Universiteti i Teksasit blen arkivën personale të Gabriel Garcia Marquez

Kultura

Universiteti i Teksasit blen arkivën personale të Gabriel Garcia Marquez

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 23:54

Universiteti i Teksasit ka blerë arkivat personale të fituesit të çmimit Nobel për Letërsinë, kolumbianit Gabriel Garcia Marquez, i cili vdiq më 17 prill në moshën 87-vjeçar.

”Këto arkiva u blenë nga qendra ‘Harry Ransom’, një muze dhe bibliotekë e specializuar në kërkimet për shkencat humane në Universitetin e Teksasit në Austin”, thuhet në një komunikatë të universitetit që ndodhet në Austin, në jug të SHBA-së, e cila nuk e bën publike shumën e disbursuar.

Duke përfshirë më shumë se një gjysmë shekulli, ato përmbajnë dorëshkrime origjinale të 10 veprave, përfshirë kryeveprat “100 vjet vetmi” dhe ”Dashuri në kohërat e kolerës”.

Po ashtu, universiteti posedon më shumë se 2000 dokumente, përfshirë letra të shkrimtarit anglez, Graham Greene dhe atij meksikan, Carlos Fuentes, copëza të fjalimit të tij në ceremoninë e marrjes së çmimit Nobel në vitin 1982, si dhe fotografi dhe pjesë të shkëputura nga shtypi, të mbledhura gjatë gjithë karrierës së tij.

Koleksioni përfshin edhe makinat e shkrimit "Smith Corona" dhe kompjuterat, në të cilët autori shkroi disa prej kryeveprave të tij.

Këto arkiva do të ruhen në qendrën "Harry Ransom", krah punimeve të shkrimtarëve të shekullit të XX, si argjentinasi, Jorge Luis Borges, amerikani, William Faulkner dhe irlandezi, James Joyce, të cilët kanë influencuar në krijimtarinë e Garcia Marquez.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat