Kosova nikoqire e Konferencës së 45-të Ndërkombëtare të Baladës

Kultura

Kosova nikoqire e Konferencës së 45-të Ndërkombëtare të Baladës

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 11:54

Filloi sot punimet Konferenca Ndërkombëtare e Baladës, e cila ka për qëllim bashkëpunimin dhe bashkëbisedimin mes shteteve për problemet dhe interesimet e përbashkëta folklorike me profesionistët e shumë vendeve nga bota.

Konferenca ndërkombëtare e baladës organizohet nga viti 1966 dhe deri më tani është mbajtur 44 herë, ndërsa për herë të parë nikoqire e saj është Kosova.

Drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, duke e hapur konferencën tha se edhe pse janë të rinjë në fushën e kërkimeve shkencore si Institut ata janë për bashkëpunim me vendet tjera, për shkëmbim përvojash dhe për kërkime shkencore moderne.

“Është ngjarje me peshë për institutin tonë, për aktivitetet e pakta të këtij rangu në Republikën e Kosovës. Do të dëshironim shumë që Instituti Albanologjik të jetë pjesë e agjendave tuaja shkencore, ne kemi nevojë për përvojat moderne të kërkimit shkencor , bashkëpunimet e tilla na ndihmojnë edhe për përforcimin e vlerave tona kombëtare, me shpresë që ato të jenë edhe në interesin tuaj “, tha Matoshi.

Thomas A. McKean nga Komisioni Ndërkombëtar për Balada, tha se të jesh në këtë vend është një përjetim i veçantë, sidomos për ata që merren me balada dhe që i hulumtojnë ato kudo që janë, në të gjitha anët e botës. Sipas tij, ata gjenden “në vendin ku është shtëpia e baladës” dhe kjo është e veçantë për ta.

“Pjesë specifike e të gjitha konferencave që ne i organizojmë është edhe njoftimi me vlerat kulturore dhe artistike të kulturës ku shkojmë, prandaj e pashë që edhe pjesë e këtij programi sot është edhe njoftimi me vetë këngën e baladës dhe vetë performancat e saj. Unë jam i lumtur që ne kësaj radhe do të njoftohemi edhe me ato, jo vetëm sot por edhe në ditët e tjera”, tha McKean.

Në konferencë marrin pjesë studiues të folklorit nga Afrika e Jugut, SHBA, Rumani, Sllovenia, Finlanda, Austria, Skocia, Belgjika, Holanda, Portugalia, Shqipëria, Anglia, Maqedonia, Rusia, Franca dhe Kosova.

Konferenca do të zgjasë deri të premten, më 4 shtator, dhe baladistët nga bota gjatë kësaj kohe do të mund të njihen me kulturën kosovare. Organizatorët mendojnë se është në të mirën e vendit që të kemi këso lloj organizimesh më shpesh, sepse kjo do të mund të shpaloste të mirat e Kosovës në botë që të njohin shtetin dhe kulturën tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat