Pesha e narracionit me shtresa të pasura kuptimore

Kultura

Pesha e narracionit me shtresa të pasura kuptimore

Nga: Ryzhdi Baloku Më: 3 shtator 2015 Në ora: 10:02


(Sherif Bllaca: “Malli i lumturisë” – Poezi, 2015)

Sherif Bllaca, pinjoll i familjes së atdhetarit Ramë Bllaca dhe i biri i të burgosurit politik Hasan Bllaca, qysh si fëmijë sfidohet nga përplasjet dallgëve të jetës. Tani si një personalitet që jeton dhe vepron në mërgim, na del si një figurë e penës me veprën e tij poetike të radhës.
Libri “Malli i lumturisë” i poetit Sherif Bllaca, përmban 84 poezi të ndara në tri njësi: “Loti sërish m’i lagë faqet” 11 poezi , “Mall dhe kujtime” 26 poezi dhe “Atje ku më priste Nëna” 47 poezi.
Pas leximit të kujdesshëm të këtij vëllimi poetik prej 185 faqesh, mund të vërejmë se poezitë e këtij krijuesi përmbajnë përplot meditime poetike, për veten dhe të tjerët, të cilat autori gjatë rrugëtimit të tij poetik dhe jetësor i shpalos përmes vargut, si në një “ditar” poetik jete.
Përmes poezive, autori i kësaj vepre na sjell një botë të pasur shpirtërore nga jeta e mërgimtarit, ku kryesisht mbisundon ndjenja e mallit , dashuria për atdhe dhe njerëzit e tij.
Konsideroj se, për të qenë një poezi e mirë dhe e pëlqyeshme për lexuesit, pos tjerash duhet të përmbajë ndjesi emocionale, ta ketë një qartësi semantike dhe të jetë e ndërtuar me figuracion të pasur. Këto tipare e cilësojnë veprën poetike “Malli i lumturisë” të Sherif Bllacës..

Poezi që shuajnë etjen e mallit

Këtë libër, autori e fillon me poezinë “Sa shumë trondit”, për të na dhënë një mesazh këshillues, që dhembjen dhe urrejtjen ta kthejmë në miqësi e dashuri. Në mes tjerash thotë: ... / A e di ti / Sa shumë trondit / A e di peshën e urrejtjes / Peshën e dhembjes / Ti mëshirë s'ke / Pse nuk kthehesh në këngë / ..., për të vazhduar pastaj me poezitë “Alpet shqiptare”, “Pejë mori...” etj., në të cilat ai flet për bukuritë e atdheut, ndërsa në poezinë “Oj nënë lokja ime”, me plot ndjesi e mallëngjim e shpreh mallin për nënën, në përvjetorin vdekjes së saj. Ai shkruan: ... / Më beso oj nëna ime / Mallin për Ty përherë kërkoj / Në rrezen e diellit si lirinë / dhe, kështu digjem ngadalë / Duke të kujtuar / E foton e fundit në gji e shtrëngoj / ...
Poezinë me titull “Qëndresë krenarie”, ia kushton shkrimtarit dhe publicistit Sejdi Berisha. Kjo poezi, është e shkruar në dy pjesë. Në pjesën e parë të saj, me një metaforikë të pasur, autori shënjon virtytet dhe tiparet e këtij shkrimtari, dhe shkruan: ... / Burrë me fjalë dhe besë / Mendimtar i rrallë / Shkruan vargje me peshë ar ..., ndërsa në pjesën e dytë të kësaj poezie shpreh respektin për miqësinë që ka me të dhe kënaqësinë për takimet e tyre: ... / Ja / Sot sërish jam me Babaxhanin / Jemi bashkë dhe... / Sërish së bashku pimë kafe / E tavolina shkëlqen plotë gëzim /...
Këtë cikël autori e rrumbullakon me vargje parodie të titulluar “Vizitë nëpër qytete si pelegrin” , për ta përfunduar pastaj me poezinë satirike me titull: “Të shkojmë me kohën ...”, në të cilat i vë në spikamë disa dukuri që po e përcjellin jetën në ditët e sotshme.
Poezitë e prezantuara në këtë cikël kanë një strukturë të pasur narrative, me varg të ngritur artistikisht, që krijon një harmoni me tërësinë poetike dhe kuptimore.

Poezi që lartëson atdheun dhe bukuritë e tij

I frymëzuar nga malli, njësinë e dytë të këtij libri, autori e fillon me poezinë “Bjeshkët e larta”. Ai, flet dhe çmallet me bukuritë e atdheut, ku mes tjerash me idilikë të theksuar madhështon ambientin : ... / Plot kullosat me dele të bardha / Blegërojnë dele edhe qengja / Fluturon shqiponja mbi male të larta / Ia thotë këngës edhe fatbardha /.... Për të vazhduar me poezinë e radhës: “Ujëvara fton...”, ku: Nga maja e shkëmbit / Ujëvara lëshohet zvarrë / Nuk ka hidhërim / As të zemëruara valë / Por ka bukuri edhe madhështi / Që fton për pushim e bukuri / Atë shushurimë magjepse / Kënaqesha duke dëgjuar / Çfarë akordim i valëve të jetës; për ta përmbyllë këtë poezi me vargjet metaforike dhe simbolike: Unë jam edhe ujëvarë / Kam edhe të bukura valë / I ushqej zemrat e të rinjve / Pleqve u ofroj freski / Jam zonjë edhe hiroi / E florës dhe e faunës / Ju ftoj ejani / Ejani bukuritë e natyrës / T’i shijojmë e t’i afirmojmë / Ujëvara unë jam vetë / Ju ftoj për çdo stinë / E për çdo vjet.
Autori Sherif Bllaca, poezitë i ndërton me një semantikë të pasur dhe të shtresuar që ravijëzohen përmes figurave letrare artistike, me qëllim që ta fuqizojnë motivin e ndjenjës së thellë shpirtërore të dashurisë për atdheun.
Në këtë cikël, autori ka sistemuar pothuajse të gjitha poezitë që shprehin mall dhe kujtime. Përmes vargut poetik ai i shqipton takimet e përmallshme, pas shumë vitesh, me familjarët dhe të afërmit e tij, të tilla janë poezitë: “Takim pas pesëmbëdhjetë vjetësh”: “Ah sa vite s’jemi parë”,”Bisedat që nuk harrohen” etj., duke e rrumbullakuar këtë cikël poezish me poezi kujtimesh që i kanë lënë mbresa të pashlyeshme në mendjen e tij, siç janë poezitë: “Vetëm valixhet më mbetën në dorë”, “Peja qyteti im”, “Kujtime të hidhura”,” Në aeroportin Adem Jashari” dhe poezi tjera ku shfaqen kujtimet mbresëlënëse nga e kaluara dhe e tashmja.

Poezi me ndijim të veçantë dhe narracion të pasur

Njësia e tretë e këtij vëllimi poetik është me një vëllim më të madh dhe narracion më të larmishëm.
I mallëngjyer se përsëri duhet t’i kthehet jetës së mërgimtarit, këtë cikël autori e nis me poezinë “Ora”, e cila e simbolizon kohën, një ndër vlerat më të çmueshme për njeriun, e me këtë rast ikjen e kohës. Kështu, derisa ishte në atdhe për pushime, ai shkruan: ... / Tik-taket e tua / Si rrahje zemre / Më shtrëngojnë gjoksin / Nuk mund të besoj / Shpejtë je duke ikur / ... ; ... / Si nuk të vjen keq /Sa më ngarkon me mall /... ; ... / Për këto male që i kam në zemër / Për këtë grykë bjeshkësh / Që ka emër / Për këtë lum / Për këtë ujë / Që ballin ma freskon...
Po kështu, lidhur me këtë temë autori shkruan poezinë “Tmerri”, dhe ndër të tjera thotë: ... / ... O ju të mallkuar / Ma leni dritën / Ta shijoj edhe pak atdhe / Se më tmerroi mërgimi.
Në poezinë “Sa e bukur je”, autori shpreh ndjenjën e mallit por edhe optimizmin për kthimin në qytetin e tij, par takimin e sërishëm me miqtë të dashurit dhe shokët, andaj shkruan: ... / Kur vjen pranvera / Sërish do gjelbërojë / Unë do kthehem / Do takohemi /; Do ulëm në karrigen e vetmuar / E ruajtur më xhelozi / Nga të respektuarit miqtë e mi.
I mallëngjyer nga jeta e tij prej mërgimtari, me një ndijim të veçantë poetik dhe me një simbolikë të theksuar shkruan poezitë: “Këshillë zogut”, ku thotë:
Zogë i lirë e i bardhë / Asgjë të mirë këtu nuk ka / Fluturo drejtë në atdhe / Diell e hënë atje i ke ; I ke krahët shpejt fluturon / Zërin e bukur shqip dëgjon ; I ke malet më gjelbërim / I ke fushat plot beharë ; Në atdhe o zogu i bardhë / Je i lirë ke jetë të mbarë.
Në këtë cikël, autori u kushton poezi edhe bjeshkëve të Sharrit dhe vendlindjes së tij, Bllacës. Në poezinë “Bllaca”, në mes tjerash thotë: ... / Ju kam treguar / Në këto fusha rritur jam / Këtu Bllacë thënë i kanë ; Shumë kodrinave e bregoreve / Gollusha u kanë thënë / Edhe këto të Bllacës janë ; Në këtë tokë loti më pikon / Nga kjo tokë bukë kamë ngrënë / Edhe sot i kësaj toke jam.
Edhe pse e shkruar me tone të ndjeshme lirike, kjo poezi përmban edhe tone epike: Këtu Bllacë i kanë thënë.
Edhe në këtë cikël, poeti i kushton nënës poezinë “E madhja nënë ”, ndërsa vendin në të cilin e ka krijuar familjen, e titullon: “ Pa qetësi”, “Falmi Zot edhe dy sy” etj. Autori i kësaj vepre poetike nuk e lë pa i thurur poezi edhe Kosovës dhe qyteteve si: Prishtina, Prizreni etj.
Këtë vepër poetike e karakterizon një narracion i pasur me shtresa kuptimore dhe me figura poetike të zgjedhura, i frymëzuar nga atdhedashuria dhe nga malli që ndjen poeti për çdo cep të vendit të vet për njerëzit e tij që dikur e kanë rrethuar dhe e rrethojnë në takimet me ta me rastin e kthimit në atdhe. Këto poezi reflektojnë një botë të pasur imagjinative, të poetit Sherif Bllaca, të shënjuar me figura dhe metaforikë të pasur, që përçojnë mesazhe atdhedashurie dhe dashuri për njeriun.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat