Tirana përulet me respekt para komandantit Adem Jashari

Lajme

Tirana përulet me respekt para komandantit Adem Jashari

Më: 5 mars 2015 Në ora: 15:17

Jo vetëm Prishtina por edhe Tirana ka përkujtuar sot epopenë e lavdishme të Jasharajve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i PD-së, Lulzim Basha, anëtarë të Këshillit Bashkiak, përfaqësues të ambasadës së Kosovës, veteranë të UÇK-së kanë vendosur sot kurora me lule dhe janë përulur me nderim dhe respekt përpara shtatores së komandantit legjendar, Adem Jashari.

“Nderim përjetë familjes Jashari dhe bijve e bijave që dhanë jetën dhe vunë gjakun e tyre në themelet e lirisë së Kosovës!”, tha kryetari Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.

Basha: Nderim përjetë familjes Jashari

“Në këtë 5 mars rikujtojmë epopenë e Jasharëve, të udhëhequr nga komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. E përjetshme, është zulma dhe lavdia e Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, familjes Jasharit. Nderim përjetë komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nderim përjetë Jasharëve, nderim përjetë bijve dhe bijave të Kosovës, bijve dhe bijave të kombit shqiptar që dhënë jetën dhe vunë gjakun e tyre në altarin e lirisë kombëtare në themelet e lirisë së Kosovës së lirë e të pavarur! Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti i bekoftë shqiptarët!” - deklaroi z. Basha pas homazheve përpara shtatores se Adem Jasharit.

Në 5 mars të vitit 1998, familja Jashari u rrethua me mijëra trupa dhe artileri të rëndë serbe. Qëndresa e Jasharajve me në krye komandantin legjendar Adem Jashari zgjati tri ditë e tri netë. 13 anëtarët e familjes Jashari humbën jetën, së bashku me komandantin legjendar Adem Jashari. /Kosovapress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat