Festivali i Shtëpisë së Bardhë për filmat e nxënësve

Kultura

Festivali i Shtëpisë së Bardhë për filmat e nxënësve

Më: 29 mars 2015 Në ora: 22:32

Një grup nxënësish producentë filmash nga gjithë Shtetet e Bashkuara u ftuan nga Presidenti Obama në Shtëpinë e Bardhë për të marrë pjesë në Festivalin e Dytë të Filmave të Studentëve. Pesëmbëdhjetë filma me metrazh të shkurtër u përzgjodhën nga mbi 1500 prodhime të nxënësve të grupmoshës 6 deri në 18 vjeç. Producentët dhe familjet e tyre iu bashkuan presidentit dhe një grupi personalitetesh për të parë filmat.

Presidenti Obama mirëpriti producentët e rinj në Shtëpinë e Bardhë në një aktivitet të veçantë për të nderuar filmat e prodhuar prej tyre.

Presidentit iu bashkuan yje të kinematografisë, të cilët përgëzuan nxënësit për arritjet e tyre të jashtëzakonshme.

“Ndjehem thellësisht e nderuar të jem së bashku me ju për të festuar këtë art mbresëlënës nga producentë të rinj”, tha aktorja Hilary Swank.

15 filmat e shfaqur në festivalin e Shtëpisë së Bardhë kishin një temë të përbashkët: “Impakti i të dhënit në shoqëri”.

Në filmin “Fjala ‘ne’ fillon nga unë”, nxënës të një shkolle në Boulder të Kolorados, tregojnë se çfarë do të bënin për të krijuar një botë më të mirë.

8-vjeçarja Sadie Menendez thotë se projekti u zhvillua nga një këngë e thjeshtë në një film.

“Ne bëmë një këngë, dhe kur morëm vesh për Festivalin e Filmit të Shtëpisë së Bardhë, filluam ta shndërrojmë në një film. Dhe tani fituam!”

Filmi C.H.A.M.P.S. u prodhua nga pjesëmarrësit në programin CHAMPS në një shkollë të mesme në Çikagon jugore të Illinois.

“Kemi 100 të rinj në programin CHAMPS dhe objektivi ynë është t’i japim botës një mesazh pozitiv”, thotë Vondale Singleton që ka krijuar këtë program. “Në kontrast me çfarë dëgjojmë për dhunë, përdorim armësh, netë pa gjumë dhe banda, këta të rinj po i dëshmojnë botës se ata do të jenë udhëheqësit e ardhshëm.”

Archer Hadley vuan nga një paralizë cerebrale që ia vështirësonte kalimin në dyert e shkollës së tij në Austin të Teksasit. Kjo e nxiti atë të ngrejë një fond në mënyrë që shkolla e tij të instalonte dyer automatike.

“Kam ngelur përjashta ndërkohë që binte shi dhe kjo më frymëzoi për këtë projekt. Duhet të mblidhja rreth 40 mijë dollarë, dhe realisht u mblodhën 87 mijë dollarë.”

Shokët e klasës së Hadley bënë një film për këtë arritje të tij.

Nxënësi i shkollës së mesme, Ben Root, prodhoi, drejtoi, dhe editoi filmin.

“Archer Hadley arriti diçka të mrekullueshme. Mblodhi rreth 87 mijë dollarë për të përmirësuar shkollën tonë dhe kjo është një histori që duhet fiksuar. Filmat duhet të shërbejnë për të rrëfyer një histori. Ky është thelbi i çdo filmi.”

Të tregosh një histori të mirë, të frymëzosh të tjerët, të ndryshosh komunitetin tënd, është ajo ç’kanë arritur me kaq efikasitet këta të rinj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat