Ibrahim Berisha boton librin e ri “Mediakultura”

Kultura

Ibrahim Berisha boton librin e ri “Mediakultura”

Më: 23 nëntor 2014 Në ora: 13:54

Në librin më të ri “Mediakultura” studiuesi Ibrahim Berisha trajton fenomenin kulturë në një marrëdhënie konvergjuese me medien. Në libër shtrohen koncepte dhe interpretime kritike mbi fenomenin maskulturë si dhe efektet e saj sociale. Autori thekson se me gjithë sinonimitetin, termat masskulturë dhe kulturë mediale, në origjinal, anglishte media culture, sa do që në të parë nuk duket, dallojnë mes tyre. Masskultura megjithëse determinohet më shumë nga media, ajo krijohet dhe konsumohet, që para krijimit të shtypit. Por, ajo merr përmasën dhe kuptimin e plotë, vetëm duke qenë pjesë e sistemit të madh që e mundëson teknologjia komunikuese.
Berisha vëren se mundësia për të pasur qasje të lirë në përmbajtjet kulturore ka rritur influencën për rishikime dhe përkufizime për fenomenin kulturë, që kishte qëndruar gjatë e konsoliduar.
Autori ndër çështjet që ka trajtuar janë shija massive, industria kulturore, masskulura pastaj, teknologjia komunikuese dhe sfera private, globalizimi kulturor, identiteti personal dhe masskultura, reklama dhe masskultura, identifikimi kulturor, mediatizimi dhe feminiteti, libri si - mikro dhe televizioni si - makro model kulturor, komunikimi i dijes në teknologjitë digjitale, arts-imitimi, gjuha e massmedies, artautoriteti politik, përjashtimi dhe glorifikimi.
Ibrahim Berisha është studiues, prozator, poet, publicist. Disa nga librat e tij që përfshijnë poezi, tregime e novela, vepra sociologjike e kulturologjike janë: Utopia reale, Mediat-Agjensët e komunikimeve, Konvergjenca intelektuale, Media dhe tranzicioni, Sociokulturë, Gruaja e vetmisë, Fryma e shiut, Të martën mbrëma, Origjina e rinjohjes, Hardhia e mureve, Sipërfaqja e së dieles, Fundi është i mundshëm, Kafazi i frikës, Fisi i mbretërve të humbur etj. Ka një numër të punimeve akademike të botuara nëpër revista vendore dhe ndërkombëtare. Është përkthyer në gjuhën gjermane, angleze, frenge, suedeze, sllovene, boshnjake, malazeze, maqedone, rumune etj. Ka fituar shumë çmime letrare, ndër të cilat edhe çmimin vjetor për librin më të mirë botuar në Kosovë (Origjina e rinjohjes) 1997 ndarë nga SHSHK, çmimin për librin më të mirë të prozës (Gruaja e vetmisë) MNF, Tetovë, 2000, Çmimin Vjetor të MKS për librin më të mirë me ese (2009) etj.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat