në strukturat relevante të BE-së. Për 20 vite u manipulua opinioni me data për liberalizim të vizave e nuk patëm. U nënshkruan marrëveshje të dëmshme, si demarkacioni me Mal të Zi, dhe asociacioni me kompetenca ekzekutive, i cili na ka mbetur tash si ‘mollë sherri’. Tashmë kemi një vetëdijesim më të madh qytetarë, që vota nuk do t’i jepet askujt më bllanko. Secilin që nuk punon mirë për qytetarë dhe për shtet, do ta pret ndëshkimi i votës së lire”, përmbylli Skëndër Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat