Plani III i Ramiz Kelmendit: T’ia nisim punës

Lajme

Plani III i Ramiz Kelmendit: T’ia nisim punës

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 14:45

Biznesmeni i suksesshëm kosovar, Ramiz Kelmendi - njëkohësisht deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës - thotë për Telegrafin se pas trajtimit të çështjes së legjislacionit lehtësues fiskal, si dhe metodave e mënyrës së mbështetjes për modelin financues, vend të rëndësisë së tretë zë ambienti - duke filluar nga ai lokal - për të bërë biznes.
Sipas tij, çdo strukturë qeverisëse lokale duhet të ndërtojë planin strategjik të hapësirave të të bërit biznes, duke pasur modelet e qyteteve të zhvilluara, duke ia përshtatur të njëjtin ambienteve të qyteteve të veta.

“Për shumë arsye, ambienti punues duhet të jetë pranë qytetit. Së pari, shpenzimet e udhëtimit të jenë të lira, pastaj hapësira punuese të jetë në rrugën kryesore që shpie nga kryeqyteti. Kjo sepse kemi të bëjmë më marketing vizual dhe të gjithë vizitorët dhe qytetarët që e shohin ambientin punues motivohen për të punuar në atë vend. Pastaj, edhe në këtë ambient punues bëhet një lloj gare e brendshme për pamjen e objekteve, për hapësirat gjelbëruese. Por, kujdesi për fuqi punëtore duhet të jetë qenësor. Këto ambiente duhet të jepen për 99 vjet dhe sipërfaqet të jenë të përshtatura për zgjedhjen e çështjeve që mund të vijnë nga zhvillimi dhe mundësia e zgjerimit”, ka vlerësuar Kelmendi.

Ai ka thënë se nga kjo del se strukturat lokale qeverisëse duhet të kenë një platformë të mirë për ofertimin e investitorëve të mundshëm - të brendshëm dhe të jashtëm - duke u larguar nga bindjet politike apo pritjet e kota që në këtë qytet të kenë investitorë të brendshëm nga spektri i njëjtë politik apo që investitorët e jashtëm të sillen nga po i njëjti spektër politik.

“Këto qëndrime të dëmshme politike e sjellin qytetin e tyre në kolaps zhvillimor, e proporcionalisht edhe shtetin e Kosovës. Prandaj, sa më shpejtë që këto struktura largohen nga këto ide, aq më shpejtë kemi zhvillim ekonomik të qytetit. Është e dëmshme të pritet që ndonjë investitor i jashtëm do të punësojë qytetarë në masë, qofshin ato kompanitë më të njohura botërore. Sepse, tregu i Kosovës është i vogël dhe është treg që rrethohet me shtete jomiqësore - politike dhe ekonomike. Prandaj, e kam cekur se prodhimtaria e lidhur për eksport në BE - duke e ditur se 85 për qind të të punësuarve e bëjnë bizneset vendase, në ekonomitë e vogla dhe të mesme - nga strukturat qeverisëse komunale duhet të përshtatet duke ditur se në qytetin e tyre do vijnë edhe ata që e punësojnë veten dhe punonjësit. Ky rast duhet të trajtohet që këto struktura të jenë të hapura e mikpritëse për çdo investitor”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, strukturat komunale duhet të kenë njohuri të shumta për atë çka ofron qyteti i tyre: çfarë infrastrukture njerëzore ka dhe çfarë llojesh profesionalizmi kanë; të ardhurat mesatare që sillen për çdo lloj veprimtarie ekonomike, si dhe të dihen informatat mbi veprimtaritë ekonomike që operojnë në qytetin e tyre.

“Vend të veçantë duhet të zënë edhe vizitat tek këto veprimtari ekonomike dhe bashkëbisedim me ta për lehtësimin e ndonjë kërkese që pengon zgjerimin e tyre. Ndërsa, duhet të kenë kujdes që ndërrimet e qeverive lokale nuk e kanë për qellim dëmtimin e interesave të veprimtarive ekonomike, ku pronarët janë të organizuar politikisht ndryshe. Për atë, të gjitha këto gjëra të cekura janë bazë e ofertës që qeverisja lokale të jetë e përgatitur të ofrojë për investitorët e mundshëm gjatë qeverisjes së ardhshme katërvjeçare”, ka përfunduar Ramiz Kelmendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat