Me rastin e 200-vjetorit të vdekjes Xhorxh Gordon Bajroni

Kultura

Me rastin e 200-vjetorit të vdekjes Xhorxh Gordon Bajroni

Nga: Xhelal Zejneli Më: 22 prill 2024 Në ora: 20:54
Xhorxh Gordon Bajroni

Xhroxh Gordon Bajroni (George Gordon Noël Byron, Londër, 1788 – Missolonghi/Greqi, 1824), shkurtimisht Lord Bajroni, është poet anglez, me prejardhje skoceze. Rrjedh nga një familje aristokrate. U shkollua në shkolla elite. Në moshën 24-vjeçare trashëgoi titullin e lordit dhe hyri në Dhomën e Lartë të parlamentit britanik. Fjalimin aderues në këtë dhomë ia kushtoi mbrojtjes së punëtorëve që i shkatërronin makinat. Më vonë e ngriti zërin për t’i mbrojtur të shtypurit. I mbështeti në Itali karbonarët, ndërsa në Greqi – kryengritësit antiturk. Ana tjetër e personalitetit të tij ishte sjellja kaotike, ekscentrike, sjellja e dhunshme e trashëguar nga të dy prindërit, skandalet dhe zvetënimi apo shfrenimi.

* * *

Jeta – Lindi në rrugën Holles të Londrës. Ka lindur me probleme në këmbë, ndaj edhe ka çaluar. I ati Xhon Bajron (John Byron) ka qenë me prejardhje nga një familje normane. Anëtari më i vjetër i familjes, Ralf de Bajron (Ralph de Buron), bashkë me Vilim Pushtuesin, ka ardhur në Angli. Babai i Bajronit për herë të parë është martuar në vitin 1778 me markezën nga Camartheni - Lady Conyers. Më vonë ajo ndahet prej tij. Nga martesa e tyre kanë lindur dy vajza. Njëra vdes herët, ndërsa tjetra, Augusta, ka qenë më jetëgjatë. Ajo është simotër e Bajronit, d.m.th. motër nga baba. Gruaja e parë e babait të Bajronit, Lady Conyers, vdes dy vjet pas lindjes së vajzave të sipërthëna. Grua e dytë e Xhon Bajronit (John Byron) ka qenë Ketrin Gordon (Catherine Gordon) prej Gighti. Ajo ka qenë pasardhëse e Jakobit I të Skocisë. Nga martesa e saj me Xhon Bajronin (John Byron) ka lindur romantiku i famshëm Xhorxh Gordon Noël Bajroni. Gjyshe e Bajronit nga vija e babait është Sophia Trevanion, ndërsa gjysh i tij nga ajo vijë ka qenë nën-admirali John “Foulweather Jack” Byron. Për ta fituar të drejtën mbi pronat e gruas së tij të dytë në Skoci, babai i Bajronit e merr mbiemrin plotësues “Gordon” dhe bëhet “John Byron Gordon”. Edhe Bajroni e ka përdorur atë mbiemër dhe në shkollën në Aberdeen është regjistruar si “Georg Byron Gordon”. Në vitin 1786, për t’iu shmangur kreditorëve, Ketrin dhe burri i saj (prindërit e Bajronit), shkojnë në Francë. Kah fundi i vitit 1787 kthehen, me qëllim që fëmija të lindte në tokën angleze.

Bajroni lindi më 22 janar 1788 në një bujtinë në rrugën Holles Street në Londër. Në vitin 1790 Ketrin shpërngulet në Aberdeenshire, ku Bajroni e kaloi fëmijërinë. Babai i tij ju bashkua në rrugën Queen Street, por çifti shpejt u nda. Babai bëri një udhëtim në Valensien (Valencienes) të Francës ku vdiq në vitin 1791. Në vitet 1790-1794 Bajroni jetoi në Aberdeen. Iu shfaqën vështirësitë e para me këmbën e deformuar. Në moshën pesëvjeçare dashuron çupën Mary Duff. Në moshën dhjetëvjeçare, pas vdekjes së një daje më 21 maj 1798, trashëgon titullin e tij baron, duke u bërë “Lordi Byron”, Baroni i 6-të nga Rochdale. Prej tij trashëgon shtëpinë “Newstead Abbey” në qarkun Nottinghamshire. Megjithëkëtë, Bajroni me të ëmën vazhduan të jetojnë në Aberdeen. Në vitet 1801-1805 Bajroni u shkollua në Harrow. Këtu u dashurua në mbesën Margaret Parker, pastaj në Mary Anne Chaworth. Një natë, ajo i thotë dados së saj: “A mendoni se unë mund të ndjej ndonjëherë diçka ndaj atij djaloshi të çalë”. Këto fjalë i hyjnë në vesh edhe Bajronit dhe lanë gjurmë të thella në psikën e tij. Për këtë dashuri të hershme Bajroni shkruan dhjetë vjet më vonë te liqeni i Gjenevës, në poezinë “Ëndrra” (The Dream). Pas përfundimit të shkollimit në Harrow, në vitet 1805-1808 Bajroni studion në Kembrixh (Cambridge) në Trinty Colleg. Një vit para mbarimit të shkollimit, Bajroni boton përmbledhjen “Orë përtacie” (Hours of Idleness), version i korrigjuar i përmbledhjes rinore “Juvenile Poems”. Tani Bajroni ishte 18-vjeçar. Përmbledhjen e nënshkroi me pseudonimin “I mituri” (A. Minor). Libri hasi në kritika të ashpra të kritikëve të atëhershëm. Në vitin 1809 Bajroni u bë anëtar i Dhomës së Lartë të parlamentit britanik. Po atë vit, si përgjigje ndaj kritikave të këqija drejtuar përmbledhjes së tij të parë, Bajroni shkruan satirën “Poetët anglezë dhe kritikët skocezë” (English Bards and Scott Reviewers). Në qershor të viti 1809 shkon në Portugali, Spanjë, Greqi, Shqipëri dhe Lindjen e Afërt. Në Janinë fillon të shkruajë poemën romantike “Çajld Harold” (Childe Harold). Pas dy vitesh kthehet në Angli. Mbërrin një ditë pas vdekjes të së ëmës, më 2 gusht 1811. Po atë vit shohin dritën “Këshilla nga Horaci” (Hints from Horace) dhe “Mallkimi i Minervës” (Course of Minerva).

Në vitin 1813, lordi i ri njihet me Anne Isabella (Annabella) Milbanke (1792-1860) të cilës ia kërkon dorën. Me t’u bërë bashkëshorte e poetit, ajo u quajt baroneshë apo Lady Byron.

Pas një viti i botohen veprat: “Pirati” (The Corasair), “Ode për rënien e Napoleon Bonapartit” (Ode on the Fall of Napoleon Bonaparte) dhe “Lara”. Në saje të veprave të lartpërmendura, popullariteti i Bajronit rritet në mënyrë marramendëse. Atë vit në Londër, brenda një dite janë shitur 13.000 kopje të “Piratëve” (The Corasair).

Po atë vit, d.m.th. më 1814, Anabela e pranon ofertën martesore të poetit. Vitin vijues (1815), poeti martohet me të zgjedhurën e tij. Në nëntor të atij viti u lind vajza Augusta. Shpejt pas lindjes së foshnjës, bashkëshortja Anabela ndahet nga Bajronin, duke e fajësuar për dashuri incesti me motrën nga babai – Augustën.

Më 1816, një vit pas martesës, Bajroni dhe Anabela ndahen. Më 25 prill 1816, nën trysninë e publikut, poeti e braktis Anglinë. Shkon në Zvicër. Në liqenin e Gjenevës takon poetin e famshëm anglez Persi Bish Sheli (Percy Bysshe Shelley, 1792-1822)*.

Shënim: Sheli ishte dëbuar nga Universiteti i Oksfordit për shkak të ateizmit dhe radikalizmit politik. Ndonëse i martuar, më 1814, Sheli iku në Itali me 16-vjeçaren Mary Wollstonecraft, më vonë Meri Sheli (Mary Shelley, 1797-1851). Ajo ishte bijë e filozofit social W. Godwin dhe e sufrazhetes M. Wollstonecraft. Persi Bish Sheli dhe vajza 16-vjeçe e lanë Anglinë dhe u vendosën në Itali. Me ta ishte edhe motra e Meri Shelit, Klara Klermont. Më 1816, pas vetëvrasjes së gruas së Persi Bish Shelit - u martuan. Në Itali qëndruan në vitet 1818-1822, kur romantiku i madh Persi Bish Sheli u mbyt në vërshimet e stuhishme. Autorja e romanit “Frankeshtajni apo Prometheu modern” (Frankestein, or The Modern Prometheus, 1818), me të birin u kthyen në Angli. Ky roman paraqet arritje kulmore në zhanrin e romanit gotik dhe deri në ditët tona ka qenë objekt i interpretimeve psikanalitike dhe kulturologjike.

* * *

Motra e Meri Shelit, Klara Klermont (Claire Mary Jane Clairmont, 1798-1879) qysh në Londër e dashuronte Lord Bajronin. Në vitin 1817, nga kjo lidhje lindi vajza Alegra Bajron (Allegra Byron; Bath, Mbretëri e Bashkuar, 12.01.1817 – Bagnacavallo, Itali, 20.04.1822). Pas kësaj, Bajroni u vendos në Venecie. Atje poeti krijon lidhje dashurie me vajzën 22-vjeçare të një tregtari nga Mileti. Pas saj, lidhte edhe me Margarita Kogni (Margherit Cogni). Kjo ishte grua e një bukëpjekësi, e pashkolluar dhe xheloze. Në vitin 1817 Bajroni ndodhet në Ferrari. Vitin vijues, sërish në Venecie. Në prill të viti 1819 këtu takon konteshën 16-vjeçare Teresa Guiccioli, e lindur Gamba, e martuar me kontin 60-vjeçar Guccioli. Që këtu, Bajroni shkon në Ravenë. Pas një viti (më 1820), shkruan tragjedinë “Marino Faliero” dhe poemën “Profecia e Dantes” (The Prophecy of Dante) të cilën ia dedikon të dashurës Teresa Guiccioli. Më 1821 poeti shkon në Ravenë në Pisë. Ndërkohë, konti Guiccioli ndahet nga Teresa Guiccioli. Ajo e fut Bajronin në qerthullin e karbonarëve. Për lidhjet me karbonarët, Bajronin e dëbojnë nga Pisa. Në shtator të viti 1822 kalon në Gjenovë. Po atë vit, përpos veprave të tjera del “Vizioni i gjykimit të nesërm” (The Vision of Judgement) – parodi e poezisë me të njëjtin titull e bashkëkohësit të tij Robert Southey (1774-1843), i cili në hyrje të poezisë së vet “Vizioni i gjykimit të nesërm” (A vision of Judgement, 1821) kërkon nga qeveria angleze t’i ndalojë librat e Bajronit, duke e quajtur “themeluesi dhe kreu i shkollës satanike”. Pas 14 korrikut të vitit 1823, prej Gjeneve Bajroni niset për në Greqi dhe më 4 gusht zbarkon në Cefaloni për t’iu bashkëngjitur kryengritësve grekë. Ai shkruan: “Këtu do të vdesim ose marcialisht ose moçalisht”. Aty i kalon pesë muaj. Në Missolonghi i bashkohet udhëheqësit të kryengritjes – Alexandros Mavrocordatos, 1791-1865).

Në vitin 1824 Bajroni shkruan këngët XV dhe XVI të “Don Zhuanit” dhe poezinë “Sot i mbushi 36 vjet” (On this Day I Complete My Thirtysixth Year). Poezia është shkruar më 22 janar të viti 1824. Më 19 prill të atij viti poeti vdes prej etheve që e kishin kapluar para dhjetë muajve. Kufoma e tij u dërgua në Angli. U varros në Hucknell, një fshat i vogël afër Newstead Abbey-it. Simotra Augusta ia vuri mbi varr pllakën me mbishkrimin:

“Nën këtë hark / Ku prehen shumë paraardhës të Tij / Dhe e ëma / Të varrosura / Ëndërrojnë mbetjet mortore / Të GEORGE GORDON NOËL BYRONIT / Lord Bajronit nga Rochdate / Në kontenë Lankaster / Autor i pelegrinazhit Çajld Harold / I lindur / më 22 janar 1788 / Vdiq në Missolonghi në Greqinë perëndimore / Më 19 prill 1824 / Në veprimin fisnik / Për ta rivendosur rrugën e lirisë së kamotshme / Dhe për ta madhështuar.

-

E motra, fisnikja

AUGUSTA MARY LEIGH

E vendos këtë pllakë në kujtim të Tij.

Shënim: Mbishkrimi në pllakë është shkruar në formën vertikale.

* * *

Poemën romantike “Shtegtimet e Çajld Haroldit” (Childe Harold’s Piligrimage, 1812-1817) Bajroni e ka shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet e tij në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkon patosi i luftës për liri të popujve të shtypur dhe të robëruar. Në Këngën II të poemës poeti u këndoi traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për liri. Më 1955 poema e sipërthënë u përkthye në gjuhën shqipe prej publicistit dhe përkthyesit, veprimtarit të arsimit dhe të shkollës shqipe, Skënder P. Luarasit (1900-1982). Bajroni i çmonte lartë shqiptarët. Respekti i poetit ndaj shqiptarëve shihet edhe te letrat që ia dërgonte të ëmës si dhe në shënimet që i ka mbajtur bashkudhëtari i tij i kulturuar Xhon Kem Hobhauz (John Cam Hobhouse, 1786-1869). Për Bajronin Shqipëria ishte një vend me bukuri natyrore të rralla. Shqiptarët – njerëz të pashëm, trima, krenarë, me fustanella të bardha. Ali Pashë Tepelena (1740-1822) ishte një kapedan i egër por jo mizor, vezir por i pavarur, figurë e tretë historike pas Aleksandrit të Madh (356 para K. – 323 para K.) dhe pas Gjergj Kastriotit (1405-1468).

Shënim. Për vlerësimet e Bajronit ndaj shqiptarëve kanë shkruar shumë studiues dhe kritikë letrarë. Midis tyre edhe historiani Kristo Frashëri (1920-2016) në librin "Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (Vjeshtë 1809)", botuar më 2009.

* * *

Vepra: Dy këngët e para të epit udhëpërshkrues “Shtegtimet e Çajld Haroldit” panë dritën në vitin 1812. Ato janë pjellë e përvojës nga udhëtimet e poetit në Portugali, në Spanjë, në Greqi dhe ishujt e saj, në Shqipëri. Kënga e tretë doli në vitin 1816, ndërsa e katërta – më 1818. Kjo i solli autorit famë dhe adhurim nga femrat e shoqërisë së lartë. Por ai u martua me një vajzë inkompatibile nga e cila shpejt u nda. Fjalët për incestin me Augusta Leigh (26.01.1783 - 12.10.1865), e cila me Bajronin kishte një fëmijë, qëndrimin e poetit në shoqërinë aristokrate e bënë të pamundur. Në vitin 1816 ai përgjithmonë largohet nga Anglia. Viziton Vaterlonë (Waterloo). Nëpër Rajnë dhe Zvicër, mbërrin në Itali. Këtu i shkruan edhe dy këngë të “Çajld Haroldit”.

* * *

Me tregimet në vargje si: “Kauri” (The Giaour, 1813), “Nusja nga Abidosi” (The Bride of Abydos, 1813), “Pirati” (The Corsair, 1814) “Lara” (1814) etj., u bë poet i popullarizuar në mbarë Evropën. Në to krijoi tipin e vetmitarit tërheqës, por të errët, melankolik, misterioz dhe me ndjenja të thella, por edhe hakmarrës të pamatur, luftëtar për drejtësi dhe kundër tiranisë, kryesisht tiranisë turke. Kësisoj dhe me paraqitjet publike në Angli, e ndërthuri mitin që e krijoi për vetveten. Në vetëdijen e lexuesit, personaliteti i poetit shkrihet në atë të heronjve të tij: mëkatar dhe fajtor për krimin që nuk u zbardh kurrë. Poeti paraqitet edhe si viktimë e shoqërisë të cilën e urrente, por kur u dëbua që andej, ai vuajti.

Veshja në stilin lindor është pjesë e imazhit të bajronizmit. Kjo përbën lidhjen midis gjestit patetik publik teatral të heroit dhe shprehjes poetike të pëlqyer.

Heroi bajronik paraqitet edhe në romantizmin e letërsive të tjera. Ai është i sertë, tekanjoz dhe cinik, por edhe dashnor burrëror dhe i papërballueshëm nga femrat.

Në letërsinë angleze Bajroni kurrë nuk mori mirënjohje për poezinë e tij. Por në kulturat e tjera evropiane ai u vlerësua lartë. Në pjesën kontinentale të Evropës u çmuan sidomos tregimet e tij. Madje drama “Manfredi” (1817) u krahasua me tragjedinë “Fausti” të shkrimtarit gjerman Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832).

Itali ku qëndroi disa vjet, shkroi një seri veprash poetike siç janë portretet psikologjike “Juliani dhe Madalo” (Julian and Maddalo, 1824) për vetveten dhe për Persi Bish Shelin; “Vajtimi i Tasos” (Lament of Tasso, 1817); satirat dhe dramat poetike “Marino Faliero” (1820), “Kaini” (1821) etj.

Në vitin 1822, bashkë me Persi Bish Shelin dhe me kritikun, eseistin, poetin dhe zhurnalistin anglez Leigh Hunt (James Henry Leigh Hunt, 1784-1859) botoi revistën “The Liberal” dhe mori pjesë në rezistencën ilegale kundër policisë austriake në Italinë veriore.

Gjuha kolokviale dhe toni ironik, të përsosura në poezinë narrative komike “Beppo” (1817) i kanë ndihmuar poetit për ta shkruar veprën e tij më të madhe dhe më të gjatë, epin komik të papërfunduar “Don Zhuani” (Don Juan, 1819-1824). Heroin e vet disi pasiv, tejet të admirueshëm në botën e femrave, nga Sevila ku kishte lindur, me një anije të avarisur, e çon në përqafime idile në një ishull grek. Që andej, në një harem të Kostandinopojës. Fati i luftës e çon në pallatin rus të Katarinës së Madhe dhe në fund - ndër bujarët anglezë.

Në këtë vepër nuk janë thelbësore aventurat, por komentet ironike të tregimtarit, bukuria e të cilave është produkt i skemës së ndërlikuar të vargjeve, në strofa të formës rima attava.

Me ftesë nga Greqia dhe me ndihma të konsiderueshme, poeti iu bashkua kryengritësve, që me autoritetin dhe famën botërore t’u ndihmonte në luftën për liri. I dëshpëruar nga mungesa e rendit dhe nga zënkat midis grekëve, pas tre muajve vdes prej etheve.

Për ta njohur jetën e këtij shkrimtari, rëndësi të veçantë kanë letrat dhe ditarët e tij. Jeta e Bajronit përbën lidhjen e një shpirti liberal në dashuri dhe në gjykimin politik. Jeta e tij, duke qenë pjesë e emocionales dhe shpirtërores, në tonin e poezisë së tij ka marrë tipare mitike dhe ka lënë gjurmë në romantizmin e popujve të tjerë.

Nën ndikimin e Bajronit kanë shkruar: poeti polak Adam Mickieviç (Adam Mickiewicz, 1798-1855); poeti rusë Aleksandar Sergejeviç Pushkin (1799-1837) dhe romantiku rus, i njohur si “poet i Kaukazit” Mihail Jurjeviç Lermontov (1814-1841); poeti, romancieri dhe dramaturgu francez Viktor Hygo (Victor Marie Hugo, 1802-1885). Nën ndikimin e Bajronit kanë krijuar edhe poetë të tjerë të kulturës evropiane.

Anglezët e kanë çmuar lartë Persi Bish Shelin dhe jo Bajronin, ndërsa në pjesën kontinentale të Evropës është e kundërta. Është vlerësuar me të madhe autori i “Çajld Haroldit”, ndërsa Sheli shumë më pak.

* * *

“Çajld Haroldi” fillon me “Këngën e lamtumirës”. Poeti vajton: “Nuk më dhimbset se e lë atdheun, nënën, natyrën, bukurinë e brigjeve shkëmbore nën rrëzëllimin e dritës së hënës dhe të veglën timen bijë. Më dhimbset fakti se s’kam për kë derdhi, qoftë edhe një pikë të vetme loti”!

Bajronit buron edhe nocioni poetik bajronizëm që do të thotë “dhimbje përbotshme”. Kjo do të thotë se “për të keqen në botë nuk ka ilaç”. Për dhimbjen e përbotshme poetët gjermanë e kanë përdorur termin “Weltschmerz”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat