Fantazi në harmoni me arsyen në librat e Bujar Kapexhiut

Kultura

Fantazi në harmoni me arsyen në librat e Bujar Kapexhiut

Më: 12 tetor 2015 Në ora: 09:13

Faik Konica: “Ky komb nuk kulturohet përmes lavdit, por përmes kritikës”. Kritika ndaj padrejtësive, hipokrizisë, egoizmit, korrupsionit, imoralitetit, injorancës, arrivizmit etj. që vihen re kryesisht në fushën politike, por edhe në jetën sociale, janë në fokus të tre librave me karikatura të Bujar Kapexhiut: "Karrige”, “Ngërç” e “Kthesë”. Duke vënë në shënjestër fenomenet e shëmtuara, arti i tij i spikatur synon mbrojtjen e së drejtës, moralit e dinjitetit njerëzor. Ky është edhe misioni i artit të vërtetë që ndikon fuqishëm në formimin e konstruksionit shpirtëror dhe në progresin e shoqërisë, në civilizimin dhe humanizimin e saj.

Politika që duhet të jetë një shërbim i përgjegjshëm ndaj publikut, me akuzat e ndërsjella për korrupsion, krime e spiunime, shfaq injorancën, arrogancën dhe babëzinë e pashpirt. Media që ka si funksion informimim e publikut dhe përpjekjen për zgjidhjen e problemeve, mbron interesat e politikës e të biznesit dhe pasqyron më së shumti vrasje e vetëvrasje, dhunime e përdhunime, skandale të panumërta, duke ngjallur pasiguri, pesimizëm, demoralizim. Ndërsa drejtësia që, sipas Frojdit, është “kusht për qytetërimin”, me vendimet e padrejta që favorizojnë shkelësit e ligjit, dinjitetit e të drejtave njerëzore, është sot “turpi i kombit”, siç e quan Kadare.

Sundimi i këtyre tre pushteteve përbën ngërçin e problemeve të pazgjidhshme në demokracinë tonë jo funksionale, pasi demokraci dmth shtet ligjor, drejtësi, transparencë, dinjitet e mbrojtje e të drejtave qytetare. Duke pasqyruar me vërtetësi, me këmbëngulje të rrallë e pandërprerje, në rubrikën e përditshme “Ngërç”, ngërçin e shoqërisë; me profesionalizmin dhe kurajën qytetare që e karakterizon, B.Kapexhiu ngrihet në lartësinë e artistit misionar.

Kapexhiu – personalitet poliedrik që ka kontribuar me mjaft sukses në disa lloje arti, është krijues i pashtershëm, origjinal, i natyrshëm, i vetvetishëm, i pasforcuar e i paimitueshëm. Kronikan me vizatime humoristike e konsideron ai veten.

Humori është një art i vështirë dhe një punë mjaft serioze që kërkon impenjim e talent të veçantë. Edhe qëllimi i tij është serioz në mesazhet që përçon. Këtë pohon edhe vetë Kapexhiu në mënyrën e tij, kur thotë: ”Jam në ngërç”. Arti i tij i humorit, siç shprehej ai vetë në një intervistë, është ballafaqim direkt me politikën, me bëmat e gjëmat e saj, që ai i përbuz, i tall e i përdor si tabelë qitjeje. Në qendër ve figurat më të larta të politikës që e përvetësojnë, e transformojnë dhe e deformojnë politikën. Kështu arti i tij shërben edhe si kontroll moral për politikën pa moral e pa dinjitet, apo për parlamentin ku politikanët veç aktrojnë.

Nëqoftëse politika, media e drejtësia kontribuojnë dukshëm në nxirjen e imazhit të Shqipërisë në botë, vetëm figurat e shquara të artit, shkencës, sportit etj. e ndryshojnë këtë imazh. Përkthimet e Kadaresë e të shkrimtarëve të tjerë shqiptarë në shumë gjuhë të huaja, shkëlqimi në skenat e botës i këngëtarëve tanë lirikë, i instrumentistëve e balerinëve të shquar, apo sukseset e shkencëtarëve shqiptarë, na kanë integruar realisht në Perëndim.

Megjithatë arti, kultura, shkenca dhe arritjet e tyre zenë një vend minimal në mëdia, e cila arrin edhe të shtrembërojë të vërtetën në ndonjë rast. Kështu në një gazetë vrapuan ta paraqesin si dështim shfaqjen e Teatrit Popullor në Londër me pjesën e dytë të trilogjisë “Henri VI” të Shekspirit, edhe pse më pas u konfirmua si sukses, përmes edhe pamjeve konkrete filmike.

Edhe arti i karikaturës, si mjet korrigjimi e civilizimi, ze fare pak vend në median e shkruar, madje konsiderohet si luks. Nëse në diktaturë nuk guxonte kush të kritikonte e jo më të karikaturonte udhëheqësit politikë, sot politikanëve s’u bën përshtypje e u bëhet qejfi, siç thotë Kapexhiu. Dhe intelektualë si ai e sfidojnë politikën, duke theksuar anën qesharake të fjalëve, veprimeve të tyre.

Mprehtësi, zgjuarësi, finesë e mjeshtri vihet re në punimet e tij. Fenomeni komik ne krijimet e tij nuk është thjesht zbavitje, argëtim, por nxit reflektim dhe qëndrim emocional pozitiv. Me gjuhën e këndshme, tërheqëse e të matur, ai bëhet zëdhënësi i vërtetë i publikut, në qëndrimin ndaj fenomeneve negative e bartësve të tyre.

Humori është ilaçi më i mirë kundër stresit, mjeti më i mirë për çtensionim nga konfliktet dhe banalitetet e jetës së përditshme. Shqetësimin, revoltën ndaj çdo padrejtësie, veçanërisht të politikës, e cila nuk respekton demokracinë, vlerat e vërteta, meritokracinë, por nxit servilizmin dhe hipokrizinë për karrierë e vende pune, Kapexhiu e shpreh në formën më të përshtatshme.

Si qytetar i përgjegjshëm ai asimilon lajmet e ditës, selekton, përzgjedh momentet më pikante e i mishëron artistikisht e me mjeshtri në punimet e tij të përditshme, ku dominon qytetaria, dashamirësia, dëshira humane për të ndrequr. Duke i ndjekur me vemendje ngjarjet, shfrytëzon inkonsekuencat, shkeljen e parimeve, duke shfaqur njohjen e mirë të problemeve politike e sociale, si dhe kulturën e gjerë, me thënie e sentenca që ilustrojnë aq bukur.

I prirur nga e vërteta, e cila nuk e pëlqen zbukurimin, luksin, por edhe nga e drejta e principet morale, B.Kapexhiu nuk zgjedh sarkazmën, groteskun përçudnues, tjetërsues, shfytyrues, as vargjet ilustruese denigruese që i hasim në ndonjë organ tjetër. Në këtë drejtim vihet re konsekuenca, qëndrimi i drejtë e konstant i tij në dhjetra vite. Në vitet 80 të sh.XX A.Uçi shkruante:”Dashamirës është humori i sharzheve të B.Kapexhiut”.

Ai në fakt luan me proporcionet, por pa dëmtuar mesazhin e rëndësishëm që do të transmetojë. Në karikaturat (vizatimet) e tij Kapexhiu shfrytëzon si burim humori kontradktën ndërmjet asaj që thonë e që bëjnë politikanët; absurden që serviret nga ata si logjike, të parëndësishmen si të rëndësishme, gënjeshtrën si të vërtetë e të shëmtuarën si të bukur.

Na përcjell ai kështu idealin e tij pozitiv, duke nxitur e stimuluar qëndrimin kritik ndaj negatives. Që te karikaturat e tij të para Kapexhiu ka demonstruar sensin e tij të qartë të humorit tërheqës e origjinal, duke na bërë të mendojmë që mjaft nga diçiturat e karikaturave të tij përbëjnë thelbin, embrionin e barceletave të këndshme dhe edukative.

Sharzhet e tij janë dashamirëse, por edhe goditëse, në masë të pranueshme e të pëlqyeshme nga publiku. Humori është opozitarizëm. Edhe në diktaturë i tillë ishte , por shumë më i sofistikuar, më i hollë e me nënshtresa kuptimore, madje jo vulgar e banal, siç haset rëndom sot. Arti i Kapexhiut mbetet një mjet i dobishëm në kërkim të së vërtetës, në mbrojtje të së drejtës, si çdo art realist e i dobishëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat