U mbajt tryeza letrare 'Letërsia shqipe në Maqedoni'

Kultura

U mbajt tryeza letrare 'Letërsia shqipe në Maqedoni'

Më: 28 maj 2015 Në ora: 17:06

Klubi i Shkrimtarëve i Kosovës organizoi tryezën letrare me temën “Letërsia shqipe në Maqedoni”, në të cilën referoi Dr. Fatmir Sylejmani.

“Letërsia shqipe në Maqedoni gjithmonë ka qenë pak e anashkaluar, kushtimisht them nga qendra, nuk është bërë asnjëherë shumë për zhvillimin e saj. Unë përshëndes shumë iniciativën e Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës që na e dhanë mundësinë që të bashkëbisedojmë më shumë për Letërsinë shqipe në Maqedoni. Është një mundësi shumë e mirë kjo, për të bashkëbiseduar dhe për të plotësuar njëri-tjetrin”, tha në fillim të ligjëratës së tij prof. Sylejmani.

“Një e keqe shumë e madhe është sepse tek ne, nuk përkrahet shumë shkrimtari i mirëfilltë, dominojnë matrapazët. Unë e kuptoj atë se çfarë ndodhi në vitet 80-ta kur Tetova, Shkupi, Gostivari, mbase dhe qendrat e tjera të Maqedonisë, të cilat u shndërruan në qendra kulturore duke përfituar kushtimisht thënë, nga ajo fatkeqësia që i ndodhi pjesës tjetër të kombit, një varfëri e skajshme. Në atë kohë aktivitetet kulturore zhvilloheshin kryesisht në Tetovë. Ajo ishte një mundësi shumë e mirë për t'u njohur me krijuesit, ama pastaj ky bashkëpunimi në mes të qendrave dhe provincës sikur pushoj tërësisht. Tani janë grupe njerëzish të ngushtë që njihen mes vete, një qark i ngushtë njohjesh, të cilët si duket po i mjaftojnë vetvetes” vazhdoi ai, duke dashur të vë theksin te mos qarkullimi i librit të shkrimtarëve në Maqedoni në Kosovë dhe anasjelltas.

Këtë gjë e mbështeti edhe shkrimtari Ragip Syla, madje ai tha se edhe në të gjitha qytetet e Kosovës vërehet një qarkullim i librit.

Prof. Sylejmani në ligjëratën e tij, foli edhe për emra të veçantë krijuesish shqiptarë të letërsisë në Maqedoni.

Në këtë takim përveç të tjerash u diskutua edhe për letërsinë për fëmijë, ku Fatmir Sylejmani tha se dikur në vitet e 80-ta ekzistonin dy revista për fëmijë të cilat ishin shumë kualitative, madje ai tha se ndjente mall për atë kohë, shkruan KultPlus.

“Dikur, në kohë komunizmi kanë qenë dy revista, “Fatosi” dhe “Gëzimi”. “Fatosi” për ciklin e ulët dhe “Gëzimi” për ciklin e lartë të shkollës fillore. Mund të them se kanë qenë të shkëlqyera dhe kam shumë mall për atë kohë, sepse këto revista punoheshin nga ekipe profesionistësh dhe kishe lezetin ta merrje edhe si mësues, e jo vetëm nxënësit. Ndërsa tani e gjitha frymon në xhami dhe fe, por fe të rreme, sepse nuk ka asgjë të vërtetë, vetëm injorancë të klasit të parë. Boton një xhami në faqen e parë dhe e përdor për mburojë për budallallëqet që janë brenda. Nuk kanë as teknikë, as strukturë dhe nuk vlejnë as në përmbajtje. Dhe po të ngrihet zëri, menjëherë ngrihen zëra dhe thonë çfarë ke kundër islamit”, u shpreh Sylejmani, lidhur me revistat shqiptare për fëmijë në Maqedoni.Në fund të diskutimit, Fatmir Sylejmani foli edhe për revistën e tij kulturore që botohet në Tetovë “Brezi 9”, të cilën e kishte sjell për ta ndarë me kolegët e tij shkrimtarë nga Kosova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat