Ligji dhe databaza për trashëgiminë drejt finalizimit

Kultura

Ligji dhe databaza për trashëgiminë drejt finalizimit

Më: 16 prill 2014 Në ora: 08:34

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar javën e shkuar një raport me titullin “Sfidat në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të paluajtshme materiale në Kosovë”, ku bën thirrje për përmirësime në legjislacion dhe kërkon nga institucionet e nivelit qendror dhe lokal që të përmirësojnë bashkëpunimin mes tyre, të hartojnë një listë të plotë të inventarit të vendeve të trashëgimisë kulturore dhe t’i përfshijnë ato në planet hapësinore. Aty gjithashtu kërkohen inspektime më të shpeshta të vendeve të trashëgimisë kulturore dhe fetare, si dhe masa për parandalim të vandalizmit dhe të ndërtimeve të paligjshme rreth atyre vendeve.
Zëdhënësja e Ministrisë së Kulturës, Jehona Shyti, ka deklaruar për KultPlus se ky raport është një skanim i rëndësishëm i gjendjes në trashëgiminë kulturore, e cila duhet thënë se është një sfidë tejet komplekse.

“Për ne si Ministri e Kulturës, është e rëndësishme që kemi një raport si ky për trashëgiminë kulturore. Edhe pse raporti nxjerr disa sfida dhe vështirësi, mund të themi se ka shumë progres në këto tre vjet, por e kuptojmë që mbesin ende shumë sfida. Mbi të gjitha në këto tre vjet, ka ndryshuar qasja e institucioneve, në veçanti e Ministrisë. Ne kemi treguar një vullnet të lartë politik e institucional për të shënuar progres, në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore”, ka theksuar Shyti.

Një konkluzë në këtë raport thotë se, me tërë këto sfida të mbetura, efikasiteti i institucioneve të nivelit lokal në zbatimin e standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore mbetet i kufizuar. Po ashtu aty thuhet se Ministria e Kulturës, ende nuk ka përmbledhur një inventar gjithëpërfshirës të aseteve materiale në Kosovë dhe një listë vitale të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme.

Për këtë çështje, zëdhënësja Jehona Shyti thotë se projekti i Ministrisë së Kulturës për krijimin e Data Bazës së trashëgimisë kulturore është pjesë e inventarizimit të trashëgimisë kulturore në Kosovë, që paraqet një hap tejet të rëndësishëm në inventarizimin e trashëgimisë kulturore. Ajo ka shtuar se për sa i përket Listës për mbrojtjen e përhershme të aseteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë, me Ligjin aktual është kompetencë e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore miratimi i kësaj liste.

“Projekti i Data Bazës, do të jetë gati besojmë deri në fund të këtij muaji. Kanë mbetur vetëm edhe disa detaje teknike të rregullohen dhe ajo të jetë e hapur për publikun. Do të lëshohen fillimisht me mbi 200 monumente dhe pastaj do të vazhdojë puna në monumente të tjera. Është me rëndësi të potencohet që edhe Lista për mbrojtjen e përkohshme të aseteve të trashëgimisë kulturore për herë të parë është miratuar në vitin 2011 nga ministri Krasniqi, e cila po përtërihet dhe azhurnohet për çdo vit. Deri në miratimin e Listës për mbrojtjen e përhershme të aseteve të trashëgimisë kulturore do të vazhdojmë miratimin e Listës për mbrojtje të përkohshme, në mënyrë që asetet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore mos të mbesin të pambrojtura”, ka deklaruar për “KultPlus” Shyti.

Ky raporti i misionit të OSBE-së në vend i cili përfshinë periudhën janar 2010 - shkurt 2014, shkruan se me tërë këto sfida të mbetura, mbetet të shihet se çfarë ndryshimesh pritet të sjellë Ligji i ri për trashëgiminë kulturore dhe fetare për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Nga ana tjetër, Jehona Shyti në lidhje me Ligjin e ndryshuar për trashëgiminë kulturore është shprehur se ndryshimet dhe plotësimet për këtë ligj janë të dukshme dhe me shumë rëndësi.

“Disa nga këto ndryshime përfshijnë: definimi i qartë i përgjegjësive të institucioneve të trashëgimisë kulturore, koncesionet në trashëgimi kulturore, licencat dhe sanksionet. Gjithsesi ka edhe ndryshime ne relacion me themelim te disa mekanizmave tjerë si Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, si një institucion shumë i rëndësishëm për trashëgiminë kulturore në vend”, ka thënë Shyti e cila shtoi se duke parë që Ligji aktual për Trashëgiminë kulturore ka defekte, atëherë ka qenë e domosdoshme që të hartohet një ligj i ri.

“Ne qysh me marrjen e mandatit në Ministrinë e Kulturës, kemi identifikuar ato probleme që e kanë ngushtuar veprimin në lidhje me trashëgiminë kulturore. Përpunimi i këtij ligji ka zgjatur më shumë së që kemi planifikuar sepse është punuar me një grup te gjerë ekspertësh, përfshirë ata të Këshillit të Evropës dhe disa prej vonesave kanë qenë jashtë kontrollit tonë, si p.sh. dorëzimi i rekomandimeve te Këshillit të Evropës për shkak të mosmarrëveshjeve rreth formës se komunikimit ndërmjet KE-së dhe BE-së. Megjithatë, Ligji është përfunduar dhe ne ditët ne vijim do te miratohet nga Qeveria”, ka potencuar zëdhënësja Shyti.

Nga ky raport misioni i OSBE-së ka nxjerrë gjashtë rekomandime ku ndër të tjera thotë se Ministria e Kulturës përpos asaj që duhet t’i dënojë publikisht rastet ku është cenuar trashëgimia kulturore përmes ndërtimeve ilegale, ajo duhet të bashkërendojë shkëmbim të rregullt të informatave (projekteve, çështjeve të sigurisë) ndërmjet institucioneve të nivelit qendror të përfshira në zbatimin e legjislacionit të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë aktivitetet e rindërtimit në vendet e trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe departamentet komunale.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat