Risitë e Teatrit Eksperimental në 2 vitet e ardhshme

Kultura

Risitë e Teatrit Eksperimental në 2 vitet e ardhshme

Më: 15 shtator 2014 Në ora: 12:24

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”(TKEKS) ka prezantuar programin për 2 vitet e ardhshme. Drejtuesi i këtij institucioni, Kiço Londo në prani të medies dhe stafit prezantoi fillimisht Bordin Artistik të TKEKS dhe më pas foli për risitë dhe pjesët që do të ngjiten në teatër. Kryetare e Bordit Artistik është Alida Cenaj (gazetare), ndërsa anëtaret e tjera janë; prof. Elida Rapti (pedagoge për Psikologji në UA), Ilirjana Dema (muzikologe, pedagoge e Solfezhit në UA), Geraldina Prodani do të jetë sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Financës, Ledia Mirakaj, drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse në Ministrin e Kulturës, Rina Cela Grasset (sociologe, përkthyese, punonjëse në bashkinë e Lion-it, Francë) dhe Laureta Halilaj (piktore).

Më pas u prezantua repertori për sezonin 2014-‘16 me pjesët në vijim:

1. “Makbeth” – William Shakespeare

2. “Hamlet” – William Shakespeare

3. “Tri motrat” – Anton Cehov

4. “Arturo Ui” - Bertolt Brecht

5. “Shiko kush erdhi” – Ray Cooney

6. “Gënjeshtër për gënjeshtër” - Anthony Neilson

7. “Tradhtia e Anjshtajnit” - Eric Emmanuel Schmitt

8. “Njeriu që pa vdekjen me sy” – Viktor Eftimiu

9. “Pas vdekjes” - Andon Zako Çajupi

10. “New York, New York” - Earl Mac Rauch

11. “Mbreti luan” - Irene Meçhi, Jonathan Roberts, Linda Woolverton (muzikal). Muzika – Elton John, Hans Zimmer . Teksti i këngëve nga Tim Rice.

12. “Mbretëritë magjike” - Giambattista Basile

13. “Gjëja më e pabesueshme në botë” - Hans Christian Andersen

14. “Një dhëndër për miushen” - Andrew Lang

15. “Derrkuci mbret” – Giovanni Straparola

16. “Burimi që të rinon” - Lafcadio Hearn

17. “Uji që vallëzon. Molla që këndon dhe zogu që flet” - Thomas Crane

Bordi Artistik ka përzgjedhur pjesët dramaturgjike për këto dy vite, ndërsa regjisorët do të sjellin pranë Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” konceptet e tyre regjisoriale për veprat e mësipërme. Vendimin për regjisorin e shfaqjes do ta marrë titullari i institucionit dhe drejtori i zhvillimit. Këta dy të fundit përcaktojnë edhe kalendarin e shfaqjeve.

Festivali i Aventurës

Zhvillimi “Festivali i Aventurës” me veprat “Njeriu që pa vdekjen me sy “ dhe “Pas vdekjes” do të jenë me pesë regjisorë të ndryshëm, pesë trupa të ndryshme, pesë kostumografi dhe pesë skenografi të ndryshme. Shfaqjet do të jepen në 6 rajone të ndryshme të Shqipërisë për t’u takuar një ditë të vetme në Tiranë gjatë festivalit ku do të përzgjidhet; shfaqja më e mirë, regjisori më i mirë, skenografia më i mirë, aktori dhe aktorja më e mirë. Nëse shfaqja fituese vlerësohet se i përmbush kriteret e nevojshme nga BA i TKEKS atëherë do të bëhet pjesë e repertorit të vitit në vijim”, shprehet Londo.

Teatri i Oratorisë Publike

Figura të njohura të fushave të ndryshme, profesionistë shqiptarë apo të huaj do të mbajnë një ligjëratë për të krijuar kulturën e oratorisë publike në sallën e teatrit. Ndërsa në kuadër të zhvillimit të dramës bashkëkohore shqipe, në janar 2015, TKEKS do të zhvillojë konkursin për pesë sinopse, nga të cilët do të përzgjidhet më i miri. Më pas autori do të merret në rezidencë nga TKEKS për një periudhë 3-4 mujore dhe së bashku me regjisorin edhe kastin e aktorëve të propozuar nga TKEKS do punojnë pjesën dramaturgjike për të arritur në produktin final. Kjo formë praktikohet për herë të parë në vendin tonë, por është shumë e njohur në botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat