Shkëlqimi i parakohshëm dhe dështimi me sukses i filmit “Krom”

Kultura

Shkëlqimi i parakohshëm dhe dështimi me sukses i filmit “Krom”

Nga: Entela Bineri Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 17:00

Shqiptarët nuk e pranuakan as kinemanë autor, as kinemanë sociale dhe aq më pak filmin shqiptar! Të paktën, kështu rezulton nga dështimi i sigurt, por jo dhe aq i parapritur i filmit “Krom” me skenar dhe regji nga Bujar Alimani. Lind pyetja: pse e financojnë shqiptarët diçka që nuk duan ta shohin??? Sikur të bëhet fjalë vetëm për përkëdhelje të egos dhe ambicies artistike të dikujt apo dikujt tjetër - ç’rëndësi ka emri i radhës - kjo nuk përbën përligjje, por fyerje, shkelje gjithashtu.

Fatkeqësisht arti s’krijohet për shumicën, sidomos arti i niveleve të larta. E megjithatë, sado lart të ngrihet kinematografia, ngelet arti i shtatë, pra, sado simbolike, metaforike e surreale siç mund të jetë apo të pretendojë të jetë, vetiu është afër mendësisë dhe ndjesisë së përgjithshme, aq më tepër kur në të shtjellohen dukuri sociale, siç është rasti i “Kromit”.

Mirëpo problemi më i madh qëndron në faktin se rrethi brohoritës për këtë film e ka rrezen shumë të ngushtë, aq të ngushtë sa pjesë e tij janë: ata që e kanë prodhuar dhe ata që e kanë financuar (QKK-ja, midis të tjerash).

Gjendja hidhërohet edhe më kur sjell në vëmendje fjalët e kryetarit të QKK-së, Ilir Butka, i cili duket se ndihet në faj lidhur me mbështetjen modeste të taksapaguesve shqiptarë (të cilët, më pas, as që denjuan ta shohin frytin e regjisorit paçka se dhanë ndihmën e tyre të turpshme. Apo mos ndoshta pikërisht për këtë... ndihen në borxh para regjisorit?…). Ai shprehet kështu në një shkrim për gazetën “Mapo” më 07 Korrik 2015: “Shifra e akorduar për filmin është 170 e ca milionë lekë. Dua të falënderoj Bujarin për mirëpritjen e atij buxheti të vogël që Qendra ka akorduar për këtë regjisor.”

Pas premierës (16 tetor), pati një ndërprerje dhe më 19 nëntor “Krom” rishfaqet në kinema për të qëndruar aty një javë, vetëm në orarin 18:00… Kjo nuk është kohëzgjatja e zakontë e një filmi në kinema, por, në varësi të rrethanave, pra, të ndjekjes së filmit nga pakkush ose nga askush, koha në dispozicion u thjeshtua. Nëse trokitje në kinema dhe shfaqje dëshirën për të parë filmin – kjo ndodhi në datën 23, 24 dhe ditën e fundit, datë 25 nëntor - përgjigjja që merrje nga biletashitësi ishte se duhej të ishe vetë i katërt, në të kundërt filmi nuk mund të shfaqej, sepse shikueshmëri s’kishte. Ndoshta edhe në data më të hershme pati ndodhur kështu, veçse për ato data, të dhënat ishin të rezervuara. Nëse doje të dije më tepër, si për shembull, ç’nivel arriti shikueshmëria, duhej të bëje një rrugë të gjatë, ndoshta edhe të kotë…

… si mund të mos qeshje-qaje me këtë solidarizim të punonjësit të kinemasë me regjisorin? Por kjo, e qeshur – e qarë mund të të pushonte, kur mendoje vendin e tij të punës…

Atëherë, me dhimbjen më të madhe, vendosa të jem vetë e katërt së vetmi… Bleva katër vende për veten time. Pasi, si mund t’u besoja kujtesës dhe intuitës verbërisht, duke shkruar, qoftë edhe thjeshtësisht, pa u bindur së pari vetë për atë që kisha parë dhe ndier mbrëmjen e premierës???

Personalisht, mbrëmjen e premierës pata për të thënë shumë, por u ndjeva e vogël në një sallë plot me kineastë, producentë, aktorë etj., etj., etj. Por ja që, pavarësisht kërkesës së hapur të autorit, nëse të pranishmit kishin vërejtje apo nevojë për sqarim apo lëvdata, pse jo, diskutimi intelektual i pasfilmit u hap dhe u mbyll me pyetjen inteligjente të një aktori: “Pse e keni titulluar “Krom?”…” Dhe s’di se si, po shumë shpejt, kush u largua nga kati i nëndheshëm i qendrës “Kristal” dhe kush tjetër e mbajti frymën te gotëza me verë… epilogu elegant tashmë edhe i mbrëmjeve tona artistiko-kulturore prej ndo dy dhjetëvjeçarësh...

Aq më tepër që zëri zyrtar i Kulturës në Shqipëri u shpreh të nesërmen në “facebook” se filmi i Bujar Alimanit “u shfaq bukur mbrëmë (mbrëmjen e premierës, 16 tetor 2015) para publikut profesionist shqiptar!”… Dhe fap! Ty të shfaqet fantazma e Andersenit dhe në veshë të kumbon historiza e Mbretit dhe rrobave të reja të tij…

Fjalë të mencura mjaft i bënë jehonë filmit duke u përshkallëzuar nga Ministria e Kulturës, te QKK-ja e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës deri tek artikull më artikull faqeje gazete që, gjithsesi, duhen mbushur për t’u merituar rroga mujore…

Për të mos iu larguar temës: a kishte apo nuk kishte rroba “mbreti”? Po ai vetë a dyshon gjë? Sigurisht. Dhe kjo është shumë e ndershme: që dyshon dhe që e shpreh (“Takimet e kulturës”, ABC neës).

Atëherë çështja ngec te “vezir-ë/e-t”… diçka duhet të ketë për të humbur a për të fituar gjithsecil-i/a teksa ka frikë se mos nuk ngjan i/e mençur…

Endur e endur fjalësh poetike e publicistike artikuj radhë-radhë u renditën për “Kromin” deri në prag të shfaqjes së filmit, po u duk se kati i nëndheshëm i kinemasë “Kristal” u kthye në varrin e simbolikave dhe metaforave të tij, të cilat s’mundën dot t’i flasin publikut.

S’vihet në dyshim. Jo çdokush e zotëron kodin për t’i “lexuar”, porse simbolikat e Alimanit ishin aq të dukshme, në plane aq të tejzgjatura, sa e kishin humbur elegancën përkatëse dhe asnjë “I verbër” nuk mund t’i humbiste.

Lidhur me përpjekjen që kjo vepër t’i përngjajë një “krijese” surrealiste, s’duhet shumë mundim për të kuptuar që, e shumta, e shumta, ky film ishte paksa jashtë reales, por jo mbi të…

Po t’i përmbahemi sinopsit, aq shumë të treguar në çdo artikull gazete e kronike televizive tashmë që prej ngjizjes deri në shfaqje, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme a të padëgjuar, a të re dhe askush nuk po e kërkon këtë domosdoshmërisht. Së paku, kërkohet që filmi të meritojë përcaktimin si i tillë. Për këtë nevojitet që as aktori, aq më pak spektatori të mos idiotëzohen forcërisht.

E meqë është folur majtas-djathtas për studime e analiza roli, s’do të ishte keq sikur personazhet, skenat e mizanskenat të synojnë të jenë bindëse dhe aq më pak të rendin drejt groteskes vend e pa vend: duke përbindshëzuar nënën, duke përhumbur plotësisht të birin adoleshent e duke vënë një hipi erotike për engjëll mbrojtës të kësaj familjeje…

Si të shohësh filmin, si të lexosh intervistat e regjisorit kupton se ai s’i ka ndarë qartas idetë, sadoqë filmi tashmë është në duart-sytë e spektatorit: ky është një film për gruan dhe forcën e saj emancipuese në botë apo një film për identitetin njerëzor në kapërcyell të pubertetit???

Gjithsesi, le të pranojmë një përgjigje më gjithpërfshirëse: marrëdhënia në familje, e ndërlikuar dhe e vështirë, përpjekjet e forta për të pranuar veten dhe tjetrin, në lidhje gjaku ose jo. Dhe mirë.

Por, sa më shumë ta shohësh filmin e sa më shumë të përpiqesh të thellohesh në të, aq më shumë kupton se regjisori - e pafalshme kjo - nuk është bindës me skenarin, madje, hera-herës bëhet alogjik. Gjithashtu, ndoshta nuk ka gabuar shumë me zgjedhjen e aktorëve, por ka gabuar në drejtimin dhe gdhendjen e personazheve, duke i vënë aktorët në pozita të pafavorshme, edhe pse intervistat e aktorëve as që e pohojnë këtë.

Jo pak çoroditje i shkaktohet edhe shikuesit, sepse me të njëjtin intensitet mendimi duhet të ndjekë edhe linjën e adoleshentit me të ëmën, me të dashurin e së ëmës, me mësuesen gjithashtu. Por nëse në marrëdhënie me mamanë dhe të dashurin e saj te djali ndihet karakteri në formim e sipër, në lidhje me mësuesen ai është krejt pasiv, sa duket se mësuesja lodhet më kot së flirtuari… derisa djali merr komandën regjisoriale të ëndërrojë erotikisht.

Personazhet shqiptare të dhjetëvjeçarëve të fundit, pa bërë përjashtim as ata të filmit “Krom” janë të pajetë. Ata as nuk mund t’i duash, as nuk mund t’i urresh, as t’i përçmosh, as mëshirosh, asgjë prej gjëje. Nga kinemaja shqiptare del edhe më i ftohtë nga sa hyn. Aq më pak mund të të bëjë të ëndërrosh apo të të ndërgjegjësojë kjo lloj kinemaje. Kjo, pra, është arsyeja që lavdia kombëtare e “Kromit” u ndie vetëm në artikuj e kronika mediatike. Nuk dyshojmë aspak se festivale anekënd botës e presin “Kromin”, si edhe paraardhësit e tij. Fundja fundit, festival filmi zhvillohet edhe në Shqipëri, pavarësisht kategorisë, dhe kjo është koha kur kinemaja mbushet më së pakti. Atëherë, shumë thjesht, pse do të duhej ta cilësonin arritje “shqiptarët e papërpunuar kulturalisht” se ç’rrëzë kohore zë “Krom”-i dhe sivëllezërit e tij anekënd botës?

Dhe më në fund, me traditën e famshme shqiptare: “Vetë shkruaj, vetë vulos, tashmë edhe vetë duartrokas…” filmi “Krom” edhe do të nominohet, më falni, do të dërgohet detyrueshmërisht si prodhim shqiptar, por jo për merita të tjera, në konkursin për të merituar çmimin e famshëm “Oscaaar” për filmin në gjuhë të huaj. Pastaj, si “simotra” e tij, filmi “Bota”, do të kërkojë sërish lekë/dollarë për t’ia shfaqur e rishfaqur jurisë amerikane gjeninë shqiptare…

Ndërkohë, në film, ndonëse ngjarjet rridhnin njëra pas tjetrës, minutat ecnin kaq ngadalë, kështu që, paçka se të tërë dashkan të jenë të mençur e të gjithëditur, personalisht zgjedh rolin e fëmijës në fund të përrallës së Andersenit… Më ndjeni…


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat