Nezir Kraki, kosovari që do të këshillojë Ministrinë e Punëve të jashtme të Shqipërisë

Lajme

Nezir Kraki, kosovari që do të këshillojë Ministrinë e Punëve të jashtme të Shqipërisë

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 17:52

Është vështirë të gjendet një emër i cili qysh nga fillimi i politikës në demokracinë e Shqipërisë, ka shkuar nga Kosova të këshillojë një ministër apo kryeministër shqiptar.
Këtë mit e theu Edi Rama me marrjen e Shkëlzen Maliqit si këshilltar rajoni por ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, si duket i mori lakmi.

Ditmir Bushati nga ky korrik, mund të llogarisë në shërbimet e Nezir Krakit i cili tashmë është angazhuar si Këshilltar i Lartë për politikën e jashtme rajonale pranë Qendrës së Ekselencës që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Kraki, i kontaktuar nga Indeksonline tha se përmes Qendrës së Ekselencës do të jetë në shërbim të Ministrisë së jashtme shqiptare dhe ministrit Bushati në rrugën e rdinamizimit të faktorit shqiptar në rajon dhe sjelljes në qendër të vëmendjes të prioriteteve strategjike të dobishme jo vetëm për shqiptarët por edhe për popujt tjerë të rajonit.

“Duke qenë se jam rritur dhe edukuar në frymën e kontributit për çështjet kombëtare, për mua është krejt e natyrshme që njohuritë e mbledhura gjatë viteve të shkollimit dhe përvojave të ndryshme që i kam deri tash, t’i vë në shërbim të përmirësimit të gjendjes shqiptare në Ballkan. Ministria e punëve të jashtme e Shqipërisë është në një dinamikë te re të rifaktorizimit shqiptar në rajon. Jam i lumtur që përmes Qendrës së Ekselencës i bashkohem pikërisht kësaj dinamike. Kontributi dhe përpjekjet e mia me analiza dhe këshilla do përqendrohen kryesisht në temat që lidhen me çështjet shqiptare në rajon dhe ndërlidhshmërinë e interesave të përbashkëta që na janë bërë të domosdoshme. Partneriteti strategjik Kosovë - Shqipëri, Mbrojtja dhe afirmimi i të drejtave të shqiptarëve në shtetet ku jetojnë, Faktorët politikë shqiptarë në rajon, janë vetëm disa nga temat”, tha Kraki.

Nezir Kraki është një kosovar nga Juniku i cili ka tetë vite që jeton në Paris ku kishte shkuar për studime Master dhe Doktoratë. Në Paris ka përfunduar masterin në shkenca politike (Kulturat politike të krahasuara) dhe aktualisht është në prag të mbrojtjes së doktoratës në shkenca politike në Universitetin Paris Est.

Në të njëjtën kohë ai punon si ligjërues dhe drejtor programi në një shkollë të lartë private në Lille të Francës dhe është përgjegjës për Francën i programit prestigjioz të Universitetit Stanford, Stanford Advanced Project Management, të cilin është duke e kryer edhe vet.

Në vitin 2013 Nezir Kraki ishte në Kosovë i angazhuar si ligjërues dhe koordinator programi në Institutin KIPRED të Prishtinës ku ka ligjeruar Mendim Kritik dhe Metodat e hulumtimit. Në vitin 2011 ishte ligjërues i ftuar i Wus Brain Gain Kosovo në departamentin e shkencave politike të UP-së në asistim të profesor Arben Hajrullahut në lëndët Politika botërore dhe Metodat e hulumtimit.

Për më shumë detaje, Kraki ka publikuar një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Si duket Qeveria Rama, ka lëshuar “radarët” e saj për shqiptarët anembanë botës të cilët janë të suksesshëm në rrugën e tyre për t’i marrë në gjirin e kësaj qeverie, se a po ndodhë kështu me Kosovën, mund ta gjykoni vet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat