Valët tuaja mitizim i jetës

Kultura

Valët tuaja mitizim i jetës

Nga: Naxhije Doçi Më: 2 korrik 2018 Në ora: 19:41
Naxhije Doçi

Ti o Dri i Bardhë

gjarpërimit të dehur lozonjar

vjeshtë e dimër pranverë e verë,

shekujve në pambarim,

valet tuaja mitizëm i jetës

shkumbëzuar në thepisje shkrepash

me pejsazhe të derdhura hirësie

dhe fushave të paskaj

jehun magjik për ta puthur në ballë.

 

Agmive me buzëqeshje rrëzëllimi

dhe mbrëmjeve të meditimit të heshtur      

flakërimin në dridhje melodish himnizuar

për një baladë

rrënjëve të lashta të dheut arbëror    

ekstazave lirike me gjelbërime praruar.               

Në ty farkërijnë dashuri të fshehura

ngjyrërash ylberore në pikturim

në përqafim njëjtësie si një mrekulli

valësh sublime të Drinit të Zi

frymëzim vargëzimi i paparë

qëndisur edhe në poezi. 

 

Shkëndijë me nimfën e legjendës në gji

pulëbardhave në fluturim

rreth e qark të dheut tim sublim

që lindje e perëndim mbajnë në krah

kush ua prishi uvertyrën e stinëve?!

 

Ti o Dri i Bardhë

dhe Ti o Dri i Zi

krejt lashtësi e krenari si një mrekulli

në mbretërinë e universit të dalldisur

hulumtoj ritme shpresash të pashuara

që vegimin për ju ta vazhdoj gjer në amshim,

ndoshta kështu i kuptoj më mirë

rrugëtimet tuaja

nëpër thellësitë e rrënjëve të mia.

Poezi e lexuar në Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Drini Poetik”, mbajtur më 09 e 10. 06. 2018 në Prishtinë, Prizren e Kukës, për nder të 550 Vjetorit të Shëmbëlltyrës së Skënderbeut dhe 140 Vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat