Kokën e tuaj do ta hani

Kultura

Kokën e tuaj do ta hani

Nga: Ismet TAFILI Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 15:12

Ato pak dhi e dele të bardha, sakaq ngritën kokën e curruan veshët. Të trishtuara shikuan prapa dhe filluan të vrapojnë. Pas një vrapimi të shkurtër, ndaluan, shikuan majtas e djathtas e përnjëherë drejtuan shikimin kah mali.

- Beeee e me-e-e-e bën disa!

Në sytë e tyre si në pasqyrë, u dolën njerëz të mëdhenj të veshur me tesha të zeza, dhe përsëri bën beeeee e disa m-e-e-e-e duke e dridhur zërin.

Këta njerëz, pasi kishin pirë ujë në kroin me ujë të ftohtë e të kulluar, të rrethuar me gjelbërim dhe të mbuluar me hije ahu, si të çartur vinin drejt bagëtive. Edhe emri i kroit u ndërrua. “Kroi i bugarit” u quajt.

Toka u gjakos, nuk u dëgjuan më britma beeee. Pranë zjarrit zgërdhiheshin dhe hanin mish të pjekur.

Kockat ishin shpërndarë disa metra larg zjarrit, e ata fërkonin barkun.

Bariu e ndali këngën në fyell. Vrapoi drejt majës më të lartë.

-O ooooo heheheheeej more! Askeria ka ardh në katun o heheheheeej!

Zëri i bariut me ndërprerje ngacmoi timpanin e veshit të Osamanit. Pushkën e kishte plot. E mbante të gatshme, se ujqit vinin shpesh në fshat e u binin kopeve. Pushka e tij kishte shpëtuar disa herë bagëtinë.

Këtë radhë nuk iu kishte duk se janë ujq. Po, këta ishin më të rrezikshëm.

Osamani nuk i trembej askujt, as ujqve me dy këmbë. Hodhi pushkën në krah dhe u nis drejt zërit jehues.

Dielli kishte skuqur horizontin e perëndimit. As natë as ditë, por shihej ende mirë. Ai syrin e kishte shqiponjë, shihte edhe natën.

Kaloi rrëzë malit, poshtë të cilit shtrihej një livadh nga i cili vinte aromë lulesh. Në fund të livadhit gjarpëronte një përrua, uji i të cilit gjithmonë bënte zhurmë gjatë ecjes në rrugën e vet, por sot, sikur edhe uji nuk bënte zhurmën e tij të zakonshme. Brezi i malit me dru ahu të gjelbëruar i jepte hijeshi magjepse kësaj mbrëmje të freskët. Mbi këtë brez mali, shtriheshin fusha ku kullotnin bagëtia. Por ardhja e të huajve, zjarri i ndezur në këtë buzë mbrëmje, kënga në gjuhën e huaj kishin bërë këtë fushë të trishtueshme. Mbi brezin e malit, në fund të fushës, afër kroit, dëgjoheshin zëra të çjerrë dhe të qeshura të shfrenuara.

Osamani u nis drejt tyre. Mbajti veshin, u ndal.

U dëgjuan: një pushkë, dy, tri, katër, pesë.

- O kuku lele!

Ai u kthye livadhit kah kishte ardhur. Më pas iu ngjit malit, i cili iu bë shtëpia e tij deri në vdekje.

Shifra: (Lisi i Ahut)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat