Shuarje e Kosovafilmi-në interes të firmave ndërtimore

Kultura

Shuarje e Kosovafilmi-në interes të firmave ndërtimore

Nga: Gani MEHMETAJ, drejtor i Kosovafilmit Më: 28 prill 2016 Në ora: 18:14

Nuk kam shumë informacione rreth përmbajtjes së projektligjit për kinematografi, nuk me kanë ftuar as në përpilimin e ligjit, ndërsa kanë vendosur ta shuajnë shtëpinë më të famshme filmike, në Kosovë. Janë përkujdesur tërë kohën që të mos jem në asnjë debat për kinematografi, projektligji është mbajtur gjithë kohën fshehtë nga unë. Pjesa dërmuese "e përpiluesve" të këtij ligji kuptojnë nga filmi aq sa kuptojnë nga bujqësia, pylltaria apo astronomia.

Mirëpo, ajo që më habitë është nëse Kuvendi i Kosovës e miraton një ligj të këtillë më shumë defekte, më shumë njëanshmëri, kundër vullnetit të pjesës dërmuese të kineastëve të Kosovës (ka qëndrim stalinist ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar), kundër interesave të kinematografisë shqiptare. Më vjen keq që Kuvendi i Kosovës do të mbetet në histori vetëm më shuarjen e Kosovafilmit. Në kohën e socializmit Kuvendi e themeloi këtë institucion, në shtetin demokratik Kuvendi po e shuan një institucion. Kjo është e pakuptueshme dhe e dhimbshme, sepse deputetet po bien viktima të lojërave të pista të kompanive të shverc komercit e të padrinove partiak, të cilët ushtruan tutelë mbi "hartuesit" e ligjit.

Nuk e kam të qartë se si mund të jetë Kuvendi i Kosovës pronar i pronave të institucioneve, apo më këtë mëtohet t' i hidhet sy opinionit për t'u tjetërsuar prona më lehtë. Po ashtu nuk e kam të qartë se si Ministria e Kulturës me aq lehtësi heq dorë nga pasuria prej 30 milion eurosh.

Duket se një grup ndërtuesish e luftoi dhe e mundi Kosovafilmin për t'ia marr pronat më pak para. Ndërkaq, Kosovafilmi ka 30 milion euro prona, ku përfshihen mbi 3000 metra katror objekt të klasës së parë, mbi 3.85 hektar tokë në rrethin e parë dhe 16 hektarë në rrethin e dytë, që nënkupton 20 hektar tokë, ndërsa një ari e ka vlerën 25 mijë euro në tregun e lirë. Shumëzojini.

Në këtë skandal të tjetërsimit të pronës, sigurisht do t'i del punë EULEX-it, sepse do të jetë skandali më i madh i tjetërsimit të pronës shtetërore.

Prandaj, të hënën do t'ua shkruaj një letër publike deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për t'i informuar, në mënyrë që të mos bien viktimë e lojërave të pista të grupeve ndërtimore, meqë pjesa dërmuese e deputetëve nuk i kanë ngjyrë buzët në hilen që po zhvillohet për tjetërsimin e pronave të Kosovafilmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat