Në Stuttgart u shënua 550-vjetori i vdekjes të Skënderbeut

Kultura

Në Stuttgart u shënua 550-vjetori i vdekjes të Skënderbeut

Nga: Xhafer Leci Më: 17 prill 2018 Në ora: 22:47
Xhevat Limani në rolin e Skënderbeut

Në Stuttgart të Gjermanisë, në Liederhalle Silcher-Saal, më 14.04.2018, u shfaq Poema dramatike, në 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, me përmasa evropiane, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Artikullshkruesi i këtyre radhëve, Xhafer LECI, në emër të organizatorëve, bëri hapjen dhe përshëndetjen e mysafirëve  pjesëmarrës.

Aktori shumëvjeçarë i Teatrit Shqiptar në Shkup, z Xhevat Limani, tani, nga viti 2004, ka themeluar  Teatrin Shqiptar në Amerikë, i cili jeton dhe vepron si aktor dhe regjisor atje. Rolin kryesor e luante Xhevat Limani me artistën Era Hoxha, në rolin e Donikës. Për mua, si veprimtar dhe organizator shumëvjeçarë, kjo është hera e dytë që kam ndjerë një kënaqësi kaq të madhe. Në prill 1983, në Sindelfingen dhe vende tjera në Gjermani, u prezantua Premiera e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve të RPS të Shqipërisë, atëherë më është dukur sikur e gjithë Shqipëria kishte ardhur në Gjermani. Dhe, kësaj radhe si atëherë kam parë pjesëmarrësit të ngritën në këmbë nga gëzimi emocionues, me duartrokitje frenetike, e që më dukej sikur Skënderbeu, ishte shfaqur i gjallë para shikuesve, në këto dy shfaqje kulturore dhe artistike, si asnjëherë më parë, më duket se para syve të mi kam dy panorama, Ansamblin Shtetërorë të Shqipnisë, dhe Gjergj Kastriotin-Skënderbeun.

Aktori Xhevat Limani, është një artist i teatrit dramatik,i njohur në gjithë hapsirën shqiptare, dhe me përmasa botërore. Iniciativën për organizimin e këtij manifestimi madhështor, e ka marrë z.Jahja Gashi, kryetar i Shoqatës „Nëna Terezë” në Göppingen, dhe jo vetëm kaq, por edhe barrën kryesore të organizimit. Këtë iniciativë e kanë përkrahur edhe Shoqatat tjera bashkorganizatore: „Pavarësia” në Stuttgart, Xhevdet Syla, kryetar, „Qendra Kulturore Shqiptare” në Stuttgart,Vitor Spaqi, kryetar, „Dardania” në Mannheim, Naser Hoxha, kryetar, Famullia Shqiptare „ E Shejta Nëna Terezë” nga kisha katolike,në Stuttgart, Don Albert Krista, „Kadri Zeka” në Nürtingen, Taxhidin Bakiu, kryetar, „ Isa Boletini” në Sindelfingen, Zenel Vatovci, kryetar, „ Kosova” në Felbach, Refki Bytyçi, kryetar, „Sali Çekaj” në Pfaffenhofen an der Ilm, Osman Ferizi, kryetar, „Shqiponja” në Schwäbisch Hall, Shpend Hasanaj, kryetar. Salla kishte vetëm 320 ulëse, shumë kërkesa kishte për bileta, por, për keqardhje ishin shitur disa ditë para fillimit të shfaqjes teatrale.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat