Eda Zari në Prishtinë me “Ura e çastit, fryma e momentit”

Kultura

Eda Zari në Prishtinë me “Ura e çastit, fryma e momentit”

Më: 29 mars 2015 Në ora: 16:45

Këngëtarja Eda Zari erdhi në një tjetër dimension artistik të premten në Prishtinë, duke hapur një ekspozitë me fotografi të çastit që sjellin gjithë jetën, nga fëmijëria deri në pleqëri.

“Ura e çastit, fryma e momentin” është titulluar kjo ekspozitë e ndarë në katër cikle, “Bota në syrin e të miturit”, “Gjinitë”, “Dyert mashtruese” dhe “Fotografi urbane, vende, njerëz, ngjarje”, që për kurator ka artistët nga Maqedonia, Shuki Neziri dhe Luran Osmanin.

“Në një farë forme duke filluar që nga fillimi dhe përmbyllja në fund, ose edhe anasjelltas, të hedh në momentet të ndryshme që reflektohen në jetën e njeriut, në situata të ndryshme, raporte të ndryshme dhe perspektiva të ndryshme. Më pëlqen shumë që në fund është oborri i jetës i cili krijon të tilla raporte dhe që nga lindja, nga bota e të miturve deri te përjetimi i përplasjeve të ndryshme, që në fund kemi përmbylljen e saj, vdekjen.”- thotë Shuki Neziri, kuratore e ekspozitës.

Fotografi Afrim Spahiu tha se ekspozita “Ura e çastit, fryma e momentit” vjen si dyzim i muzikës me fotografinë.

“Ajo është një frymë e një dyzimi, të muzikës dhe atij momenti që e ndal për një çast dhe e çon në një tërësi të gjithë atyre pamjeve, një koncept që është shumë i afërt i mundësisë, dmth të një frymëmarrje që ne nuk e kemi të rëndomtë, muzika dhe fotografia.” – thotë ai.

Hapja e ekspozitës me fotografi të varura në ambientet e Teatrit Oda në Prishtinë u shoqërua me një koncert të Eda Zarit dhe perkursionistit Rhani Krija, pianisti Ilir Bajri dhe basisti Visar Kuçi. Interpretimet ishin këngë dhe kompozime bazuar në katër ciklet fotografike të ekspozitës, e cila pritet të hapet edhe në Tiranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat