Kalaja në fshatin Stan-Karbunarë të Lushnjës

Kultura

Kalaja në fshatin Stan-Karbunarë të Lushnjës

Nga: Dr Niko FERRO dhe Dr Eriselda SEFA Më: 21 shtator 2016 Në ora: 15:42
Stan-Karbunarë

Në pjesën më dominuese të fshatit Stan-Karbunarë, mbi kodrën e gurtë të Golldares në një lartësi që arrin 220 m mbi nivelin dëshmohen gjurmët e themeleve të një kalaje të hershme. Për cilindo që e viziton këtë vend mbetet i mahnitur nga pejsazhi. Pozita gjeografike dominuese, terreni i thyer në disa vende, ofronin një mbrojtje të shkëlqyer natyrore. Pa harruar një detaj të rëndësishëm...prej këtu fusha e Myzeqesë duket si në pëllëmb të dorës.

Image

Në foto fshati Stan-Karbunarë. 

Deri më tani kalaja nuk është bërë objekt studimi apo të jenë kryer gërmime arkeologjike. Ndeshen shumë vështirësi në dokumentimin e saj, ajo përmendet vetëm kalimthi nga autorë të ndryshëm të shek XX. Ka shumë mundësi që kjo kala të shërbente si pikë kontrolli për rrugën Dyrrah-Pulheriopolis (Berati).

Duke studiuar në tërësi (atë çfarë ka mbetur prej kalasë) zbulojme se ka planimetri trekëndore me përshtatje me formën trekëndore të kodrës. Nga muret rrethuese nuk ka ngelur pothuaj asgjë. Në sipërfaqe ruhen vetëm pak linjat e themeleve. Muri rrethues mund të kishte gjerësi afërsisht nga 1.7 deri në 2 m. Kalaja shtrihej në një sipërfaqe prej 1,5 ha. Për ndërtimin e themeleve janë përdorur blloqe guri të mëdha trapezoidalë të punuar e të papunuar nga forma të ndryshme. Dy blloqe guri ruhen edhe sot, njëri prej tyre ka të gdhendur ,vija të gjata të drejta dhe një formë që besojmë se është vazhdimi i një kryqi.

Image

            Në foto qeramikë dhe tjegulla të Antikitetit të Vonë zbuluar në afërsi të kalasë.

Sipas specialistëve mendohet se mund të jetë ndërtuar gjatë periudhës së Antikitetit të Vonë. Shumë pranë kalasë në anën jug-perëndimore ndodhet një tarracë natyrore ku duken qartë gjurmët e një vendbanimi extra-muro. Qeramika e zbuluar atyi takon një periudhe që shtrihet nga shek IV-VI m.Kr. Gjithashtu po pranë kalasë në vendin e quajtur “Vreshti i Madh”, gjatë punimeve për hapjen e një shtegu të ri, për qëllime vaditje, banorët e zonës hasën në gjurmët e një varri antik. Gërmimet më të plota të varrit u kryen nga specialistë të Muzeut të Lushnjës, ku dhe ruhen artefaktet arkeologjike.Objektet e zbuluar tregojnë se varri  i përket së njëjtës periudhë të përdorimit të kalasë, ndoshta fillimeve të saj në shekullin e IV m.Kr.

Sipërfundim mund të themi se pavarësisht evidentimit të kalasë të bërë më herët nga autorë të shek. XX, besojmë se ka ardhur momenti që në këtë fortifikim të kryen gërmime arkeologjike, gjetjet e të cilave do jepnin nje panoram më  të qartë të ndërtimit, kohës së përdorimit, banimit e shumë të tjera.

Image

                                             Në foto pamje nga rruga hyrëse për në kala

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat