“Elektriçisti i nëntokës”, dokumentari i Tertinit që vjen në qershor

Kultura

“Elektriçisti i nëntokës”, dokumentari i Tertinit që vjen në qershor

Më: 15 prill 2015 Në ora: 13:15

Profili dokumentaresk i Ajet Ferizit na tregon rutinën e tij që e preokupon atë si punonjës i minierave. “Elektriçisti i nëntokës” është një dokumentar observativ, pa narrator dhe pa intervistë strikte. Përmes pamjeve tregohet profesioni i Ajetit, 38 vite përvojë pune.
Vështirësitë, dëshira për të punuar nëntokë, komunikimi me kolegë, argëtimi do të na tregojnë jetën e minatorit 57 vjeçar. Ky është dokumentari i dytë personal i bërë nga regjisori Valmir Tertini i cili ekskluzivisht për KultPlus tregoi për vështirësitë që ka pasur gjatë realizimit të këtij dokumentari që tregon një profil jetese paksa ndryshe.
“Xhirimet kanë filluar me datën 10 prill, më ka marrë kohë paksa trajtimi i temës dhe vizitat e disahershme në teren, pra në minierën e Trepçës. Fillimisht kam hasur në kontakt me vajzën e z. Ferizit, Neri Ferizi dhe pastaj kam folur me babanë e saj e kështu ai pranoj që jeta e tij si “Elektriçist i nëntokës” të bëhet në një shirit filmi. Vështirësia më e madhe ka qenë se në minierë ka pasur shumë punëtorë e për të xhiruar ka qenë pak e vështirë”, tha ndër të tjera Tertini.
Drejtor i fotografisë së këtij dokumentari është Arsim Berisha “ArtPix”, zorimin e ka bërë Ali Sajhadi ndërsa trileri i sapo punuar është nga Afrim Peposhi.
Ky dokumentar pritet të dalë në qershor të këtij viti, pra do të jetë pjesëmarrës në festivale të ndryshme si vendore ashtu edhe ndërkombëtare. “Jam në kontakt me distributorë filmash në Indi dhe Spanjë, por synimi im kryesor me këtë dokumentar është të marrë pjesë në festivalet e botës dokumentare”, përfundoi Tertini.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat