Çmimi “At Zef Pllumi”, Fevziu fitues në publicistikë

Kultura

Çmimi “At Zef Pllumi”, Fevziu fitues në publicistikë

Më: 20 dhjetor 2014 Në ora: 11:31

Në edicionin e tretë të çmimeve kombëtare letrare “At Zef Pllumi”, fitues në publicistikë u shpall Blendi Fevziu me librin “Ahmet Zogu. Presidenti që u bë mbret”

Më 18 dhjetor, në komunën e Shëngjinit, në Lezhë, për të tretin vit me radhë u ndanë çmimet kombëtare letrare “At Zef Pllumi”. Për të paktën një herë në vit, vëmendjen kulturore e tërheq Bashkia e Shëngjinit, që është themeluesja e këtij çmimi i cili ndahet për veprat më të mira në prozë, poezi, memuaristikë e publicistikë.

Juria e këtij edicioni, e përbërë nga Mark Marku në pozicionin e kryetarit, Bardhyl Londo, Parid Teferiçi, Agron Gjekmarkaj dhe Alma Mile, ka marrë në shqyrtim prurjet letrare të këtij viti, mbështetur në të dhënat e Bibliotekës Kombëtare, duke përzgjedhur ata që meritojnë çmimin që mban emrin e nderuar të martirit shqiptar. Sipas kryetarit të jurisë, Mark Marku, ky çmim është një kontribut në orientimin e lexuesit, por dhe vetë sistemit të vlerave në letërsi e publicistikë. Këtë vit fituesit janë: Në publicistikë dhe eseistikë: Blendi Fevziu me librin “Ahmet Zogu. Presidenti që u bë mbret” dhe Mustafa Nano me “Pax Albanica”.

Çmimi për veprën më të mirë prozë iu dha shkrimtarit Virion Graçi për romanin “Stina e hijeve”, çmimi për vëllimin më të mirë poetik iu dha poetit Lisandri Kola për librin “Fluturat vdesin në maj”, ndërsa vepra më e mirë memuaristike iu dha Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, për Fjalorin Enciklopedik të viktimave të terrorit komunist. Të pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, fituesit shprehën jo vetëm falënderimet për organizatorët dhe jurinë, por më së shumti ndanë me të pranishmit kënaqësinë e marrjes së një çmimi që mban emrin e madh të At Zef Pllumit.

Në dy edicionet e mëparshme çmimi u është dhënë emrave të shquar të letërsisë e publicistikës, si Ismail Kadare, Rudolf Marku, Zija Çela, Spartak Ngjela, Preç Zogaj, Bardhyl Londo etj., të cilët janë konsideruar si gjurmëlënës dhe ndikues në shijet e lexuesit dhe publikut shqiptar me veprat e botuara. Çmimi “At Zef Pllumi” është krijuar nga Bashkia e Shëngjinit, nën kujdestarinë e kryetarit të saj Salvador Kaçaj, dashamirës karshi kulturës e mbi të gjitha nderimit të emrit të At Zef Pllumit.

Prej organizatorëve ky çmim konsiderohet jo thjesht si një homazh për klerikun martir, publicistin e shkrimtarin, por edhe si pjesë e një politike kulturore që i shërben pasurimit të kalendarit kulturor në vend, përtej kufijve të kryeqytetit, duke krijuar më shumë hapësira dhe frymëmarrje për krijuesit, pse jo edhe një konkurrencë të shëndetshme, e cila nuk “menaxhohet” vetëm nga Ministria e Kulturës apo shteti.

Çmimet

Çmimi “At Zef Pllumi” në publicistikë dhe eseistikë: Blendi Fevziu me librin “Ahmet Zogu. Presidenti që u bë mbret”

Mustafa Nano me “Pax Albanica”

Çmimi “At Zef Pllumi” për prozën më të mirë: Virion Graçi për romanin “Stina e hijeve”

Çmimi “At Zef Pllumi” për vëllimin më të mirë poetik: Lisandri Kola për librin “Fluturat vdesin në maj”

Çmimi “At Zef Pllumi” për veprën më të mirë memuaristike: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, për Fjalorin Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat