“Ngom Fest”-i i hap përsëri dyert e muzikës në Prizren

Kultura

“Ngom Fest”-i i hap përsëri dyert e muzikës në Prizren

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 10:57

Festivali i muzikës, ” Ngom Fest” rikthehet me edicionin e tij të pestë, duke filluar nga 30 korriku deri më 2 gusht.

Pjesë e programit do të jenë aktivitetet lidhur me promovimin e zhanreve të ndryshme muzikore, si dhe zhvillimi i turizmit dhe i ekonomisë të qytetit të Prizrenit.

Organizatorët e festivalit premtojnë qe ky edicion do të ketë shumë befasi dhe risi në tre netët e festivalit.

Në dallim nga edicionet e kaluara, Ngom-i synon që ta krijojë kulturën e festivalit duke i mbledhur adhuruesit e zhanreve të ndryshme të muzikës ne një vend.

I gjithë programi muzikor do të prezantohet në skenën e Marashit. Festivali sivjet sjell një program të begatshëm, me zhanre muzikore të ndryshme të tilla si Hip-hop, rock , reggae, drum dhe bass.

Nata e parë e “Ngom Fest”-it do të hapet me muzikë Hip-hop. Do të marrin pjesë rep artistë e tillë si: “Cyanide” , “Jeton” , “Mola 1″ , “Ergen” , “Elinel”, “Nake” , “Dren” dhe “Buta”. Nata vazhdon me Dj si : “Dj Dritoni” , “Dj November” dhe “Dj Madnula”.

Nata e dytë fillon me muzikë rock-eksperimental, ku do të interpretojnë “A.B.O.P” , “Alba Hyseni” , “Huset” , “ZAA” , “Frantik” , “Darko Stepic B2B Hypertech” dhe “Janie Golt”.

Nata e tretë do të elektrizohet me muzikën drum dhe bass, reggae, gjithashtu edhe stile të tjera muzikore, si house dhe techno nga: “Trim”, “Leg Off”, “Dance Spirit”, “Uran B”, “Vegim B2B Flektiza” dhe “Mind Bend B2B Megan”.

Nata e fundit e “NGOM Fest”-it titullohet “Ngom Fest Chill Stage”, ku do të interpretohen muzika me tempo më të ulëta, më relaksuese nga bendet e tilla si “Moodular” , “Hakaba” , “Yrnol” , “Ezb”.

Vlen të theksohet se bileta ditore kushton pesë euro, kurse për tërë festivalin kushton 12 euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat