A rrezikohet Kosova nga ISIS-i?

Lajme

A rrezikohet Kosova nga ISIS-i?

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 00:46

Në emisionin Zona e Debatit, në Klan Kosova, është debatuar për arsyet e shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në ISIS, pse kërcënoi ISIS Kosovën, dhe si mund të pengohet veprimtaria e këtij grupi në vend.
Të ftuar në studion e Baton Haxhiut ishin: Vedat Sahiti nga Bashkësia Islame e Kosovës; Musli Vërbani - imam i cili kundërshton ideologjinë e ISIS-it; Enis Rama - imam, Skendër Perteshi - hulumtues nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë; Arian Xhezairi - studiues i shkencave sociale; si dhe Haxhi Shala - deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i komisionit për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Perteshi ka folur rreth organizimit të Shtetit Islamik duke thënë se kjo organizatë po e kërcënon botën. Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak se nuk janë luftuar ideologjitë e rrezikshme.

“Sot kemi shumë organizata terroriste të cilat e cenojnë rendin global. Kjo ka ndodhur për shkak se bota nuk i ka luftuar ideologjitë që nxisin veprime të tilla. Nuk duhet të merremi me pasoja, por me luftimin e shkaktarëve”, ka thënë Perteshei, duke shtuar se ishin organizatat humanitare islamike të pasluftës në Kosovë, ato që kanë sjellë shkolla të reja islamike - ndryshe nga ajo tradicionale që e kishte Kosova.

Me mendimin e tij është pajtuar edhe deputeti Haxhi Shala, i cili ka thënë se përgjegjësia e shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat e ISIS bie mbi shtetin e Kosovës dhe faktorin ndërkombëtar.

“Për ta qartësuar prejardhjen e kësaj ideologjie në Kosovë duhet të kthehemi në vitet e 90-ta, kur islami ishte tradicional falë hoxhallarëve të cilët kanë punuar ndershëm për qytetarët kosovarë. Fajtore për këtë situatë në të cilën jemi sot është Kosova, por gjithashtu edhe bashkësia ndërkombëtare, për shkak se pas përfundimit të luftës kanë lejuar që në Kosovë të operojnë organizata të ndryshme joqeveritare që për qëllim kishin ndihmën, por në të njëjtën kohë kanë ligjëruar edhe për fenë islame”, ka thënë Shala. “Ligjëratat i kanë zhvilluar lloj-lloj njerëzish për të cilët nuk e dimë nëse kanë pasur shkollimin e duhur teologjik”.

Ndërsa, sa u përket kërcënimeve të fundit në një dokumentar të realizuar nga ISIS, në të cilin i drejtohen edhe Kosovës, Arian Xhezairi ka thënë se nuk duhet panikuar rreth tyre.

“Gjatë këtyre viteve ISIS-i ka përmendur se do ta sulmojë Iranin, SHBA-të e tani edhe Kosovën, por nuk e ka bërë. Duhet të jemi më të relaksuar karshi tyre. Nuk ka shumë arsye për frikë”, ka thënë ai.

Ndërsa, imami Enis Rama, i cili ishte arrestuar nën dyshimin se ka përhapur ideologji radikale, i ka mohuar këto akuza.

“Para se të institucionalizohej ISIS unë i kam bërë thirrje rinisë përmes ligjëratave që pjesëmarrja në të është diçka negative. Nuk e kam parashikuar një përhapje kaq të madhe të tyre, por ata qysh në fillim vëreheshin për qëllimet që kanë”, ka thënë Rama.

Musli Verbani ka thënë se qytetarët e Kosovës janë të rrezikuar nga ISIS-i, se ata funksionojnë në mënyrë hierarkike dhe se janë të përgatitur mjaft mirë.

“Çdo qytetar i Kosovës është i rrezikuar nga rrymat radikale. Jemi të rrezikuar në të gjitha format. Rrezikimi fizik është forma e fundit. Jemi të rrezikuar nga forma tjera, siç është ngushtimi i hapësirës për të shpjeguar lirshëm për fenë islame. Kërcënimet nga ISIS-i vijnë pasi të bëhen përgatitje. Ata funksionojnë në mënyrë hierarkike, por do të vijë koha kur në Kosovë do të funksionojnë në mënyrë radikale”, ka thënë Verbani.

Vedat Sahiti, nga BIK, ka theksuar se është dukuri negative që qytetarëve të Kosovës kanë marrë rrugën për Siri dhe se ISIS nuk ka një qëllim për të cilin lufton.

“Është fatkeqësi e madhe që vëllezërit tanë kanë marrë rrugën për ISIS, atë rrugë e cila nuk ka kthim. Kjo luftë është e pakuptimtë për shkak se nuk dihet se kush kë po e lufton, për kë po luftohet dhe nga kush duhet të ruhemi. ISIS po bën luftë pa kauzë”, u shpreh Sahiti, duke shtuar se janë zonat rurale ato që janë më të prekura nga kjo ideologji. “Prejardhja nga vende rurale dhe më të izoluara është njëri ndër faktorët që ndikon në një individ që t’i bashkohet kësaj ideologjie”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat