N`zanafillë`, libër i ri me poezi nga Halil Matoshi

Kultura

N`zanafillë`, libër i ri me poezi nga Halil Matoshi

Më: 22 prill 2014 Në ora: 18:18

Shtëpia Botuese OM, këto ditë kas publikuar librin më të ri me poezi nga Halil Matoshi, `N’zanafillë` , shéja stilistike për gjanat e (pa)harrueme. Redaktori i librit, studiuesi Agron Gashi, thekson se poezia e Matoshit është revoltë, protestë për gjuhën e dhënë përmes poezisë.

'Poezia e Halil Matoshit ka palcë etnie, gjuhë dhe figurë autentike. Poezia e tij është varietet gjuhësor, është idiolekt, gjuhë e atësisë, etnotekst. Poezia e tij është revoltë, protestë për gjuhën e dhënë përmes poezisë. Ajo është lutje, thirrje e rebelim. Poezia e tij është figurë në veprim, e dalë prej skemave, shablloneve të kohës sonë. Duke qenë se edhe vetë mbi supe ka bartur peshën e ndëshkimit të luftës, poezia e tij është një doktrinë estetike që refuzon të harrojë dhimbjen. Prandaj, ajo është evokim për gjanat e paharrueme, për jetën dhe vdekjen, luftën dhe lirinë.', thotë studiuesi Gashi.

Më tutje Gashi e vlerëson Matoshin si model të poetit që poezinë, përveç që e bën art universal, intermedial, ku gëlojnë figura reale dhe imagjinare, luftën për ekzistencë e shndërron në lojë, mjetin saj në lodër, duke krijuar kështu imazhe pikturale e filmike me një linjë narrative të paparë në poezinë bashkëkohore shqipe.

" Poezitë e këtij libri pothuajse shkojnë në hullinë e librit të mëparshëm poetik “Hija e Krishtit”, duke krijuar ngadalë një sistem librash. Porse, këtu, është më shumë Camaj e Borges, diku Tranströmer e Ginsberg, e herë –herë Nietzsche e Heidegger... Duke qenë se në pjesën më të madhe poezia e këtij libri është autoreferenciale, ajo mundëson provën e një monologu të dhimbshëm, ndërsa aty ku shpërfaqen personat realë, dialogu dramatizon fatin e njeriut të mbetur në zgrip. Ky diskurs, pak a shumë manifestohet në pjesën më të madhe të librit, i cili në tërësi është një rrëfim lirik retrospektiv', thekson ndër tjerash Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat