Instikti i superioritetit - Bota Sot
Instikti i superioritetit

Kultura

E martë, 17 korrik 2018

Instikti i superioritetit

Nga: Remzi Limani Më: 12 korrik 2018 Në ora: 11:19
Remzi Limani

Mendimi superlativ për vetveten i mbështjellë me megalomani, adhurimi dhe gritja e kultit ndaj personalitetit vetjak të tipit egocentrik, s`është asgjë tjetër përveçse sëmundje mendore – që e bën individin ta konsideroj vetveten qendër të gjithçkaje. Ky mendim destruktiv i dëmshëm për të dhe gjithë shoqërinë vjen si pasojë e egoizmit dhe vetadhurimit. Pra, vetadhurimi i sëmurë që nxjerrë në pah vetëkënaqësinë e individit flet qartazi për individin pushtetar dhe politikën e tij si pjesë e superstrukturës shoqërore, që në fakt pasqyron paaftësinë e tij për t`u lidhur me botën që e rrethon. Në këto rrethana me frymë prej mendjetrashëve dhe bindja e tyre se janë të vetmit që mund ta drejtojnë botën dhe se të gjithë të tjerët duhet të sillen rreth tyre, është çmim i lartë të cilin duhet ta paguaj shoqëria për pasojat e shkaktuara nga individi shkurtpamës. Individët e tillë duhet ta kuptojnë sa më parë se: bota është e madhe dhe brenda saj frymojnë miliarda njerëz, karshi të cilëve mund të dukemi askushi në raport me vlerat njerëzore dhe ato intelektuale. Në këtë kuptim, sa më parë që ta njohin vetveten e tonë, aq më shpejt do të na njohin të tjerët së bashku me virtytet tona njerëzore njohin të tjerët dhe virtytet njerëzore në funksion të së mirës, që superstruktura shoqërore të jetë konstruktive dhe të funksionoj si një familje e mbarë, duke i konsideruar gjithë të tjerët anëtarë të barabartë të saj, t`i shpërblej sipas kontributit të dhënë dhe t`i sanksionoj sipas peshës së gabimeve të bëra...

Në shoqëritë e pasluftës, aty ku qëllimisht ngulfatet zëri i qytetarisë dhe i individit intelektual në kuptimin e mirëfilltë të njeriut krijues me vlera dhe ide progresive dhe, në vend të tij, na servohet tipi i individit anonimus si produkt i shoqërisë në pushtet, natyrshëm vjen deri te pakënaqësitë e shumta... Prandaj, akomodimi i individit anonimus në fronin e pushtetarit, pa kualifikimet e duhura përkatëse dhe intelektuale, pa ide të konceptuara, verbërisht fillon të ndërtoj instinktin e superioritetit ekstrem karshi të tjerëve. Fatkeqësisht, e tërë kjo gati se ndodh në mënyrë legjitime, ngase në garat për pushtet, në frymën e votimeve vjen në shprehje vota tradicionale së bashku me votën e manipuluar, të cilën e rrumbullakojnë militantët e partive politike, gjegjësisht partive në pushtet. Prandaj, individët në shërbim të partive politike, na servohen si eprorë ekzekutiv nëpër shumë institucione publike, të cilat funksionojnë nën ombrellën e pushtetit. Kjo dukuri është pjellë e frikës nga humbja eventuale e pushtetit dhe elektoratit tradicional. Andaj, partitë në pushtet, me nguti i bëjnë improvizimet e infrastrukturës shoqërore, duke i vendosur “kuadrot” e tyre në poste ekzekutive, të cilët parësisht i mbrojnë interesat partiake dhe më pastaj i realizojnë edhe ato personale. Në këto situata, zëri i popullit, nga mospërfillja e pushtetit përjeton një afoni nga tmerri i kohës, duke mos u dëgjuar zëri i tij dhe i arsyes për të qenë të pranishëm në ndërtimin e institucioneve të mirëfillta me kuadro profesionale. Këtu, pashmangshëm vjen deri te përplasjet dhe antagonizmat ndërmjet individit krijues dhe individit mediokër, ndërmjet shkencëtarëve dhe alkimistëve diletantë, që synonin ta zbulonin të ashtuquajturin “Gurin filozofik”, çudibërës me anë të cilit kujtonin se do t`i shndërronin metalet e tjera në ar e argjend. Prandaj, beteja për lirinë e vërtetë dhe promovimin e vlerave të mirëfillta pason si rrjedhojë e së keqës nga pushteti muskulator!…

Kjo situatë ma kujton filozofin Erazmo Roterdamin dhe librin e tij “Lavdërim marrisë”. Tani, vërtet krijohej absurdi i kohës dhe i hapësirës, kur lajkatarët dhe të korruptuarit i quajnë të “zotët”, për faktin se ata i krijuan të gjitha brenda natës pa asnjë mund. Ndaj, këtu krijohen hendeqet midis njerëzores dhe egoizmit, midis individëve të arsyeshëm dhe të marrëve, të cilët po ashtu ma kujtojnë poezinë e shkrimtarit tonë, Ali Asllani, të cilën e shkroi këtu e gjashtëdhjetë vjet më parë, të cilën më duhet t`ua rikujtoj lexuesve në këtë shkrim të kohës së sotme:

HAKERRIM

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrembeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkelqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar decorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkelqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, poshtëë ky zot, ky palo zot!

Grand Cordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të vremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni patur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titilli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!... Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vëndi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dëndi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bënet si të duash, kukuvajk’ dhe dallandyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mënçuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bëj” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vëndi qënka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku shokut krreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, benet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brënda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mekuar, ësht’ i vëndit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dermon hekur!

Pra, koha e pasluftës na servohet me modelin e individit mediokër dhe rrëmbyes, i cili, nga paratë e fituara gjithandej dhe imazhin e tij falso, në mungesë të personalitetit krijues dhe njerëzores mundohej ta luan rolin e individit autoritativ, duke u paraqitur në skenë me maniret e kohës vestern dhe stilin e Xhon Uejnit modern, i cili nuk ecën me kalë, por tani parakalon me xhipin e zi sikurse në paradë filmash. Madje, ata regjistrohen edhe në shkollat e vallëzimit për t`i mësuar hapat e parë... Gratë e tyre bëhen “zonjat e para”, të veshura dhe të krehura sipas modës së fundit, bëjnë makijazhet sipas modelit të bukurisë nëpër revistat e ilustruara, mjeteve të informimit masiv dhe nga bota e konsumit tregtar. Kjo pra, është bota e ëndërrimtarëve, e cila konsumohej nga ata që vejnë parfume ndër më të shtrenjtit dhe nuk kanë dijeni për emrin dhe aromën e parfumeve që i vejnë në trupat e tyre. Në shtëpitë e tyre ekstremisht të mëdha, nuk vërehen as gjurmët e as fryma e individit krijues. Hapësirat e tyre të stërmbushuraa me mobilieritë nga më të shtrenjtat të vendosura jashtë çdo kondite mbi teorinë e hapësirës banuese, flasin për diletantizëm të plotë, ku dominon shundi dhe kiçi ekstrem. Muret e salloneve të tyre  zakonisht qëndrojnë të zbrazura pa asnjë vepër me vlera artistike, ose, aty-këtu mund të shihet ndonjë pikturë dekorative të tipit kinez ku dominon peizazhi me lumenj i mbushur me rosa, “piktura” të blera nëpër markete me çmime banale, ngase vlera e tyre nuk diskutohej. Nga këto pamje të pështira e të pa frymë, flasin  kuadrot  nga hapësira e individit mediokër, i cili  vishet me antivlerat dhe nuk e vë në spikamë identitetin e individualitetit për ta begatuar hapësirën e tij me vlera arti.

Në këtë kuptim, pjesa dërmuese e shteteve të sotme, u takuan me situatat e pasluftës nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme. Mirëpo, ata me kohë e kuptuan se individualiteti krijues është boshti kurrizor i çdo shoqërie dhe se idetë kreative hapin rrugë të reja drejt një shoqërie të angazhuar dhe produktive në të gjitha sferat e jetës, duke e kuptuar: se idetë dhe parimet mbi ndërtimin e shtetit kërkojnë kohë dhe hapësirë për t`u shqyrtuar dhe për t`u realizuar deri në fund. Pra, paarsyeshmëria e individit jo produktiv dhe papërgjegjësitë institucionale krijojnë një rezonancë negative, e cila mund të shndërrohet në një pandemi shoqërore, e cila kërkon kurim të gjatë dhe të kushtueshëm… Andaj duke e shfrytëzuar potencialin krijues dhe autoritetin e individit, bota rreth nesh qëmoti flet me gjuhën e shkencës dhe teknologjisë moderne, duke e varrosur të keqen e kohës dhe të bëmat e djallit. Bota e qytetëruar flet për vlerat kombëtare, ndotjen e ujit dhe të ajrit, vlerat morale, çështjen e paqes, tolerancës, mirëkuptimit, dialogut si dhe për të arriturat e individit në fushat e shkencë dhe të kulturës. Andaj, është koha dhe momenti i fundit, t`i themi vetës: BOLL MO! - duke e kuptuar se jeta është një dardhë e egër dhe, nëse nuk e hamë me ngadalë ajo do të na mbetet në fyt. Këtë filozofi të thjeshtë, sikur nuk e kuptojnë ata të cilët pa hezituar kalërojnë mbi kuajt e çmendur, për të arritur të parët në cakun e tyre të parapërcaktuar nga vet ata, të cilët veten e tyre e shpallin “fitues” me të drejtat ekskluzive për të grabitur çdo gjë që mund tua zë syri i pangopur... Kështu bëhet ngatërrimi i fuqisë fizike me atë mendore në kuptimin negativ duke e përjashtuar mendësinë krijuese si vlerë shoqërore. Andaj, njerëzit që kanë më shumë muskuj se mend, urgjentisht duhet të largohen nga skenat politike dhe nga pozitat menaxheriale, ngase, nga keqmenaxhimi i politikave, edhe ato mbi natyrën, pa dyshim turbullohen edhe lumenjtë. Pra, njerëzit e tejngopur nga mbipushteti, nga privilegjet ndër më të ndryshmet dhe nga imuniteti i tyre, ata arrijnë në një pikë kritike, në të cilën, gabimisht, e identifikojnë vetveten me popullin dhe me individin kreativ. Në fakt, nga akomodimi i tyre në pushtet, ata përjetojnë një metamorfozë mentale, e cila u vjen nga vapa e mirazhit politik, e cila nuk i lë ta shohin të vërtetën dhe ta dëgjojnë zërin e arsyes si imperativ i momentit dhe i kohës. Kësaj përhitjeje të rreme dhe të qëllimshme që shkarkohet nga mendjet teke, duhet hapur horizontin e dijes dhe kreativitetit që del nga erudicioni i mendjes shumëdimensionale në shumë fusha shoqërore, të shkencës dhe të kulturës së mirëfilltë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test