Ekspozitë e fotografive të trashëgimisë kulturore në Rahovec

Kultura

Ekspozitë e fotografive të trashëgimisë kulturore në Rahovec

Më: 21 prill 2015 Në ora: 13:01

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Botërore të Trashëgimisë Kulturore, në muzeun komunal në Rahovec u hap ekpsozita me fotografi me artifakte nga trashëgimia kulturore e kësaj zone. Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport Osman Hasku tha se kjo ekspozitë është një përmbledhje e vlerave të shumta të trashëgimisë kulturore në komunën e Rahovecit. Ai ndër të tjera përkujtoi se, këto fotografi dëshmojnë lashtësinë tonë. Ekspozita të ngjashme do të ketë edhe në të ardhmen dhe po punohet që këto artifakte të ofrohen për publikun edhe në formën e tyre reale.

Gjejlane Hoxha, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore tha se aktivitete të tilla janë shumë të rëndësishme që dëshmojnë për të kaluarën e qytetarëve të hershëm të kësaj komune. Kjo ekspozitë mund të duket modeste, por domethënia është shumë e madhe. Në të ardhmen duhet të punohet më shumë që njerëzit të kenë mundësi të shohin nga afër artifaktet, që janë të shumta në këtë komunë. Besoj se në të ardhmen do të gjenden fonde për zbulimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Rahovec dhe në tërë Kosovën. Muzeu komunal këtu në Rahovec duhet të përkrahet nga niveli qendror, sepse rëndësia e ruajtjes së trashëgimisë kulturore është e një rëndësie të veçantë për një popull, shtoi zonja Hoxha.Kultplus

Ndërsa Kadri Durguti, autor i ekspozitës, falënderoi donatorët dhe të gjithë qytetarët që kanë bashkëpunuar dhe po bashkëpunojnë në mbledhjen e këtyre fakteve historike e etnologjike. Ndër të tjera Durguti tha se kjo ekspozitë është rezultat i një pune këmbëngulëse 15-vjeçare. Ka edhe shumë për të bërë, sepse pasuri e paçmueshme kombëtare ende vazhdon të mbetet e pandriçuar dhe e varrosur nga koha.

Ekspozita u bë e mundur me mbështetjen financiare të organizatës suedeze Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB). Kjo ekspozitë që përmban fragmente arkeologjike që nga periudha ilire, romake dhe të periudhave të ndryshme historike, do të mbetet e hapur për publikun një kohë më të gjatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat